
Nagelsmann: Shpresojmë të bëjmë të lumtur shumë gjermanë
Julian Nagelsmann, trajneri i Gjermanisë, foli në një konferencë për shtypin për ndeshjen e Nations League kundër Italisë, e cila do të zhvillohet në ‘San Siro’, në kuadër të çerekfinaleve të kompeticionit.
“Mendoj se tifozët janë të kënaqur me mënyrën se si po luan kombëtarja. Ndeshjet tona zgjojnë gjithmonë interes të madh dhe shpresojmë të bëjmë të lumtur shumë gjermanë”.
Portieri titullar, Baumann përkohësisht para Ter Stegen
“Së pari, dua të theksoj se Alex Nubel është sjellë shumë mirë dhe ka marrë një vendim personal. Kjo është një sjellje shumë pozitive nga ana e tij. Ai tashmë ka marrë mesazhe inkurajuese, qysh nga Evropiani, dhe do të vazhdojë të jetë portieri i dytë. Ishte e qartë që duhej të merrnim një vendim. Baumann ka qenë më konsistent, por nuk ishte një zgjedhje e lehtë. U kemi komunikuar të dyve për këtë vendim dhe do të shohim se kush do të luajë ndaj Italisë, pastaj do të vlerësojmë për të ardhmen”.
Goretzka mund të jetë titullar
“Për lojtarët e fushës kemi ende vendime për të marrë, pasi ka shumë faktorë që duhen marrë parasysh. Shikojmë performancat aktuale dhe mënyrën sesi mund të përshtaten me grupin. Leon po luan shumë mirë me Bayern Munich dhe mund të ketë të njëjtin rol edhe te kombëtarja. Ai është më i lirë në lojën e tij te Bayerni dhe po luan më përpara. Për këtë arsye e ftova në kombëtare”.
Musiala do të jetë vendimtar në mungesë të Havertz dhe Wirtz?
“Javët e fundit nuk kanë qenë të lehta për të, por ka rinovuar kontratën dhe kjo sjell një lloj presioni mbi të. Musiala ka një cilësi të jashtëzakonshme, si teknikisht, ashtu edhe nga ana karakteriale. Nuk duhet të ndiejë më shumë përgjegjësi për shkak të mungesave. Për sa u përket faulleve që merr, kjo është edhe një kompliment: shumë lojtarë mund ta ndalin vetëm duke i bërë faull. Ka një aftësi të madhe në driblim. Unë i kam thënë gjithmonë që në disa momente duhet të marrë më pak rreziqe për të mbrojtur shëndetin e tij. Shpresoj të qëndrojë në formë, pavarësisht kontaktit fizik që merr nga kundërshtarët”.
Kimmich si mbrojtës i djathtë, jo mesfushor
“Për momentin, Kimmich do të vazhdojë të luajë si mbrojtës i djathtë. Analizuam objektivisht ndeshjet e Evropianit dhe ai ishte mbrojtësi më i mirë në qarkullim. Ka bërë mirë edhe në fazën kualifikuese të Nations League. Ai jep një kontribut të madh në atë rol. Sigurisht, duhet të mendojmë se kush mund të luajë në mesfushë nëse ai qëndron në mbrojtje, si dhe kush mund ta zëvendësojë atë nëse e spostojmë në mesfushë. Në bazë të seancave stërvitore që kemi bërë, ai është lojtari më i përshtatshëm për atë pozicion dhe nuk shoh arsye për ta ndryshuar”
Çfarë mund të mësojë Gjermania nga Donnarumma?
“Ne kemi shumë talente mes portierëve të rinj në Gjermani. Çështja është sa guxim kanë klubet për t’u dhënë atyre mundësinë. Roli i portierit kërkon më shumë guxim për ta hedhur në fushë një të ri, sepse është një pozitë shumë e ndjeshme. Donnarumma pati trajnerë që i dhanë besim, ka talent dhe fizik, por nuk do të kishte shkëlqyer nëse nuk do të kishte marrë minuta. Edhe te kombëtarja, ka pasur mbështetjen e Buffonit, që i ka dhënë këshilla të vlefshme. Ne gjithashtu duhet të kemi guximin t’u japim minuta portierëve të rinj. Ata rriten përmes gabimeve dhe nuk duhet t’i kritikojmë shumë kur gabojnë. Duhet t’u japim kohë për t’u zhvilluar”.