Nagelsmanni e largoi Neuerin nga Kombëtarja e Gjermanisë
Vazhdon të shkaktojë diskutime dorëheqja befasuese e Manuel Neuer nga Kombëtarja e Gjermanisë. Në veçanti, marrëdhënia e tensionuar me trajnerin e Kombëtares, vjen në fokus pas gjithë kësaj panorame.
Sipas një raporti të “BILD”, kontaktet mes kapitenit të Bayernit dhe trajnerit të kombëtares thuhet se kanë qenë shumë të rralla, pas humbjes së hidhur në çerekfinale të Kampionatit Evropian kundër Spanjës. Thuhet se nuk ka pasur asnjë bisedë me Nagelsmanni. Kjo marrëdhënie e tensionuar thuhet se kthehet në kohën kur Nagelsmanni ishte ende trajner i bavarezëve dhe pati një mosmarrëveshje me mikun e vjetër të Manuelit dhe trajnerin e portierëve Toni Tapaloviç. Tapaloviç u shkarkua me nxitjen e Julianit, gjë që rëndoi ndjeshëm në marrëdhënien mes tyre. Vetë Neueri mori vendimin e tij vetëm natën e së martës dhe e informoi Federatën Gjermane të Futbollit të mërkurën në mëngjes. Portieri bavarez ua dha lamtumirë tifozëve në një video emocionuese në “Instagram”: “Do të vinte kjo ditë në një moment të caktuar. Karriera ime me Kombëtaren gjermane të futbollit përfundoi”. Ai theksoi se sa i vështirë ishte ky hap për të: “Të gjithë ata që më njohin e dinë që ky vendim nuk ishte i lehtë për mua”. Edhe ata që e rrethojnë janë të befasuar nga vendimi i Manuelit. Kthimi i papritur befasoi shumë pasi më parë u raportua se portieri kishte në plan të vazhdonte karrierën me përfaqësuesen. Vendimi thuhet se ka shkaktuar habi edhe te rrethi i ngushtë shoqëror.
Po sipas “BILD”, disa burime madje donin të konfirmonin se Neuer kishte menduar të vazhdonte deri në Kupën e Botës 2026 dhe të dilte në fushë vetëm përgjatë ndeshjeve ndërkombëtare në shtator. Por në fund 37-vjeçari vendosi ndryshe. Nagelsmanni gjithashtu komentoi dorëheqjen e Neuer në një deklaratë: “Edhe nëse mund ta kuptoj vendimin e Manuelit dhe motivet e tij, largimi është një humbje e madhe sportive dhe personale”. “Manuel i dha formë portierit si askush tjetër në historinë e futbollit”.
Vetë Neueri bëri “homazhe” për kohën e tij si kapiten i ekipit kombëtar: “Të isha kapiten i kombëtares gjermane për më shumë sesa shtatë vjet, derisa u lëndova, diçka shumë e veçantë për mua”. Pritet me interes nëse do ketë “shigjeta” në distancë mes Neueri dhe Nagelsmanni, teksa “xixat” e para kanë filluar të shfaqen në horizont.