Naim Frashëri
Krist Maloki
Si një hyll i mallshem e përcjell ky emen rokullitjen e botës s’onë shqipëtare. As fort i flakshem as fort i zbet, por gjithmon i pagjshem e gjithmon plot dritë. E i pandrueshem ner gjith këta shndrime e ngjarje të jetes edhe sot aj asht “qëndruar” dhe asht “duke u përveluar” (Fjalët e Qiririt) në mezin t’on. Zemra e ngushtë dhe zilia inatçare e do njerzve kan dashtë me e shdukë at hyll prej qiellit të kombit. M’anë tjeter entuzjazmi apor edhe shkurtsija mendtare e shikuen dhe e shofin edhe sot neper syza makroskopike, kësodore tuj teprue ner levdata e shkuptime. Pak a shum “kritikat” e këtyne dy kategoriënave kan një ngjyrë egoistike e regional-patriotike dhe qëndrojn në një shkallë me faljen e titullit “patriot” e “trathtar”, si asht zakoni i sotshem i “Inteligences” shqipëtare!
Kështu ka ngjaë që deri më sot nuk asht shkrue nojë kritikë e paanëshme mbi Naimin, se dhe ata të pak ner ne, që jan të “mendjes” s’kan dashtë me hy nermjet dy zjaresh, nermjet një “Scylla e Charybdis”, pa me drashtë shkuptime e salvime gjithëfarësh. “Opinioni publik”, të cilin na e paraqesin disa zotni të vetquejtun të, “kullturuem”, “patriotá” e “engjikllopedista” bashk me një pleb të degeneruem, vervitet ner ne (e ditun me tendenca fare lokaliste!) si një grue histerike që pelqen vetem perkdhelje-lajka-gënjeshtra bombastike. Aq ma teper, kurse shkrimtart e ndryshem, pa ndergjegjje e skrupullë, e ushqejn e e risin atë kulsheder shoqnore…
Atë Fulvio Cordignani (një jezuit në Shkodër!) asht i vetmi (per shka di vet) deri me sot që ka ba një analyzë pak a shum ditunore, dobarem mbi një nga veprat e Naimit, mbi “Istori e Skenderbeut” (shif: A. F. C. Epopeja Komtare, f. 116-131). Perndryshe “Inteligjenca” shqiptare e sidomos ata që mburren me “Vjershëtorin Kombetar” e “Poetin më të math të Shqipërisë” kan aq habér per Naimin, sa kam vet dije mbi njerzit e Mars-it. Gjithnjë fjalët e mëdhaja i kan ba monopol shum herë nga patriotizmi ndoshta, por edhe shum herë…
——‐———————‐———————‐———————‐——-
Në qoft se merrem vet sot me ket studjim, asht vetem dëshira e flakët që më shtyen per të zblue të verteten e me hjedhë pakë dritë nër do vise të panjoftuna e me i qirue disi perbindshat e tertevertimet mendimesh në popull t’on. Ruga asht plot zor, mjetet jan të pak. Gjithnjë kam shpresë që do të hap dobarem një shteg kah ajo fushë plot dritsië, ku syni mund të hapet ner shikjime e njoftime, pa me qenë i ndaluemun prej mureve të burgut t’ “opinionit publik”…
Na e kemi vu per qellim (si thot vet titulli e parathanëja) me i zbulue relacjonet mjes Naimit (si njeri, vjershëtar etj.) e “Literatures” e mjes Naimit e “Ideës Shqiptare”. (Ka edhe sa e sa pikëpamje tjera, të cilat sot per sot, nga shum shkaqe, nuk mund t’i botoj). Merret vesh se ata konekse kujtohen ma teper si lidhje shpirtnore, si një influencë permes shpirtit të Naimit. Prandej jemi të ngushtuem me ba një analyzë mbi personen (shpirtin) e tijë në pikëpamje genetike, perpara se të merremi me ata probleme e pytje.
Per studjim të një persone (kah shpirti e karakteri) perdoren pergjithsisht dy llojë burimesh e mjetesh: 1. Autobiografija (inklusive letrat e persones me data jetëshkrimi). 2. Biografija e shkrue me prej një të dyti (të zott per atë punë). 3. Kallzimet e shkrimet që kan vjeftje biografike neper njerz të njoftun e t’afert etj. etj. – Ner burime indirektë: 1. Veprat e trashigueme. 2. Dorëshkrimi (për studjim grafollogjik!). 3. Fytyrat e statuet (per studjim fizjognomike frenologjik) etj. etj. – Kur hyjm pra me ba një studjim sado të vogel mbi një njeri, duhet të dijmë se shka kemi në dorë nga atanburime.
Mjerisht, vet Naimi, nga shkaku i do vetiënave të karakterit, nuk ka lanë noj jetëshkrim të vet. Ashtu dhe kallzime e shkrime nga njerzit e njoftun e t’aferm (pos L. Skëndos![1]) nuk jan çfaq ner botime që mund të kishim një bazë sado të vogel. Ket detyrë duhet t’a e permbushin sa ma shpejt ato persona që jan gjallë ené e që kan sadopak një llojë kompetencet. Që s’asht ba këjo deri më sot e që s’asht kujdesue kush per ketë punë, duhet të na çuditë, kur mejtojme gjith atë flakë e rekllamë t’adhrimtarve të “Vjershëtorit të pavdekshmë”.
E vetmja biografië e Naim Frasherit, e cila ka dhe miresinë të flasë ndopak mbi Naimin vet, gjëndet e botueme në një liberth të Mali Kokojkës (Lumo Skendo), shtypë të paren herë (shka na gëzon!) në vjet 1901 në Sofje e rishtypë (pa ndryshim, madje me gjith gabime e anakronizma, shka na hidhron!) në vjet 1923 në Tiranë. Këjo rishtypje, pa ndonje shtim o shëndrim a korrekturë (një gja që, sa di vet, praktikohet vetem ner vepra të njerzve të mbedhaj, si shenj pieteti!), rrëfen se autori, në gjith at interval njezetedy vjetsh të botimeve të ndryshem, s’ka gjetë nonjë datë të gabueshme ner thanjet e para, kësodore tuj i ridishmue të sakta. Kështu do t’i marrim, mbasi s’kemi burime tjer e pse autori i atij liberthi asht vet i gjiniës e i shtepiës së Naim Frasherit, të cilin ka pas dhe rast me e njoftë per s’afri. Me gjith ket s’ duhet mshefun, se (ndoshta nga kriticizma ime!) jetëshkrimi e karakteristika e Naim Frasherit dhe rethit të ‘tij janë fare të thata e, pothue, pa vleftje ditunore, shka mund i falet Mali Kokojkes të vjetit 1901, por jo një Lumo Skëndo të vjetit 1923. Patjeter këtu rëfehet një mosmarrëveshje ner praktikat e këtij zotnije, i cili si atdhedashës e si shkrimtar i njoftun s’e ndjeu nevojen e madhe që çfaqet sot ner qarqe intelektual, per me i falun vendit t’on një veper të plotë, një “jetë-shkrim” që asht ma teper se një “kohë-shkroje”.
Kah ditt e fundit u botue në “Kalendar Kombjar” të sivjetshem një artikull prap prej Lumo Skëndos, ku autori mundohet të japë nje resumé të studjimeve të deritashem që ka ba permbi Naimin. Artikulli në fjalë (“Naim Frashëri, studim dhe kujtime” f. 44-59 në Kal.-Komb. 1926 në Tiranë) pos disa kritikash, ashtu ashtu, dhe do anekdotash, nuk rrëfen shum ma teper se “biografija” e parë thanunë, pa të cilen s’mundet edhe me u kuptue faret (krejt). Në sy mund të na bin do inkonsekvenca dhe kontradikcjone t’autorit me vet-vehte dhe disa sende që nuk harmonizojn me biografien, të botueme tre vjet ma parë. Mjerisht edhe n’at artikull nuk mundet m’u gjetë një karakteristikë e mjaftueshme e Naimit per me mujtë me e shikjue pak ma kjartë e ma afer personen si “njeri”. Këtu duhet të çuditemi se si një Lumo Skëndo, autor’i një vargu novellthash (në “Hi dhe Shpuzë”), do kallzimeve plot njomsië e shtrengesë (koncentracjon) pershkrimi bashk me një esprit poetik, nuk asht i zoti të paraqes personen e një njeri aq të dashtun e t’adhrueshem si ishte e asht per ‘të Naim Frashëri. Perkunder n’at artikull të sipermendun hiedhet e siellet, pa sistem, ner sa e sa shterpsiëna mendimesh e “kritikash” të perditëshme, baras me “savantat” e fletoreve shqiptare…
Si shifet kësodore, burimet direktë na lan me dishrue shum. Jemi të shtrenguem pra me u bazue aq ma teper ner vepra e dorëshkrime, fytyra etj., sende që lumtësisht na jan ruejtë pak a shum deri më sot. Punen t’onë, per zbulime në shpirtin e Naimit, na e lehtëson edhe ditunija nepermjet sa e sa metodash e mjetesh (qe s’ mund t’i pershkruej nga mungesa e vendit!). Sidomos ballasimi, analogija (njajtësija me tjerë, të njoftun!) dhe kuptimi i milieu-it të personës që studjohet jan mjetet ma kryesor që perdoren sot per sot. E dijtun se këta mjete kerkojn edhe një pshtetje ner data biografike, si organet e trupit ner dej edhe eshtna. Aty ku mungojn këta merret ditunija me rekonstrukcjone, kombinacjone e “hamendje” konstruktive. Na këtu do të perdorojm (nga nevoja) biografiën e permendun, e cila, si thame edhe perpara ka teper mungesa. Gjithnjë kemi mjaft landë, sa me mujtë e spjegue disí shpirtin e Naimit e shpresoj, se me këta pasime kan me u çfaqë logjik e të natyrëshem, per me gjetë nonjë vjeftje para kritikës së paanëshme.
E me kaq po i pervishem pershkrimeve të jetës e të shpirtit të Naimit. Shënimet si (f. 4.)=faqe 4, kallzojn citatin e nxjerrun nga libri: Naim Frashëri prej Lumo Skëndo (Mali Kokojka) Pershtypje e dytë, Tiranë, Shtypëshkronja “Mbrothësia” Kristo Luarasi, 1923.
****
Në një vend malësije e rethue prej një vargu shkambijesh që i napin fytyren e një fortese naturale, shtrihen kodrinat e Frashërit. Atje ishin vendue ç’prej kohnave të herëshme disa familje “parësije” si Aliçkasit, Cerasit, Bregasit etj., tuj perfitue nga gjëndja e favorëshme e natyres, për mprojtje të perbashkët t’interesave të veta.
Kah vjeti 1650 u shtue numri i tyne neper familjen e Ajaz beut që tuj ardhë nga Stanimaka (në vilajet t’Endrenesë), ku kish ndejë i syrgjynosun, zuni vend ner ato kodrina. E nga gjaku i këtij të Pari rjedhin shtëpitë e Frashëriotëve.
Dikuer një gjytet i vogel por i pasun bejlerësh, sot Frashëri paraqet pak a shumë një shtroje rrenimesh dhe vetem themelet e mbetun prej guri, kumtojn per kohna ma të bukura të kalueme. “Duke hyrë në Frashër, nga udh’e Kokojkës m’anë të mëngjër… në funt të një luadhi duket një pirg gurësh e një tufë drurësh që rrëfejn qënjen e një shtëpie n’atë vent, rrëzuare 20 (tash 45) vjet më parë” (f. 4). Këtu rinte Halit beu, i ati i Naim Frashërit. Nermarrje ushtarake e kishin çue deri në Greqië, ku shkoj shum kohë perpara e mbasi krijoj konakun e vet. Mjerisht nga jeta familjare nuk na rëfen gja, |biografija”. Gjithnjë, në qoft se bajm do kombinacione retrospektive, mund të thomi se bazat e një familje që qiti tre djelm si Abdylin, Samiun dhe Naimin do të jen qenë per ato kohna teper të shëndosha. Ideali qe u çfaq nër këta tre burra ban me kujtue një kullturë ethike të naltë ner prindt e tyne. Pos këtyne tre djelmve numërohen n’atë familje edhe kater fëmij tjer, dy djelm e dy vajza, emnat e të cillëve nuk kan nojë randësie për këta shvillime.
Ne vjet 1846, me 13 te Majit, Halit beut i fali Zoti Naimin. Lindja e këtij qëlloj disi jashta zakonit, se Naimi lindi binjok. Rreth kësajë ngjarje na rëfen zoti Skëndo një anekdotë mjaft të kandëshme që hiedhë edhe pak dritë mbi karakterin e prindit. – “Xhaxha”, i thot një nip Halit beut “sihariq se lindi nje djalë!”. Mbas pak minutash nget prap i nipi e i thotë: “Xhaxha, sihariq se lindi edhe një tjatër”. – “Nxito” i thot atëherë Halit beu “vështro se mos ka edhe një të tretë!” (Kal. Komb. 1926, f. 47.). E ama e Naimit, Emine me emen (“nga femij’ e Iliaz be Imrahorit nga Korça”), mjerisht nuk figuron pothue aspak në biografiën e naltpermendun. Dhe këjo asht një mungesë teper e madhe dhe nje ndalim per çdo studjim psikollogjik, kur të mendojm, se sa randsië ka nana në rritjen shpirtnore të kalamanit pergjithësisht.
Femijniën e shkoj Naimi në Frashër! “Djalë shtat a tetë vjeç, i hollë, i gjatë, me sy të zez të çkelqyerë, i zeshkët” (f. 4) rëfehet i dhanun mbas rytmit e rimes vjershnore. Në mospasje të fjalëve të nevojshme kompozon vet të tjera të tingllueshme si: “Dambara xhandara fá; minrara lanfuka dá”, ose “Qan Tata, vdiq Raza gá; hajruta, rimbada fá” (f. 5) etj. Kush ia mohon këtyne një shije të veçantë? – Mirë, po disa vjet ma vonë – “mezi ish dhetë vjeç” shofim nje ndryshim te çuditshem ner kombinacjone të këtillë. Si duket, dëshira per me i dhanë edhe kuptim komposicjoneve të veta ia ndalon, ia ngurron rjedhjen e kangëlueshme të perparëshme. “Mezi dhete vjeç” vjershon Naimi: “Zymbili zade i ahmak, kështu ka urdhëruar Perendija; kur të jetë njeriu plak, urdhër të mos ketë fémija!” (1. 5.) Çë ndryshim i fort me të parat (kur ish 7 vjetsh!), çë pasqyrim per veprat e pastajshme!
Do t’ishte mirë, sikur të díjshim se ç’far pershtypje i bane Naimit të vogel natyra e vendit dhe rethi njerzor. Ditunija e sotshme, sidomos psykologjia analytike (Psychoanalyse), i jep randsiën ma të madhe ndisiënave të shkaktueme në femijnië për formim të jetës emocjonale. Schopenhauer-i[2] e merr genialitetin proporcjonal me pershtypjet e fëmijniës dhe kujtimet e tyne. Pa dyshim që shpirti i një fëmije, si ishte Naimi, me aq inklinacjon për ç’do shndrime influencë që vinte nga jashtë, do të ket pësue mjaft nga pershtypjet e rethit. Veprat e tija, mjerisht, nuk permbajn ndonjë pershkrim të caktuem, ku mund të thomi se këjo e këjo personë a se ky e ky vend kan qenë model i kësaj strofe a vjershe etj. Këjo rjedhë ma teper nga një vetië poetike, nje kaosi mystik në shpirtin e Naimit mbi shka do te flasim edhe ma vonë. Gjithënjë mund e marrim në hamendje që “Bagëti e Bujqesia” nuk asht gja tjeter veç se kujtimi e malli per “malet e gërxhat e Frashërit, dhe atá vise, ujët, drurët dhe bari i tyre (që) i dukëshinë më poetikë prej dëshërimit” (Kal. Kmb. 1926 f. 49) që pesonte në Stamboll. Kujtimet e djaleriës e kishinnba edhe të vëllajn, Sami Frashërin, të këndoj shumë herë me “një dashje të posaçme dy vjersha të Viktor Hugojt[3]:
“Pourquoi devant mes yeux revenez-vous sans cesse,
O jours de mon enfance et de mon allegresse?”[4]
(L. Skëndo, “Hi dhe Shpuzë”, f. 157). Kujtimi e malli per nanen, e cila vdiq kur ishte Naimi 15 vjetsh, më duket se ka gjetë stroje në pershkrimin e nanes së Skanderbeut (sh. sidomos kapt. IV. në “Istori e Skënderbeut”).
Edhe djaleriën e shkoj Naimi në Frashër, ku… “merrte mësime nga mesonjës i pshatit (hoxha), per gjuhërat tyrqisht, përsisht e arabisht” (f. 6). “Sado-q’ish i dobët nga shtati, kish dëshirë për mësime dhe kupëtonte shpejt, duke përparuarë me çape të mbëdhenj aqë sa shumë herë kur s’ndodhesh mësonjësi, Naimi i zinte vëndin dhe epte mësime të vëllezëret mê të vegjël e djemet dhe fqinjëvet” (7.6-7). Një vetië e karakterit na çfaqet qysh në ket kohë: dishira me i dhanë ndihëm e mësim tjereve…! Si duket shkolla e “pshatit”, një shkollë turke e atëherëshme nuk ja ka randue fort mendjen Naimit, i cili, i shdervjellt si ishte s’do të ket humbë kohë shum per mësime. Perkunder Naimi ka shkue dam neper kohen e teper të pa punë e veprim. Dobësija e organeve te trupit e kish gjykue per rrojtje “pranë votres”. Fantazija e tije e sticueme ma teper neper zjarmijen e gjakut u giatte e u hapte pa masë, tuj paraqitë ner perfytyrime perbindsha mendimesh si na çfaqen sidomos n’ “Istori e Skënderbeut”. E ditun se këta abnormalitete fantazijet qe rjedhin nga panjoftimi i jetes, të cilen e shkoj si ner andrime, u sbuten ma vonë neper pjekjen e mendjes e neper influencen e lektyres. Gjithënjë tendenca hypertrofike qëndron në të gjitha veprat e tija, një gja që influencoj të gjithë trabantat e tijë e që çfaqet edhe sot ner qarqe intelektual (sidomos andej Shkumbit).
Në vjetin 1865 u ulë Naimi në Janinë bashk me vëllaznit e vetë; ishte atëherë 19 vjetsh. Per vazhdim të mësimeve “hyri në Jimnasio të Zosimenjet” (f. 7), në një shkollë greke. Si duket këtu e mësoj së pari greqishten (apor e plotsoj?) dhe e bani aq fort per vedi, sa ka mujt me shkrue vjersha n’atë gjuhë. (Ο αλγθης ποδος των Σκυπεταρων 1886-O epos 1895).[5]
Literatura greqishte, sidomos Homeri, s’ka mbet pa influencue fantasiën e tijë; shum metafore e paraqitje, sidomos n’ “Istori e Skënderbeut” e kan burimin andej. Por edhe poeziëna tjera e interesoshin, sa ishte në gjimnaz “Zosimea”. “Veçan nga hoxhër mësonte përsisht e arabisht, dhe perpiqesh të zgjëronte mësimin’ e gjuhës frëngjishte që këndonin në shkollë” (f. 7). E këto poeziëna u bane themeli i formimit të karakterit. Duhet kujtue, se Naimi kish mërijtë n’atë moshë ku ndahet fati i jetes shpirtnore. Shkolla, rrethi dhe interesat në këtë kohë marrin formë të caktueshme e bahen trupi i asajë peme që e quejm,,karakter”. Shka vjen ma vonë jan gjeth e lule që dalin prej atij trupi pa me mujt me ndryshue shum prej formes së caktueme (të determinueme) neper atë moshë. Ndjenjat e pershtypjet që ja kan pershkue zemren njeriut deri n’atë kohë bahen baza e lëvizjeve shpirtnore të pastajshme. Në qoftë pra se jemi të zotët t’i fiksojme levizjet e kësaj moshe, i kemi në dorë dhe faktorët e formimit të karakterit e kësodore edhe spiegimin e veprave (rjedhjeve të shpirtit) të persones.
Pergjithesisht s’asht e mundshme të kontrollojme sot se ç’farë kualitetesh kishte gymnazi “Zosimeja” dhe ç’fare ditunijet i percjellte abiturientat e ‘tijë. Të perfytyrojme vetem shkollen greke si ka qenë deri dje, sidomos jashta Greqijet: një çerdhe propagandash me mjete e metoda “sui generis”, ku s’mund të presim një yshqim diturak e moral teper të nalt. Superficialiteti i kuptueshem që mbretenonte ner këso shkolla bahet i damshem per një njeri që influencohet leht, si Naimi. E vetem kështu mund të kuptohet ajo “s’-mundje” që i pershkon të gjitha veprat e ‘tija: superficialiteti (një gja tragjike!). “Në kët karakteristikë” (jo nga shkaku i komodes si thote z. Lumo Skëndo) “shohim mbase dhe shpiegimin e disa harimeve dhe pa kujdesjeve që takon njeriu në shkrimet e tij në prozë”. (Kal. Komb. 1926 f. 44-45.) “Pas pes vjeç mësimesh mbaroj Naimi shkollen, dhe diplomen ja shohëm q ‘e ka me thënjënë: fort mirë” (f. 8).
E këtu merr fund edukacjoni shkollor. Frytet janë të pak, bazat ditunore një nulë! Shkolla e Frashërit bashk me gymnazin e Janinës mund të vehen (per kah ana e kualitetit e intensitetit! –jo kvantitetit) në një shkallë me një qytetëse t’ Evropes. Kur thot z. Skëndo se Naimi “dolli nga shkolla” i mësuarë mirë në dituri (f. 8) duhet kujtue se keto i ka shkrue një Mali Kokojka, djal edhe i ri e relativ me,,bilmezllèkun” që mbretnonte atëherë (1901) në Turqië.
Por s’asht nevoja qe t’i analizojm veprat e Naimit per kah ana e dituniës e per qualitete ditunor që permbajn; qellimi yn asht ma teper të fiksojm personen si njeri, jo si dijetar, nje qenje këjo që shum herë s’ka lidhje me shpirt e karakter. Dijetari ma i madh i kesajë bote “mund” te jet dhe ma i poshtmi dhe ma i fligshti i botës. Encyklopedija asht një vehikel e ngordhun, po s’u terhoq nga shpirti-i cili mbas vetiënave (dishireve) të veta e çon perpjet a-tatepjet…
Te shikjojm se ç’fryte i solli “shpirtit” Janina: 19 vjetsh hyni Naimi ne Jimnazio Zosimeja e 24 vjetsh e mbaroj! Kohen reth ketij intervali të jetes e quen ditunija (anthroposofija) e sotshme “kohë kritike a filosofike”. Se në ketë kohë trajtohen e ndertohen shtyllat e karakterit. Nersa njeriu, në kohë te djaleriës se vetë, në kohë të pubertetit (14- 19 vjetsh) kerkon të fitoj e të pushtoj boten perreth e jashta vehtes, perkunder n’at interval të parethanun lufton me shpirtin e vet, me levizjet e tija te sipernatyreshme, me relacjonet mes shpirtit e ruxullimit gjithmbarë,- e kerkon me i shtrengue të gjitha dukjet e jetes në një harmonië shpirtnore, në një spjegim të kollajshem=në një system= një botëkuptim (Weltanschauung). E rolin ma të madh në ketë formim e riformim te shpirtit e lozin njerzija perreth, me ethiken (moralin) e tyne, e lot shkolla ditunore bashk me njoftimet e botes e ma teper se të gjitha: shembulli ideal, prindi, mësuesi a noj njeri tjeter, i gjall a i vdekun. Më tjetren anë duhet të dihet, se “koha kritike” ndryshon edhe mbas individit; njeni e perkalon fare heret (i mendshmi, jo i dijshmi), tjetri ma von (mesatari) e e shuma aspak… Këta të fundit e paraqesin kontingentin e plebit (plehit) shpirtnor.- Asht pa dyshim që Naimi u gjindte n’atë “krizis” shpirtnore sa ishte në Janinë, por shka se koha kritike u ba edhe tragjike per jeten e tijë. Pa nanë pa bab (Halit Beu e kish lanë 13 vjetësh) ner njerz të huej, në një qytet Tyrqijet (!), me tjetren anë i sëmuet nga mushkënija, Naimi gjen ma tepër dhimbje ner tjer, se sa enkurajim per levizje ideale. Koha në gymnaz “Zosimea” ish një anakronizëm për te. Në një rreth e në një bankë me çuna të papjekun, i marrun me një mësim kalamajsh, s’kishe rast për me gjetë nonjë njoftim ma të nalt për drejtim të dishireve të vetiënave të veta. Njerz të nalt e ideala nuk njifte, e ata që i mësonte në shkollë ishin ma tepër të paraqitun per fantaziën e çunit, pa jetë, pa gjallesië,- per mos me thanë: produkte te magallomaniës… (“Të nxënët ne një shkollë greqishte Naimit nuk i kalli dashuri për grekrit e për Greqiën! (f.8?) – I vetmi faktor që morri randsië në formim të karakterit të tij ishin literaturat e ndryshme, sidomos poezija persjane! Do të mundohem sa ma shkurt të paraqes ideënat që fitoj neper ta:
Literatura persjane asht një produkt i religionit të vendit dhe trashigimeve në kohën e Zarathustres (Zoroaster, 600-583 para Kr.). Besimtart e atij religioni, Parsijt (farsijt), që i ngjajn fort shqiptareve të malsiënave, shkojshin jetën pa trazime, se vendin e tyne e kish forcue natyra me male e me shkambije që s’i shkelte leht kamba e anmikut a të huejit. Rojtrja e tyne socjale u regullonte mbas kanunesh të trashigimit e sidomos mbas mësimeve (Zendavesta) të Zarathustres. Burimin e botkuptimit të vet e kish gjet ky themeltar apo reformator ner mësimet religjioze e në besimin brahamist (hindust), të cilit ja përshtati me disa ndryshime shpirtit të vendit të vet. Zendavesta pra s’asht gja tjeter se një ritrajtim i Veda-ve (mësimeve të shejtë) të hindustëve. E kështu shofim se religioni persian e neper te poezia jan rjedhjet e mysticizmit-pantheizmit-t’andejshem. Shprehjet poetike jan ma teper shprehje mystike-religioze e deri çfaqjet erotike (hafis) jan të pershkueme prej një far pantheizmi esthetik, një gja që i bje nër sy Atë F. Cordignanit edhe te Naimi (Epopeja Kombetare f. 123!).
Këti influksi nga jasht ju përgjigi Naimi edhe me një lloje simpathije religjioze. Besimi i ‘tij a (ma mirë:) konfesioni (feja) ishte Bektashizmi. Si dihet, sekti bektashjan asht një nda heretike, si shumë të tjera, nga kisha mohamedane e me tendenca hindo-parsjane. Mbasi u pushtue Pars-ija prej Muhamedanëve besimi i vendit u perhapë me të shpejt ner fituesat e (si çpërblim e ahmarrje!) i fitoj zemrat e tyne. Infiltrimi e influksi religjioz që u çfaqë kësodore u ba shkak ma vonë per ndarjen ner Shiit (Ortodoks-Kuranin vetem!) e Sunit (suna-trashigimi pranë Kuranit!) Aj influks u shtue edhe ma fort neper perhapjen e Mohamedanizmit në Hindië e neper marrëdhanje me vendas. Neper Bekatashizmin pra i ishte shtue Naimit inklinacjoni e dispozicjoni (vetija) per lëvizje shpirtnore mystike, si na çfaqen sot në botkuptimin budhist, i cili (jo veç që kje botkuptimi i një Schopenhauer-i, Goethe[6] e Wagner[7] etj.) por që ka fillue, me u perhapë edhe n’Evropë si një dritare e një regenerim ner lëvizje shpirtnore e trupnore (sidomos në pedagogië). Një Tagore[8] e një Mahatma Gandhi[9] (shif veprat e Romain Roland-it!)[10] kan merijtë sot me e mrekullue boten e me i ba të padukshim njerzit ma te mdhaj t’Evropes së sotshme. Buddhizmi vet s’asht gja tjeter se një ritrajtim i Brahmaizmit të hershëm neper Gotama Buddhen 557-477 p. Kr.).
Indirekt pra, si shifet, e perftoj një far Buddhis mi shpirtin e Naimit. Pantheizmi hinduist i dha ndjenja per një dashunië ruxullore, një dishirë e një mall reth ç’do gjaje në kët botë, i dha ndienja kah fellsiënat e pamate të shpirtit e kah hapsiënat e qiellit të pafund. Zoti i Naimit asht “Gjithësija”. Çdo gja në ketë botë merr pjesë në qenjen e Zotit, asht vet një pjesë e “Perendisë”.
Ç’sheh është Zot’ i vertétë,
Ç’degjon është zër` i tija.
Gjith ç’ka e ç’ka në jetë
Është vetë Perendija. (Lulet e Veres, XIX.)
***
Një shpirt e mba gjithësinë
Që s ‘ka nisj’ ë sosj’ e anë
Nga ay’ e kanë fuqinë
Dh’ ay eshtë gjithë ç’janë. (Vjersha: Shpirti.)
***
Kudo eshtë Bukurija,
Në qiej, në dhe, në henë,
Në diell, në shënjë, në yj,
Ndër lule, nër drutë, ndë pyj.
Ç’do vënt që të këtë zenë
Atje çfaqet Perendija: (Lulet e Veres, XXXI, 4.)
Kulmi i çfaqjes së Zotit asht shpirti e njeri vet. Këtu “falet” Perendija, dhë aj njeri që ka mëritjë me e njoftë vehten (“fat-tvam-asi” ner Buddhist) ka mrijtë me e ajoftë edhe “Perendinë”.
Besojmë Zotnë q’ ësht’ i vertetë
Se gjithë ç’shohëm ësht ay vetë,
Dhe falëtore kemi njerinë,
Atjeth ë gjejm dhe Perendinë.
…
Në zëmrët tënë e gjejmë Zonë,
Shtëpi e tij është zëmëra jonë.
…
Një njeri që njeh vehten e tija,
E di se ç’eshtë dhe Perendija. (L. e. V., VII)
Të gjitha këto thanje i permban një vjershë me titullin “Zemra” (L. e. V., X) në një shkurtsië “anormale” per Naimin. Sa për bukuriën do të ndryshojn ndoshta kritikat, por besoj se fellsiën nuk do t’ja mohojn:
Fuqi ë Perendisë – duket tekdo,
Se shpirt’ i gjithësisë – po është ajo.
Ajo është gjithë ç’janë-është në ç’do vënt
E duket më ç’do anë – në trup e në mënt.
E shohëm në qiej-në shi e në re,
Në hën e npër diej-ësht’ edhe në dhe.
Më tepër zemren tenë – atë e ka fronë.
Nuk ja dëgjon zenë? – zemren s’e dëgjon?
E shof vet se per një laik (per një njeri që s’asht marrë me të këtilla) nuk asht e mundëshme, neper këta diftime të pak, me i hy në shpirt atyne thanjeve të Naimit. Po jam edhe i mendimit që edhe të gjith citatet në ket pikëpamje nuk mjaftojn per një njeri që s’ka dispoziten per ndienja të tilla. Këtu duhet ma tepër ndiesië se sa dije, ma tepër zemer se sa tru… Nga këjo rjedhë ndoshta që sot “Inteligjenca” shqipëtare nuk ka ideë për Naimin…
Per permbushjen e hipothezes s’ime se shpirti i Naimit asht perftue prej një far buddhismit, do te sjelli argumentin ma flagrant. Asht ideja e metempsychozes (kalimi i shpirtit prej një gjaje në një tjeter) e cila çfaqet ner disa vjersha..
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer’ e ndryshuar.
Pa jam bërë shumë herë,
Zjar e uj’ e balt e erë
Jam një shkëndijë prej qjelli
Dhe një drudhëzë prej djelli.
Edhe nër qiej fluturonj.
Edhe brenda në dhet qendronj.
…
Bënem qenq e kec i pirë
Lul’ e bar e gjeth i mbirë (Vjersha: Fjalët e Qiririt).
e ma kjartë:
Qeshë diell, ishnja hënë
U bësh uj e balt’ e erë,
YIl e zok e dash kam qenë
Pa dhe njeri shumë herë. (L. e V., XIX.)
Këjo mystikë kalon me të vertetë fuqiën t’onë. Mendja e zemra me gjith fantazië nuk mjaftojn per me hy ner këso mshefsiënash të mbinatyrëshme; këtu duhet besimi, një ndisië profunde që s’na asht e njoftun neve, të birve të “kulltures” që jemi ah! vetem një “Fabriksware der Natur”[11] (Schopenhauer!)…
Një tjeter pikëpamje, e cila na e çfaq shpirtin e Naimit affin (t’afert) me shpirtin buddhist asht këjo: Veprat e Naimit jan të pershkueme prej një fryme “ahistorike”. Per shpjegim të kësajë vëtije do të marrë një citat nga O. Spengler-i[12] (Der Untergang des Abendlandes, I. Bd. 14): “Die indische Kultur, deren Idee vom (brahmanisch) Nirvana der entschiedenste Ausdruck einer vollommen ahistorischen Seele ist… – hat nie das geringste Gefühl für das “Wann”… besessen. Es gibt keinen indischen Kalender, keine indische Historie also, insofem man darunter das Bewußtsein einer lebendigen Entwicklung versteht… Das Bewußtsein des indischen Menschen war so ahistorisch angelegt, daß er nicht einmal das Phaenomen des von einem Autor verfaßten Buches als zeitlich fixiertes Ereignis kannte. Statt einer organischen Reihe personlich abgegrenzter Schriften entstand allmälihlich eine vage Textmasse, in die jeder hineinschrieb, ohne daß Begriffe desnindividuellen geistigen Eigentums, der Entwicklung eines Gedankens, der geistigen Epoche eine Rolle gespielt hatten. In dieser anonymen Gestalt – der der gesamten indischen Geschichte – liegt uns die indische Philosophie vor”.[13] Shpirti ahistorik nuk di me i daë datat e kohes së kalueme. Nuk e ndien në zemer të vetë e nuk e kupton se koha para 10 a 100 vjetsh ndryshon me atë para 1000 vjetsh. Epoket e ndryshme nuk kanë ndonjë ngjyrë individuele per të. Milieu-i i “Qerbelas딓 ka at kolorit si milieu-i i “Istorisë së Skenderbeut”, ku vetem emnat ndryshojn. E të kishte vjershue Naimi jetën e Lekes (355-323 para Kr.) apo te “Marash Utsit” me shok, prap se prap aj kolorit, ajo karakteristikë, ajo logjikë ahistorike. Një shembel i perkundert nga Shakespeare-i: s’do t’i shkoj kujt ner mend të thotë se se koloriti i “Cesarit” asht një me koloritin e “Tregtarit të Venetikut”. E pra inglisht flasin dreqnit, si njeni, si tjetri! Pos asajë qe “Istori’ e Skenderbeut” nuk i pershtatet ngjarjeve te verteta (Naimi ahistorik s’e ka pa nevojen me e studjue mirë kohëshkrojen e atëherëshme!), s’permbajn po thue asnjë datë historike dhe trazohen kohnat e ndryshme dhe sa e sa sende që s’hyjn as pak mrend.
Qe dy shembuj:
Evrop e shkret atë-herë (në kohë të Gjonit, atit të Skanderbeut)
Ishte per djall e per lumë,
Pritte Ruson e Volterë,
Ta zgjuanin ng ay gjumë. (Ist. e Skend. 1898, f. 45.)
Kur pushon Araniti nga një fjalë të mbajtun në favor të Skanderbeut ja pretë vjershëtari:
Kshu the! Plak i perendishmë!
mbret i-ndjer ei levduar!
t’ish njeriu i tanishme (1898!!)
mase s’të kishte degjuar; (Ist. e Skend.,1898, f. 87)
Neve që jemi mësue me i daë e me i caktue rjedhjet e kohës ner ngjarje konsekvente e kauzale, njenen mbas tjetres, ky labilitet kundrejt historië’s na duket si një paseriozitet i vjershëtarit, si një loje fëmijsh – per mos me thanë atë ç’do të thonte një Shkodran… Por t’i a paraqesim një herë vehtes theosofiën e Naimit: Perendija jan njerzt. Perendija s’ka fillim as mbarim. Shka ka qen dje asht edhe sot. Njerzit e djeshem jan edhe të sotshem e kane me qënë edhe neser. Perendija e “Qerbelasë” asht edhe Perendija e “Skenderbeut”. Njerzt e “Qerbelasë” jan njerzt e “Skenderbeut”, pa ngjyrë individuale pa ngjyrë karakteristike. Personat dahen vetem në të mirë e në të këqijë. – E këtu hyjm në një vetië tjeter të shpirtit hinduist; lufta mjes të mirës e të ligës, mjes dritës e errësinës. “Islori e Skenterbeut” dhe “Qerbelaja” nuk jan gjaë tjeter se pasqyra e mythologiës parsiane (lufta mjes Ahrimanit e Ahuramazdes.) Skanderbeu e Aliu jan personifikacjone të dritës (sẽ mirës), Mavijeja e luftart e Turqiës inkarnacjoni i errësinës, (së ligës). Bardh e zi asht pra koloriti i këtyne dy kallëzimeve. Kur të mendojme se jeta, pos të parshmeve, asht plot me ngjyra të ndryshme, kuptojm leht se ato historiëna jan të pa jetë, pa ngjyrësië e pa gjallësie. Prandej s’ka edhe jetë individuale mbrenda e due të njifshe at njeri që munt të thotë, se Skanderbegu i Naimit asht pasqyra e një Shqiptarit. Individualiteti i Shqiptarit të vertet ka qenë një “terra incognita” per zemren e Naimit. E kështu mund te thomi (çë tragedië!) se “ma i madhi dhe pëllori i shkrimtarevet Shiqipëtarë që kemi pasur gjër më sot” (Kal. Kombj., 1926, f. 52), me gjith dishirë e dashtnië, s’ka qenë i zoti me paraqitë e me shprehë një gja “total” shqiptare. Ndienjat e çfaquna ner persona të “Istori’ e Skenderbeut” nuk korrespondojn pothue aspak me ndienjat e Shiqiptarve ideal (të vertetë). Tendenca bardh e zi (lufta mjes drites e errsinës) d.m.th. ulja e anmikut në një shkallë të poshtme jashtnjerzore dhe ngritja e herove në një dritë të jashtnatyrëshme (qe ti merr syt, sa mos me dijtë se a shef hije apor ejell te dematerializuem) nuk asht shqiptare. E – shka na e ban sympathik vjershtarin e “Lahutes”, asht nj’ ajo fjalë e vogël; “Kija inat e foliau hakun” (anmiqve) që ia ven në gojë herove të vetë tuj e çfaqun lartesiën e te Pareve t’onë (“Hic” patriot e “hic” trathëtarë e “vice versa” mbaeni mend ketë fjalë!). – Persona e “Skenderbeut”. të cilës i mungon (në ç’do pikëpaimje!) baza psykologjike, tuj qenë e dhanun mbas tendences së “ngjyres së bardhë” len mangut sa e sa vetiëna të karakterit shqiptar (ndoshta negative!) të cilat jan domosdo të nevojshme per karakterizim, në kjoft se do të na paraqitet nje „prototyp” i Shqiptarëvet. “Skenderbeu” shkrihet plot mirësië e butësie’, pa një të mbetë (sa e sa ngjarje historike negohen faret!) e mos t’ishte fjala per luftë etj., do të kishim perpara nesh ma teper një femen se sa një hero! – Një vjershë e Loni Logorit[14] mund të rëfej sadopak ndryshimin mjes ndjenjave të Naimit dhe të një Shqiptarit të vertet. Dy strofat e fundit t’asajë vjershe (Papakristonë e vranë! – Kal. Kombj., 1907, f. 112) janë:…
„Dorës që të vravi
Të ligut që ardhi, me thikë të çavi
Kur le këtë botë; kur prej nesh u ndave
Ç’i the gjakëtarit? Të ndje që më vrave!”.
Kështu do te kishte thanë e perfundue Naimi (mbas tendences: “tale dhe duaje armiknë”), porse shpirti shqiptar nepermes L. Logorit ia pret:
Vertet tin’ e ndjeve, por per veten tënde,
Por pyet Shqipërinë, por pyet ato vënde
Ç’u shkrua atje, ku me gjak tent u laknë?
Dy fjalë shkroj gjaku: këto: “merrni gjaknë!”
“Merrni gjaknë” thirri pylli pranë
Dhe malet buçitnë: “merrni gjaknë!” thanë.
Këjo vetijë (-ahmarrje!) karakteristike, e cila, kuptue deri në fellësiën e sajë shpirtnore-tragjike, e afron Shqiptarin me heroat e epopeës kombtare të Gjermanve (Nibelungenlied), asht një gjaë organike, e cila (e mirë a e keqe!) duhet të na jetë e dashtunë, në qoft se e duem karakterin shqiptar. E kështu sa e sa vetiëna tjera, të cilat nuk i permeton vendi me i pershkrue!
Këtu do të shtroj edhe një vetië typike ner shprehje të hinduistëvet: gjanësija (zgiatësija) monotone ner thanje e lutje! Thame perpara, se pantheizmi shtrihet ner të gjitha gjanat e botës së jashtme e të mbrendshme. Dashtnija e një hinduisti kapet pra rreth gjith atyne objekteve që perbajn atë “Gjithësië” të paanë e të pafund dhe shpirti i tij hapet e zgiatet pa masë, plot dishire të pa shryeme dashtnijet, ner vise ma të largta të ruzullimit. Ndisiënave të veta nuk mundet me i vue frenin e prandej zgjatet e zgjatet ner çfaqje t’atyne, plot fjalë kujtimi e perpallëngjimi. Me qenë se i do të gjitha gjanat (e mira) në një llojë e me një dashtunië të njajtë nuk gjen ndonje objekt per një verejtje ma të fortë e ma të flakët – ma individuale. Një koncentracjon rreth nje pike (point) të vetme (rreth një “drite” ner piktort, rreth një “motivi” ner komponistat, rreth një “tendence” ner shkrimtaret etj. etj.) nuk njef shpirti hinduist. Kangimet (vjershat) e tija zgiaten në një “melos” të pafund e të pa polyfonië e polykromië. Nersa zhungllon “Lahuta e Malsiës” si një sinfonië e gjallë me një “kontrapunkt” të xhixhillueshem, plot drita, flakërime, shkreptiëna e shtergata, “poezia” e Naimit rrjedh si kanga e një fyelli të vetem në një farë meditacjoni e melankolije, pa ndonjë ngjyrë a flakë të veçantë. Vjershat e ‘tija nuk kan as fillim as mbarim (as kryë as kambë), d.m.th. nuk shkojn mbas një systemi a konstrukcjoni artistik e zgiaten e zgiaten ner vrojtime e shikjime, tuj lanë mangut çdo rregull stilistik, kompozicjonel etj., sende qe lypen prej poeziës së vertetë. Ner sa strofat e para kan pak a shum një lidhje të perbashkët, shkaperderdhen të tjerat pergjith anësh si dhijt e çobanit ner male e vrîje. Kështu vjen që vjersha e Naimit si kompleks nuk sjell ndonje kënaqje estetike, pse i mungon harmonija, një gja që (per mue) i mungon edhe sa e sa tjereve “vjershëtorë të degjuarë”. E pra populli primitiv ka ma tepër kuptim per këta sende dhe ner vjershime të veta gjurmon mbas një rjedhje konsekvente, tuj çfaqë ndiesiën e vetë fare kjart e me një “esprit” mjaft per t’u bindë. (Sh. f. 6, 10, 13, 15, 31, 37, 87 (111), 98. 106, 108, 109 (5), 110 (7), 115 (17). 117 (20), 141 (89) etj. Ner “Kângë popullore gegnishte” të Prendushit f. 41 (11), 43 (18), 47 (2), 61 (38), 75 (12), 80 (27), 82 (31), 98 (73), 153 (32), 170 (54), 193 (84, 85), 190, 213, 225 etj. në: “Bleta Shqypëtare e Thimi Mitkos” të Pekmezit; e sa e sa vjersha t’Arbreshve t’Italiës ner botime të ndryshëm (De Rada, Dora d’Istria etj.), sidomos vjershat rreth themes: “Konstandini e Garentina” (Dielli 1924, 8 Janar, 21 Shkurt (13-15 Mars etj.), që e ka burimin, si duket, në një prallë popullore (në fund të “Bletës Shqypëtare”).
I vetmi mjet, të cilin e kan perdorue vjershtart e ndryshem (me spiritë buddhiste), per me i dhanë disi një krye poeziënave të veta, asht një far “refrain”-i, një persëritje e fillimit a nonjë pjese tjeter të vjershes apo të lutjes. Këjo per persëritje, po s’u praktikue tepër shpesh, i nep poeziës një shije të veçant e asht karakteristika e meditacjonit pergjithësisht. Nersa muzika e vendon ket persëritje (ma të shumten) në “percjelljë” të melodiës, vjershtari (i cili për meditacjone duhet të jetë do-e-mos muzikal) e perdor at “refrain’”, tuj gjetë kësodore (artificjel) nje “pikë” qandrimit, një llojë koncentracjoni. Se ka gjurmue Naimi mbas kësajë pikpamje nuk asht nevojë per fjalë e prova. Seicili që ka këndue së pakut një fletë nga veprat e Naimit do të ket vrojtë ato refrain-e a persëritje, të cilat, mjerisht, me qenë se Naimi s’dinte me mbajtë ekonomië e, si duket, pse s’ kishte ndisië muzikore (dobarem jo mjaft) – i perdorovi e i shperdorovi kaq shpesh e pa vend; sa ‘ç’do nieri pa paragjykime e me edukacjon evropjan do t’a e dien vehten të mersitun e të neveritun nga këndimi i të gjtha veprave të tija, të cilat s’jan tjeter perveç se një varg përsëritjesh me pak e aspak ndryshime. – Kuptohet leht këso persëritjesh të shpeshta në një vjershë a lutje të giatë sjellin një llojë monotonije që asht typik për jeten esoterike të buddhistve e të dervishve përgjithsisht. Këcimet e dervishëve dhe thirjet e tyne rythmike (allah – jallah etj.) shkojn paralel me atë monotonië dhe janë një mjet për të drejtue ndiensiënat ma leht kah perendija. N’at “rythmos” monoton, i cili shum herë kalon deri n’ekstaze religioze’ i bahet dervishit si me i ndie të rahmet e zemres, tingëllimin e rruzullimit, “zërin e Zotit të vertetë”. – Tibetasi (buddhist) që e ka ndejen ner male (5000 m) pranë Himalajet (8840 m) perdor ner të faluna të veta një çekerk (mulli të vogel) në te cilin jan të shkrueme me qinda lutjesh mrend. Sa here që sjellet aj mullî, aq herë njehen ato lutje si të thanuna dhe sjellsi s’ka nevojë me u falë veçanerisht. Shka na duket të parën here qesharak, aq fellë e me mendim na çfaqet kur e shikjojm pak ma afer. Të perfytyrojme një herë shkretijen e vendit! Nersa Tibetasi e sjellë e e dredh at çekerk në dorë të vetë, i ndenjun ner gjuj urëpervujt, dridhet leht e papushim era e Himalajes teposht kah ata vende neper gur e shkambîje, tuj këndue atë kângë monotone si fryn era ner vorre. – E në gjith atë pershtypje të mjerueme shkretijet, neper eren e njejshme, bashkëndon zani i mullinit: vërr-vërrr-vërr… E prej zemres së pervajshme gufojn lutje të pathanshme e shpirti i mallëngjyshem i buddhistit këndon atë melodijen ruzullore të një besimi profund…
Kulmin e vet, sikur dihet, e ka religioni buddhist në “Nirvana” n’atë gjëndje harimi e shuehje të gjithmbarëshme, në “Mosqenje” Këjo gjaë e pakuptusheme per religionet e ndryshem me tendenca eudaimonistike, më bahet se s’ka gjetë shtroje as në Bektashizëm. Gjithnjë shifet te Naimi në shumë vende edhe sidomos në vjershen: “Një lul’ e fishkurë a një vashëz’e vdekurë” (L. e. V., XVI).
Vallë ku do të shpijen,
Në qiej, perpara Zotit?
A kërkojnë të të shtijen
Prapë në duart të motit?
Të linç per të vdekur prapë,
E të vdeç që prapë të linç
Edhe kështu ver’ e vapë,
Gjithënjë të veç e të vinç?
Apo për jetë do të shkosh,
Mosqënia të të mbulonjë,
Edhe ti jetën t’a harosh,
Dh’ ajo ty të të haronjë?
E me kaq besoj se i kam dhanë lezuesve të nderçëm, sidomos atyne që s’jan t’ “Udhëvet” (Urdhunvet fetarë) të kuptojn sadopak se ç’ideënash mund të ket perfitue e shvillue Naimi në vehte neper literaturen persjane etj… E në qoftë se e shikojm bilancen e kohës së Janinës, do të perfundojm tuj thanë, se ata shvillime kan qenë i vetmi fitim pozitiv – dobarem në pikëpamje shpirtnore. Mirësija e pamasë, butësija e mëshira e shpirtit të Naimit që shndrisin ner të gjîtha veprat e tija, sado të pavlefshme në qofshin në pikëpamje artistike e që na i bajn disí per zemër, jan ritë e jan forcue ner ata mësime, të lidhun ndoshta me ushtrime besimit bektashjan. Aj mësim i dhanun, si duket, prej një hoxhe, shehu a dervishi tepër të pershpirtshem e ka ruejtë Naimin nga humbja shpirtnore e e ka ba mos me sharue faret ner superficjalitete e sharlatanizma të injektuem nga edukacjoni i megallomaniës së shkollës greke. M’anë tjeter aj shvillim pantheistik ia shtoj ndienjat të pervlueshme per një dashunië ruzullore, një dishire e malli reth çdo gjaje në kët botë, i dha ndienja kah fellsiënat e pamate të shpirtit e kah hapsiënat e qiellit të pafund.
***
Me gjith nderim e bindje që duhet të kemi per lartësien shpirtnore të Naimit e per mësuesin e tij të panjoftun (-njerzt ma të shpirtshem të kësajë bote kalojn neper kët jetë si meteora në një natë plot dashtnië – tuj lan vetem gjurma ner zemra reth vedit!-) s’do të mohojm se ata mësime që morri Naimi në Janinë permbajshin edhe në vethe një “faj tragjik” e fatal. Botëkuptimi buddhist; me të tana konsekvencat e veta e mësimet e tij, asht vetem per njerz që shkojn jeten esoterike, një jetë mungare, të fellueme kah kundrimi i shpirtit, tuj mohue çdo dashje per boten e jashtme. Buddhisti nuk di shka asht,,jeta”, shka jan dishiret e epshet e lufta njerzore, nuk ka kuptim per ndryshimet e nevojat socjale, per ndrimet e shndrimet në pikëpamje politike e s’e njef ideën „Atdhe” e “Komb” pergjithsisht. Deri sa erdh Naimi (per së dyti!) në Stamboll në vjet 1882 e kur hyni në shoqnië të Samiut, Vaso Pashës e Jan Vretos, nuk ishte marrë perpara me çashtje kombtare e nuk i kishte shkue mendja me e shtue flaken atdhetare që vlonte ner ato kohna reth Lidhjës së Perzerenit, ku kishte marrë pjesë e per të cilën u shue i vëllaj i tij, Abdyl Frasheri. Buddhisti s’njef “Kombsië”, e “Atdheu” i tij asht “Gjithësija”, një ndienje e pakufishme, një ndienje e pacaktueme, jo-individuale e apolitike. Treqind miljuj, “Hind’u” me një kulturë ma tepër se tremijvjetshe sundohen e urdhnohen sot prej afro dyqind mij Evropjansh vetem! – Ç’ndryshim i madh me kombin shiptar, kur shikojm ngjarjet historike. Dishira e flakët per pamvarsië lirië të plottë (të mrendshme e të jashtme!), mënija e rrebtë kundrejt çdo cenimi të drejtave të tija, të nderës së tijë, e ka ba Shqiptarin luftar e hero, e ka ba (në kundershtim me buddhistin dhe ideën e Krishtit!) me e pohue jeten, me e kundrue e me e kulturue, kësodore, shpirtnisht, tuj ju afrue Grekut të vjeter. Asgjamangut mundemi me thanë, se gjaku hinduist (arian) vlon edhe ner remba të Shqiptarit. Sa e sa karakteristika të giuhës, të mythologiës (përallave) etj. etj. na bajn me kujtue një originë të perbashkët. E së fundit edhe të gjitha ato vetiëna që u çfaqen te shpirti i Naimit mund të konstatohen edhe ner levizje shpirtnore të Shqiptarit. Por, shka perban totalitetin te hinduisti perban te Shqiptari vetem një pjésë të karakterit. Shqiptari, i dalun nga aj gjak arian (-hinduist), i ka shtue ndienjave të perparëshme sa e sa tjera tuj e pershkue jeten e tuj kundrue (si filozof që ishte!) ideënat e mëshefsiënat e saja. E neper një mëndyrë të mrekullueshme ka mrijtë Arbnori dikur ner lashtiëna motnore me e njoftë të verteten ma të madhe të kësajë “jete” njerzore, nje ideë, e cila asht turbullue neper religionet e ndryshem botë – e jetëmohuesa. Shqiptari ka kuptue se: “Jeta e jonë sjellet e rokulliset mjes qiellit e tokës, mjes shpirtit e trupit (-materjës), mjes zemret e intelektit. Kështu na ka krijue Zoti e aj njeri që mohon ket polaritet e që nuk mundohet me gjetë një harmonië (një synthezë!) mjes këtyne kundershtimeve, nuk di shka asht idea, njëri” pergjithsisht.
Genít ma të mëdhaj të kësaj bote jan dhanë mbas mishnimit e perfytyrimit t’asajë ideje e ma i madhi gení, njaj krijuesi i ruzullimit, kreu ma të madhen veper të genialitetit të vet, ma të bukren synthesë në ket jetë – njerin, pasqyren e vetë, harmonien mjes shpirtit e materjes! Per me dashtë pra me vazhdue ner këto gjurma hyjnore, per me e kuptue ideën “njeri” pergjithsisht, per me e permbushë dishiren e Zotit, duhet të shvillojim në vehten t’onë, duhet të kulturojm si shpirtin ashtu edhe trupin. Duhet t’i sjellim tribut jetes së mrendshme edhe të jashtme, por gjilhmonë në një harmonië, në një sjellje të natyrëshme, në një rythmus organik, i cili sjellë kënaqje e gëzim, lumsië e kulturë. Kur teprohet në njënen anë, atëherë shkatrohet kultura, atëherë shduket “idea”. Kështu kuptohet mohimi i jetes ner disa religjone ekstrem e obskur e kështu kuptohet irreligiozëteti ner popuj dekadent. Kultura e Evropës nuk asht gja tjeter, se veç rjedhja e asajë “ideje”, asajë harmonije shpirtnore nermejt dy ekstremesh, dhe shkatrimi i njajë kulture evropjane çfaqet sot, pse jemi dhanë teper fort mbas një ekstremi të vetem, mbas inelektit-trupit-materjes…
Në një mëndyrë të mrekullueshme pra, si thame edhe perpara, ka mërîjt Shqiptari me i shvillue e me i zhdrivillue në vehte ata ekstreme aq kontrer e polar e me trajtue permbi ta një harmonië jeteset, një synthezë shpirtnore, një formë të reë botëkuptimit, njate kulturë “shqiptare” si na çfaqet ner dok’ e zakone, ner kanga e thanje, ner fjalë mendimtare – popullore, sidomos ner malsiëna. Mjerisht kjo “kulturë” e veçantë, e cila deri më sot ka ngelë ené “primare” (-pse s’kan dalë gení per me e ekspoloatue!-), për “engjikllopedistat” e per “Inteligencen” t’onë asht fare e panjoftun. E kështu kuptohet se pse çdo pleh poetik që s`ka aspak lidhje me atë “ideë shqiptare”, po kje vetem e shkruem shqip a prej një Shqiptari, quehet fatalist “Poezië kombtare”… Por mbi këto do zgiatemi ma vonë më një kaptinë tjetër. Këtu due të permendi vetem një afersië (ngetsië) mjes shpirtit gjerman e shpirtit shqiptar (të Shqiptarit të vertet!):
Dihet mirë fort se Fausti[15] (sidomos në dramë të Goethe-s) pasqyron shpirtin gjerman, njat kompleks “dy shpirtnash” (Zwei Seelen, ach, in meiner Brust!)[16] si na çfaqet ner vjershat:
(Du bist dir nur des einen Triebs bewußt;
O, lerne nie den andern kennen!)
Zwei Seelen wohnen, ach, in meiner Brust,
Die eine will sich von der andern trennen,
Die eine hält in derber Liebeslust
Sich an die Welt mit klammemden Organen3;
Die andre hebt gewaltsam sich vom Dust
Zu den Gefilden hoher Ahnen… (Goethe. Faust, I. T.)
Vom Himmel fordert er die schönsten Sterne
Und von der Erde jede höchste Lust,
Und alle Näh’ und alle Ferne
Befriedigt nicht die tiefbewegte Brust… (Faust, Prolog)[17]
Ky polaritet “dy-shpirtnuer”, këjo luftë mjes “qiellit e tokës” ia ka mbushë Gjermanit zemren plot dishirë e dashtnië, dhe malli i pathanshem kah shfrimi i asajë atje, asajë zjarmije spirtnore e ka shtye kah kerkimi i një qetësije e harmonije, kah shelbimi i zemrës së vetë, kah zbulimi i një gjaje të panjoftun mystike. (“Parzival”-i në gojedhanën e “Gral”-it –“Blaue Blume”!) E kështu e shofim Gjermanin e herëshem tuj ravgue plot dishirë e plot malle të pashfryeshem ner gjith anët e kësajë bote; si shtegtar e luftar, mercenar e avanturjer, gjithmonë neper fllade e mystere të një jete romantike.
Und alle Näh’ und alle Ferne
Befriedigt nicht die tiefbewegte Brust…![18]
Njerz të këtillë ka pas qitë e qet edhe sot kombi gjerman, e ajo dishirë, ajo shtytje mystike (-faustike) i ka çue Gjermant te portat e Jeruzalemit (ner kryqtariëna!), i ka ba Wikinger-t me dalë
n’Amerikë para Kolombit, i ka ba me lanë rojtjen e qetë e të sigurtë te vendlindja e m’e vue jeten në rezik ner avantyra.
Sa afer na duken pra këta me Marash Utsin, njat Shqiptarin typik që neper një shtytje të çuditshme, neper një mall të pathanëshem
I pat dalë Mretit n’ushtri,
Me armë n’dorë me zjarm ne gjí (Lahuta e M., I.)
per më e shetitë boten, plot luftna e avantyra
Cak prej Hotit tuj xanë filli
Der kû piqet buka n’dilli (L. e M., I)
e me shfrye e me zjarmin (-mallin) e vet që i vlonte në zemer….
Kështa kuptojm lehtas se pse Shqiptart mercenarë trajtoshin formacjone të veçanta nër ushtriëna të ndryshme qysh në kohen e Persjanve e deri te Napoleoni. Vetiënat e veçanta të Shqyptarve, ato ndisiëna të pathanëshme individuale e (në daç): ideale i ndashin ata farë luftarësh tepër fort nga tjert që ishin pak a shum “plehu i botës”. Asht shum typik që Marash Utsi e tjer nuk njifshin vleftjen e kamjèsë (paresë) dhe tan fitinmi i tyne, kuer këthejshin kah streha e të Parve, ishin shum shum
Dy gjarpnuesha prej Stamollet… (L. e M., I)
apor armë tjera, neper të cilat ishin lidhë kujtimet e malli i një jete e lufte, plot drita e mystere, andrime e pikllime…
Këto ndisiëna të Shqiptarit, aq profunde e mystike, që bajn me mohue komoditetet e jetes, manifestojn një shpirt individuel e “luftarak”, d.m.th. eminent aktiv. Ky aktivitet asht doemos ideal e nuk ka lidhje me at të gjytetasve t’Evropes e (sidomos!) të Shqipniës. Na, banort e gjyteteve, nuk jemi të zott, neper degenerimin t’on, me i ndie e kuptue ato levizje aq të flakta në shpirtin e Shqiptarit të vertet. E kështu na çfaqet ndryshimi flagrante i rrebt mjes Shqiptarit malcor e Shqiptarit gjytetas. Nersa i pari neper at mall e dishirë të parëthanun kerkon me e shetitë boten romantike e plot reziqe, per me u çfaqë kësodore “a v a n t u r j er”, perkunder na të gjytetit vervitemi e sjellemi, pa fije ideali në zemer, nermjet mureve e rugve, nermjet epsheve e ndytsiënave, nermjet dukjeve të rejshme të një pseudo-kulture kafehanesh ner metropolet e botës, per me u mishnue kah shpirti në modelin “v a g a b u n d”! –
Në kundershtim me polaritetin “dy-shpirtnuer” e me botë kuptimin e tij, i cili asht botëkuptimi i aktivitetit (i gjallësiës-perparimit!), jan çfaqë ç’prej kohnave të herëshmë do filozofiëna religioze me tendenca “monopsyhike” d.m.th. të “një-shpirtshme”. Këto filozofiëna kerkojn me e zhdukë at polaritet, tuj i mohue të drejten per eksistencë njënit nga ata dy ekstreme të shpirtit, d.m.th. trupit-materjes-intelektit. Në vend që me kerkue një harmonië, perkundër vehet mënija ma e rrebtë mjes të tyne e qielli me token, e shpirti me trupin, jeta e mrendshme me të jashmen, religioni me gëzimet e jetes, bahen anmiq të paafrueshem, anmiq me një hasmië të pashueshme e të perjetëshme. E symbolet e tyne jan, “drita” e “errësiëna”, Ahuzamazda e Ahrimani, “e mira” e “e liga”, Perendija e Djalli. E jeta e njerit merr ngjyren e panatyrëshme, njat koloritin “bardh e zi”, si e kemi permendë qysh perpara.
Morali i këtyne religioneve kulmon në mohimin e trupit, në mohimin e gëzimeve e dishireve të kësajë jete, në zhdukjen e poshtësimin e ndisiënave njerzore, të cilat kuptohen si atribute të “së ligës”, të Djallit etj. E besimtart e një kësi farë religionit mbyllen ner mure e ner shpella si eremit e mungar e e rahin trupin, e vet e e mundojn me askeze, tui mohue kësodore sa ma tepër jeten e jashtme por edhe detyrat socjale. Se një njeri i këtill ka para sysh vetem shelbimin e vet e- neper një egoizëm e eudaimonizëm të çuditshem- nuk interesohet aspak per nevojat e tjerve. Perkunder, sa mundet, largohet edhe ma fort prej sferës se tyne, se jeta njerzore, njerzit vet e sidomos femna (-grueja-nana!) perfytyron per ‘te rezikun e anmikun e shpirtit, perfytyron djallin, paraqet të “ligën”, e cila gjithsejt s’duhet të ket eksistencë. Kështu kuptohet se problemet e jetes njerzore jan të panjoftun krejt prej këtyne njerzve (e besimtarve) e jeta per ta nuk asht gja tieter, se një “hieje” e zeze një “ander” e keqe, një “kalim” ner mundine, një fushe plot lot, një “Jammertal”. Në vend që me u zbukurue rojtja, në vend që me u vue “polariteti” (qielli me token, shpirti me trupin) në një harmonië të shëndetshme e të frytshme, perçahen “ekstremet” edhe ma fort se i ka dhanë Zoti e në gjith kët perçarje, në kët eksistencë të panatyrëshme, mjes një Perendije e Djalli, mjes një parîzi e ferri, e kap njerin disprimi e frika, dhe jeta e tijë permbytet ner pikllime e vaje, ner supersticje e errësiëna. Njerzija e ligshtë e tepër e pafuqiëshme per me e fitue luften kundra “Djallit” në trup të vet, kundrejt dishireve e nevojave njerzore, kundrejt tundimeve të kësajë jete, humb shpresen e (neper kët edhe) besimin dhe lëshohet ma së fundi në një lethargië orientale a në nojë barbarië idhulltare…
Shënim! – Mjerisht, nga mungesë e vëndit, jémi të ngushtuarë t’e këputim e t’e shkurtojm këtu kët’ studim. Munt të themi se shumë gjëra të thëna gjër më tani kishin per te gjeture kuptim me te plote ner radhet qe do vinin me pastaj. E shofim per nevoje, te plotesojm ketu shkurtësisht kryeproblemin e ketij studimi si pas thenjeve t’autorit, pa dashur te deshmojm se jemi plotesisht ne njemendje me ‘te:
“Naimit i mungonte njohja e jetes ne kuptimin “dy-shpirtnuer”. I lidhun nga semundja “prane votres” s’kishte rast te shifte jeten njerzore e te kuptonte problemet e saje sa ishte ne kohe te shvillimit te shpirtit e karakterit, ne kohe “kritike a filozofike”. I vetmi rast qe iu dha qe ay kur vajti ne Stamboll me 1871, por edhe ky rast vajti me kot. Autori thote: “Mbasi duel nga gymnazi, shkoj Naimi (1871) ne Stamboll, plot dishire per veprim. Atje kishin nise qysh kuer marredhanje me Evropen e fryme okcidentale kish fillue me frye. Ishte rasti ma i mire pra per shpirtin e tij me u shkrie e kullue neper jeten e jashtme, e ne perpjekje me systeme kulturale me i regullue ndienjat e dishiret e veta. Se zemra e tije vlonte ne nje kaos ndisienash, pa nje drejtim te caktueshem, pa nje qellim e vetekuptim. N’ate “krizis” shpirtnore kishte Naimi nevoje per një shtytje, per nje udheheqje, nje formim e riformim te jetes se tije – te mendjes per “jéte”. – Por shka, se, “nje dobtie e krahrorit” (f. 8) e ngushtoj edhe ketu per nje, rojtje prane votre”. – Fatum? – Daimonion? – Rasti ma i kushtueshem i jetes se tije shkoj hurq, shkoj “bosh”, vate… nje shpirt plot etje te pashfryeme mbet’ etshem t’u kroni…
“Mbas tet muejsh kethehet Naimi perseri ne Janine, qe te marre fuqi duke shetitur ne pshatra me ere te shendoshe” (f. 8). E ketu mbet’ dy vjet resht “pa nonje pune” (f. 8). A ishte merzija apor nonje shkak tjeter nuk dihet, vetem qe e shofim se merret prap me literaturen arabe, persjane etj. Si me duket, ndisienat e tija vlojn ne zemren e tije pa pushim e ngushllim e aj vet kerkon me e shue zjarmijen e mrendshme ner fllade e andrime qe i sjellin kangimet e vjershtarve te ndryshem. “Deshira e Naimit per vjersha u shtua më tepre ne prekje te,,verseve” persane te Sadiut, Hafezit dhe Firdevziut” (Kal. Kombj., 1926, f. 52). Ne ket kohe te Janines “qe me 1289 te vitit te hixhretit” (f. 8) shkroj Naimi nje tok vjershash persisht, nga te cilat shtypi ma vone (1874) ne Stamboll “nje libre te vogele” me emre “Tehajylat” d.m.th. “Enderime” (f. 8). – Mjerisht qe nuk e dijm se çfar themash permbajn ato vjersha! Kujtime te kohnave te kalueme, andrime reth ndienjash erotike, apor shprehje mystike-religioze?
Keshtu erdh puna, thot autori, qe e kaloj Naimi jeten e vete “si ner andrime”.
“Natura e veçant’ e Naimit ka qene ne kundershtim me naturen e njerzve (burrave) te rethit. Nersa tjert u nepshin mbas jetes e nevojave te saja (si ishte koha e zakoni atehere!”) aj rinte “prane votret” e andronte….
Koha e pubertetit, kuer shperthen fuqia elementare e djaleriës, plot furië, Naimin e shef (nga shkaku i dobsiës!) të mbyllun t’u shtëpija, në qarkun e motrave e grave të tjera. Një dukjë femnore, një butsië mëshirëplote që i pershkon shkrimet asht lidhë padyshim me ketë jetë. Kemi konstatue qysh perpara, se Naimi influksoheshe leht. Shpirti i tij ish si një brumë që u formonte e u deformonte si mbas rethit. Të kishte pasë fatin Naimi me u udhëheqë prej një pedagogu (-psikologu) të vertet, a prej një shemblli të gjall, do t’shte shterngue per një formë ideale, per një formë ma markante, per një system botëkuptim (Weltanschauung). Por “forma”-“kallëpi” s’u gjetë e brumi mbet i pandrueshem – deri në kohë të Stambollit (1882-1900)…
Këtu në Stamboll (pas ardhjesë së dytë më 1882), thot autori, pati rast Naimi të njoh jeten e vertetë e ashtu pak edhe vehten. Në Stamboll hyri Naimi në shoqëri të Samiut, Vasa Pashës, Jan Vretos etj. Sidomos persona e Samiut e Vasos i bën pershtypjen më të madhe. Këta dy na paraqesin karakterin “typik” te nje Shqiptari ideel. Shkrimet e tyre çfaqin nje shpirtlartsie te jashtzakonshme e nje njohje te jetes gjer ne intimitetet me te fshehta te saja. Karakteri shqiptar duket në çfaqjen dramatike (tragjike) te shpirtit te tyre. Dashuria per vendlindjen i ben të semurë, i ben heroa, i ben te derdhin lotet me te flakeshme te zemres se vete. (“O moj Shqipri e mjera Shqipri”.) Ketu i hapen syt se parit Naimit – andrimet shperndahen – nje jete e ree fillon. Nga udheheqsat e tije meson se njeriu duhet te kete nje qellim, se ne kete jete ka edhe detyra qe e lidhin me rethin e tija, me miqt, me njerzit e sidomos me vendlindjen. Ne ket qellimin e fundit forcohet Naimi edhe nga levizjet kombtare e liriedashese te popujve te ndryshem. Pjekja e tij ne Stamboll me sa e sa shqipëtarë nga shum vise te Shpipërisë i jep rast te njohe e te kuptoje vendin e zakonet e tija. Keshtu behet kombi shqiptar per Naimin nje idee e larte, nje objekt i dashurise se tije mystike, nje qellim, nje ideal. Kuptohet leht se ndjenjat e tija, te paregulluara dhe fare kaotike marin form te caktueshme e drejtohen pas nje qellimi te vetem, tuj u ngjitur arhitektonik reth shtylles kombtare. Gjithnje duhet thene se ky ndryshim ardhi teper vone ne zemren e tija e se nuk mundi t’i shduknje ndjenjat qe kishin xene renje qe ne kohen e djalerise. Keshtu kuptohen dy tendenca (se pakut) ne shkrimet e Naimit. Iderat qe perfitoj Naimi ne Stomboll luftojn kundra ndjenjave te perpareshme ne zemren e tije e si pas gjendjese shpirtnore momentane e si pas rastit çfaqen nje here keto e njehere ato ner vjersha a ner vepra tjera, kështu shume here dyke i dhene nje ngjyre inkonsekvente. Ne kete lufte ne zemren e tije, ne kete zjarmi te shpirtit, ne ket rivalitet mjes ndjenjash e ideerash gjene Naimi ngushllim e prehje ne pune e veprim reth nje qellimi, reth nje qoku, reth idese kombtare e lartesimit te saje. Energjia e pamase dhe e grumbulluar ne zemren e tije qe ne kohe te djalerise shperthen tani me nje hov vullkani e derdhet ne nje kohe te shkurter ner sa e sa vepra te ndryshme. Zgjimin e vet nga endrimet mystike-kaotike e ben Naimi symbol e idee reth zgjimit te nje kombi, dyke marre mbi vehte nje jete plot mundime, nje jete plot reziqe – por edhe plot gezime e kenaqje te perbrendshme. Keshtu shpirti i tij tingllon ne nje melos te pa fund dhe ngjitet perpjet kah qielli kombtar, nga i cili e percjellë, si një yll i mallshem, rokullitjen e botes s’one shqiptare…
Nga libri Naim Frashërit! Botuar me rastin e 25-vjetorit të poetit nga studentët shqiptarë në Grac, 1925, f. 57-83)
(Marrë nga libri Kritika letrare, Ibrahim Rugova dhe Sabri Hamiti, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 191-227)
[1] Lumo Skendo (Midhat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, lindi më 1880, në Stamboll dhe vdiq në Nju-Jork më 1949). Për shkak të mospajtimeve ideologjike me LNÇ në Shqipëri dhe bashkëpunimit me okupatorin u largua nga vendi. U mor me probleme të ndryshme politike, etnografike e letrare etj. Veprat: Guillaume Tell nga Lamartini (përkthim, 1898); De Foe, D. Robinson Crusoe (përkthim, 1909); bashkë me Kristo Luarasin nxori të përkohshmen Kalendari kombiar (1897-1928), pastaj të përkohshmen tjetër Lirija, Selanik (1908-1909) dhe Diturija (1909-1916, 1926-1929); biografinë Naim Be Frashëri (1901, 1923, 1942). Dallohen tregimet e tij Hi dhe shpuzë, Sofje, 1915. Shkroi edhe disa libra politikë në frëngjisht.
[2] Schopenhauer, Arthur (Artur Shopenhauer, 1788-1860), filozof gjerman. Vepra kryesore e tij Bota si vullnet dhe si reprezentim, 1818. Shopenhaueri u frymëzua nga filozofia e Kantit dhe e Indisë. Të gjithë doktrinën e vet e ndërtoi mbi reprezentimin, përfaqësimin (Vorstellung), që përmban subjektin dhe objektin si dhe mbi konceptin e vullnetit e të forcës. Si më e vlefshme në filozofinë e tij merren mendimet e tij për artin, thënë përudhë, e me filozofinë e tij herë-herë pesimiste, edhe pse pat ndikim si te Nice, Hartmani etj., pohohet se nuk ka dhënë ndonjë kontribut të veçantë në zhvillimin e shpirtit evropian dhe traditës humaniste gjermane
[3] Hugo, Victor Maria, (Viktor Hugo, 1802-1837), shkrimtar frëng. Një ndër poetët më të njohur të romantizmit frëng dhe në përgjithësi. Ish dhe në ngjarjet e kohës së vet. Veprat e tij të njohura Kontemplacionme (Contemplations, 1850, poezi); Legjenda e shekujve (Legende des siècles, 1859); drama Cromwel, 1827; romani Të mjerët (Le Misérables, 1862) etj.
[4] Përse gjithnjë më dilni para sysh; O ditë të fëmijërisë e të ngazëllimit tim. (Përkthim i lirë, Ibrahim Rugova).
[5] Është fjala për poemën “Dëshir’e vërtetë e Shqipëtarëvet”, që poeti e kishte botuar edhe në greqisht. “O eros” (Dashuria), poemë në greqisht, që u publikua pjesërisht në shqip, shih: Naim Frashëri, Poezi, Tiranë, 1971, f. 56-60.
[6] Goethe Johann Wolfgang (Johan Volfgang Gëte, 1749-1832), shkrimtar i klasikes gjermane. Veprat më të njohura të tij Vuajtjet e Verterit të ri (Die Leiden des jungen Werthers, 1774), Fausti (e shkroi ndërmjet kohës 1773-1832 në dy pjesë) etj.
[7] Richard Wagner (Rikard Vagner), kompozitor e dramaturg gjerman, 1813-1883. Duke iu kundërvënë estetikës teatrale të kohës së vet, Vagneri kërkonte të realizojë një sintezë të poezisë, muzikës, vallëzimit, regjisë, me qëllim të shprehë përmbajtjen “thjesht njerëzore”.
[8] Tagore (Rabintranath Thakur), shkrimtar indas, 1861-1941. Veprat më të njohura: Gitanjali (1910), Stuhi në Gang (1902), Kopshtari (1913) etj. Fitues i Çmimit Nobel për 1913.
[9] Gandhi (Mohamadas Karanchans, i quajtur Mahatma 1869-1948), Shpirt i Madh, tribun kombëtar e religjioz i Indisë. Doktrina e tij religjioze e politike, e bazuar në vlerën shpirtërore të punës shtëpiake dhe në jodhunën (ahamsa), vinte nga religjioni jaina. Më 1947 pjesëmarrës i pavarësisë së Indisë.
[10] Roland Romain (Romen Rolandi), shkrimtar frëng (1866-1944). U bë i njohur sidomos me romanin Zhan Kristofi (Jean Christophe), 1904-1912. Shkroi libra mbi Betovenin, Hendlin, Tolstoin, Mahatma Gandin etj. Ishte mjaft aktiv dhe antimilitarist i fortë me ide pacifiste në kohën e tij. Në romanin e përmendur i evokon të gjitha problemet e mëdha të njeriut të shekullit XX. Shpërblimin Nobel e mora më 1916 për vitin 1915.
[11] Prodhim i natyrës.
[12] Spengler Oswald (Shpengler Osvald), filozof gjerman, 1880-1936. I ndikuar nga Nietzsche e Diltheu, ai kishte një botëkuptim pesimist mbi historinë, nuk besonte në të vërtetën e progresit, por vetëm në ciklet e historisë të kulturës së lidhur të periodave të shkatërrimit. Vepra kryesore e tij Fundi i perëndimit, të cilën e citon Maloki.
[13] Kultura indase, idetë e së cilës vijnë nga Nirvana (brahamane), është një nga shprehjet vendimtare të shpirtit të përsosur ahistorik… nuk disponon fare me ndjenjën më të vogël për Kur (kuptimi kohor). Nuk ekziston kurrfarë Kalendari indas., madje as që mund të kuptohet me këtë rast vetëdije e ndonjë zhvillimi të gjallë… Vetëdija e njeriut indas ishte ahistorike saqë kurrë nuk ka mundur që fenomenin e ndonjë shkrimtari librash, që ato të dhëna t’i fiksojë si kohore. Ekziston një varg veprash të caktuara individuale të cilat rriten në një shumësi tekstesh, brenda së cilës çdokush shkruan diçka, pa kuptimin e individualitetit shpirtëror personal, pa zhvillimin e ndonjë mendimi, me ç’rast shpirti i epokës nuk do të luajë kurrfarë roli. Në këtë tërësi anonime, ku qëndron e gjithë historia indase, po ashtu qëndron para nesh edhe historia indase. (Përktheu: Zef Mirdita)
[14] Loni Logori (1869-1929), poet i Rilindjes.
[15] Lidhur me çështjen e subjektit të Faustit të Gëtes, shih botimin shqip, Rilindja, Prishtinë, 1946, përkthyer nga Skënder Luarasi.
[16] Dy shpirtra, ah! Rrojnë në kraharorin tim.
[17] Kjo është njëra shtyrje që ke njohur,
Oh kurrë mos kërko të njohësh tjetrën!
Dy shpirtra, ah! Rrojnë në kraharorin tim,
Sicili rreh nga shoku të çlirohet/
Njëri i përvluar epshesh dashurie
I ngjitet botës me organe trupi,
Tjetri i vërsulet larg prej pluhurit
Drejt fushave të gjyshërve të ndritur. (Botimi shqip, f. 46)
—
Kërkon prej qiellit yjtë më të ndritur
Prej dheut gëzimin më të lartë;
Asgjë qoftë afër ose larg
S’ia shuan dun’ gjirit të tronditur. (Botimi shqip, f. 14)
[18] Vargjet e fundme të citatit të mëparshëm në përkthim shqip.