Naim Maloku: Presidenti me paraqitjen e tij para ushtarëve të FSK-së ka imituar presidentët amerikanë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që njëherit është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjatë ditës së enjte ka qëndruar në Kazermën “Adem Jashari”.
Ai para ushtarëve të FSK-së ka dalë me uniformë.
Por, presidenti i vendit nuk e ka respektuar uniformën e ushtrisë.
Ai gjatë parakalimit nuk ka pasur të vendosur kapelë, nuk e ka veshur komplet uniformën.
Për këtë, Thaçi është kritikuar nga ekspertë ushtarakë.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në një deklaratë për Gazetën Express ka thënë se Thaçi, si komandant i përgjithshëm i FSK-së, nuk ka respektuar rregulloren për uniformat dhe dukjen personale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ai nuk e ka respektuar sot FSK-në me paraqitjen që e ka bërë. Në momentin që e vesh një tesh me simbole të Kosovës, në këtë rast Thaçi e ka pasur të veshur xhaketën, është dashur që të vendos në kokë edhe kapelën. Po ashtu ai është dashur të veshë edhe pantallonat, t’i mbathë çizmet dhe të duket tamam si një ushtar”, ka thënë Selimi.
Megjithatë ish-ushtaraku Naim Maloku ka thënë për Gazetën Express se Hashim Thaçi ka imituar presidentët amerikanë me paraqitje.
“Presidenti sot siç duket me paraqitjen e tij i ka imituar presidentët amerikanë. Ata nuk mbajnë kapele në paraqitjet e tyre. Ushtaraku duhet me patjetër ta mbajë kapelën, mirëpo për presidentin nuk e di nëse është praktikë një gjë e tillë. Është në vullnetin e tij nëse do ta mbajë apo jo kapelën”, ka thënë Maloku.