Naim Murseli, me billboard në Sllatinë i uronte Trumpit shërim të shpejtë nga Covid-19
Naim Murseli, i arrestuar sot për përfshirjen në vrasjen e gruas së tij, Liridona Murseli, para dy ditësh, nga postimet e tij në rrjetet sociale dhe paraqitjet televizive duket se ka dëshiruar të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes.
Ai kishte paguar një pano reklamuese në Sllatinë, me të cilën i uronte shërim të shpejtë ish-presidentit amerikan, Donal Trump, në kohën kur ai po përballej me koronavirusin.
Murseli kishte paguar 1 mijë euro për vendosjen një billboardi afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
“Shërim të shpejtë, President! Të kemi në mendje”, shkruhej në billboardin ku ishte vënë portreti i Trumpit e në prapavijëflamujt e Kosovës dhe SHBA-së.
Përmes një postimi në Twitter, Murseli pati shkruar se “ka shfrytëzuar kursimet për të paguar billboardin më të madh dhe më të shtrenjtë, për të nderuar Trumpin dhe popullin amerikan”.
I used my savings to pay the largest and most expensive billboard, near Prishtina International Airport, to honor President @realDonaldTrump and the American people. The people of #Kosovo wishes the President health and a swift recovery. God bless our countries! pic.twitter.com/gvM6VqzbwR
— Naim Murseli (@NaimMur) October 6, 2020
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar arrestimin e Naim Murselit dhe të dysharit tjetër, Granit Plava, të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit mbrëmjen e së mërkurës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës.
Po ashtu është bërë e ditur se është sekuestruar edhe arma me të cilën është ekzekutuar e ndjera, bashkëshortja e të dyshuarit Naim Murseli, përcjell Reporteri.net.
“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.”, thuhet në njoftim.