‘Naim Murseli mund të dënohet vetëm me 15 vjet burgim’
Gazetari Vullnet Krasniqi tha në një intervistë për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se Naim Murseli mund të dënohet vetëm 15 vjet për inskenimin e vrasjes së gruas së tij, Liridona Ademajt.
Gazetari sqaroi se Murseli akuzohet për shtyrje në krim, jo për bashkëpunim dhe në këto kushte dënimi i tij pritet të jetë më i lehtë krahasuar me përmasën e krimit, nëse i vërtetohet fajësia.
“Është një dallim shumë i madh. Duhet parë nëse Murseli do të akuzohet për bashkëkryerje apo vetëm për shtyrje drejt krimit, sepse nëse lexon dosjen e prokurorisë që është publikuar ka disa detaje. Për shembull, thotë se Naim Murseli është takuar para një jave me nipin e tij, që është pjesëtar i FSK-së dhe i ka shpjeguar se i ka disa probleme me gruan. Sipas dosjes së prokurorisë, nipi i ka thënë se ja kryen këtë punë. Askund, në asnjë moment nuk thuhet as që e ka porositur, as që do e kryente vrasjen, pra nuk përdoren këto terma në aktakuzë dhe ky është rreziku kryesor që Murseli mund të përfundojë vetëm me 15 vjet burgim,” – u shpreh Krasniqi.