Nainggolan: Në Belgjikë erdha për relaksim, jo për para
Radja Nainggolan është larguar nga futbolli italian pas 17 vjetëve qëndrim. Mesfushori belg ishte transferuar te të rinjtë e Piacenzas në vitin 2004 nga Berschot U19.
Që nga ajo kohë Nainggolan ka luajtur vetëm për Serinë A me skuadra si Piacenza, Cagliari, Roma dhe Interi. Por në moshën 33-vjeçare, Ninja ka vendosur të rikthehet në Belgjikë, ku ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Royal Antwerpen. Ninja u kërkua me ngulm nga Besiktas, por ai vendosi për t’u rikthyer në Belgjikë dhe nuk deshi të luante për para.
“Po të kisha bërë një zgjedhje për para, do të kisha shkuar në Turqi. Por në moshën 33-vjeçare, pasi kam luajtur në klube të mëdha, nuk kisha luajtur asnjëherë në Belgjikë. Është një motivim më shumë edhe që të më njohin këtu. Në Itali stresi po bëhej shumë i madh. Këtu ka ambicie, por edhe më shumë relaksim”, ka deklaruar Nainggolan.