Nait Hasani dhe Kudusi Lama vizitojnë babain e Hashim Thaçit në spital: Qëndron i fortë përball sfidave
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani dhe gjenerali në pension, Kudusi Lama, kanë vizituar babain e Hashim Thaçit, bacën Haxhi, i cili është shtrirë në spital.
Hasani, i cili garon me numrin 42 në listën e PDK-së, ka thënë se me bacën Haxhi kanë biseduar për shumë tema, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale.
Pavarësisht moshës, Hasani ka thënë se baca Haxhi qëndron i fortë përballë sfidave të jetës.
“I fortë i qëndron sfidave të kohës Haxhi Thaçi, babai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Së bashku sot unë me gjeneral Kudusi Lama, bashkëluftëtaren e Hashim Thaçit, Fatmire Zogu – Hasani dhe mikun familjar të familjes Thaçi, Rexhep Gashi vizituam babën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Haxhi Thaçin në spitalin e Prishtinës. Me urimin më të mirë i uruam shërim e shëndet të mirë Haxhi Thaçit dhe biseduam për luftën, për Gjykatën Speciale, për padrejtësitë, për mbështetjen e shtetit dhe vizitat atje në Hagë të Hashim Thaçi. Plaku edhe pse në moshë të shtyrë mbahej i fortë dhe na tregonte për vizitën e tij atje kur ishte edhe Edi Rama në Hagë.Na kujtonte takimet e kohën që nga paralufta kur ishim në shtëpinë e tij në përgatitjet për luftë në organizimet e UÇK-së. Njerëzit e fortë si plaku i nderuar Haxhi Thaçi të japin vullnet e forcë t’i përballojmë sfidat dhe mundimet e jetës në mbrojtje të vlerave të luftës sonë të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Hasani në “Facebook”.