Nait Hasani kërkon drejtësi për masakrën në burgun e Dubravës
Ish i mbijetuari i masakrës në Burgun e Dubravës dhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nait Hasani, me rastin e 22-vjetorit të kësaj masakre ka kërkuar që kriminelët të dalin para drejtësisë.
Me rastin e zbulimit lapidarit në nderim të të rënëve dhe të mbijetuarve në masakrën e Dubravës, Hasani ka kritikuar të gjitha qeveritë, të cilat sipas tij nuk kanë bërë asgjë për këtë masakër.
“Për këtë masakër ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës, asnjë qeveri e jona nuk ka bërë asgjë, kanë heshtur të gjithë me qellim apo pa qellim, por as ndërkombëtarët nuk kanë bërë asgjë, kanë heshtë të gjithë”, ka thënë Hasani, duke përmendur me emra urdhërdhënësit e kësaj masakre.
“Të gjithë e dinë se në këtë burg ka qenë përgjegjës drejtor Aleksandër Rakoçeviq – Aca, (pas luftës ka qenë drejtor edhe në CZ apo në burgun qendror në Beograd). Të gjithë e dinë se komandant burgu ka qenë Miodrag Vidiç i Miki. Këta të dy, Aca dhe Miki së bashku me mbikëqyrësin e burgut Branko Komatina e dinë se ku është dhe cili është a po ka qenë fati i Ukshin Hotit pas daljes nga burgu më 16 maj 1999”, ka deklaruar Hasani.
Fjalimi i plotë i Nait Hasanit:
Të nderuar bashkëvuajtës,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Të nderuar familjar të të rënëve
I nderuari kryetar, Glauk Konjufca
I nderuari ministre, Albulena Haxhiu
I nderuar ish-kryeministër, Ramush Haradinaj
I nderuar kryetar i PDK-së, Enver Hoxhaj
Sot ne zbulojmë një promemorie politike apo një lapidar me emrat e te burgosurve që ishin në këtë burg në maj 1999 për të arritur deri të kjo ngjarje makabre, pushteti e shteti serb kishte menduar mirë këtë çështje.
Në këtë burg më 26 prill 1999 nga burgu i Mitrovicës se Sremit, të gjithë të burgosurit që ishim ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ose atdhetarë që kishin punuar për kombin e Kosovën gjatë gjithë jetës së tyre.
Së bashku me të burgosurit politikë nga burgu i Nishit me autobusë më 30 prill 1999 na dërgojnë në burgun e Dubravës.
Aty nga 30 prilli deri më 19 maj 1999 i mbushen pavijonet me të burgosur nga të gjitha burgjet e Kosovës dhe nga Serbia.
Këtu shihet qartë qëllimi djallëzor i shtetit të Serbisë, që të mbledh sa më shumë të burgosur dhe t’i vret në shenjë hakmarrje si ushtarë të UÇK-së dhe si shqiptarë.
Ajo kishte zgjedh dhe metodën e kamuflimit të vrasjes së të burgosurve. Kishte menduar të ia vendosë faji si faktorë NATO-s, sepse NATO kishte të dhëna se aty ishin policia dhe ushtria e Serbisë.
Aty tashmë të burgosurit ishin vendosur me plan ushtarak dhe politik nga shteti serb. Ne të burgosurit të vendosur në të gjitha pavijonet e burgut me shpërthimin e granatave të NATO-s mbi burgun u hap mundësi e mirë planifikuar që të bëhet vrasjet që të bëhet krimi.
Atë që nuk e bëri NATO-ka, fillojnë ta realizojnë skenarin kriminal policia dhe ushtria serbe me gardianet e burgut dhe me keq dhe me serbet qe ishin te burgosur aty se bashku.
Këta së bashku më 22 maj 1999 në këtë fushë këtu ku po e zbulojmë këtë promemorie politike, lapidarë për të vrarët, të plagosurit, dhe të mbijetuarit, nga ky karakoll këtu lartë, atë mëngjes të hershëm maji, dëgjohen britmat e zërit të gardianit serb: të gjithë të burgosurit duhet të mblidhen këtu të numërohen se duhet te shkojmë nga këtu për Nish, se këtu s’ka kushte me qëndruar më.
Dhe të burgosurit shqiptar shumicë absolute mblidhemi këtu dhe sapo mblidhemi fillojnë breshëritë plumbave dhe buçima e pushka mitralozit mbi të burgosurit shqiptarë, pastaj fillojnë gjuajtjet dhe nga muret anash me bomba, me tromblona, me zolla, me minahedhës mbi të burgosurit, këtu atë dite u bë tym e mjegull nga gjuajtjet e predhave, që ranë përtokë mes krismave, pa kokë të burgosurit e koleget tanë.
Një pjesë kemi shpëtuar duke ikur zvarrë deri tek bregu këtu dhe pastaj , duke u fshehur pas mureve të ndërtesave.
Po atje poshtë në dy karakollët, skaj me skaj ishin të vendosur snajpëristët dhe kush kalonte rrugën poshtë nga kuzhina ata e vrisnin.
Kjo gjuajtje policisë serbe me arsenalin e armatimit që kishin, sa zgjati që askush nuk e din se sa ka zgjatur, nuk u besonim syve na ushtonin veshët nga predhat, kjo ishte ngjarje e tmerrshme, që pas Aushficit dhe Mathuazenit, që kemi lexuar nëpër libra e parë në filma, as regjisorët me fame botërore nuk kane imagjinatë ta imagjinojnë për skenarë të filmave…
Është ngjarja më kriminale në histori, që pas Luftës së Dytë Botërore, kjo ishte një lojë mbi të burgosurit dhe korrje e trupave të kolegëve tanë që la të shtrirë mbi gjakun që ecte mbi tokë e për tokë të masakruar e të gjymtuar mbi 120 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur dhe dy të burgosur nga tmerri që përjetuan e varrën veten që vdekjen mos ta shohin me sy.
Kjo vrasje shtetërore, ky gjenocid i shtetit serbe, kjo masakër mbi të burgosurit politikë shqiptarë, të burgosurve ushtarë të UÇK-së dhe të burgosurve shqiptarë si komb shqiptar, është gjenocidi e krimi që se mban mend me historia njerëzore. Është shkelje e të gjitha konventave të luftës.
Kjo ishte një hakmarrje shtetërore e Serbisë kundër kombit shqiptar dhe kundër bashkësisë ndërkombëtare.
Ne sot të mbijetuarit e këtij gjenocidi kërkojmë nga institucionet e Republikës se Kosovës të trajtohet masakra në burgun e Dubravës e bërë më 19/24 maj 1999 nga gardianët, policët, ushtarët dhe të burgosurit serb mbi të burgosurit shqiptar.
Ne mendojmë se qëllimi i masakrës ka qenë i planifikuar dhe i përgatitur mirë nga shteti serb, që nga udhëheqja qendrore e Serbisë deri të gardianët e burgut ne Dubravë.
Këtë e dëshmon mbledhja e të burgosurve në burgun e Dubravës, që na sollën aty, së bashku mua me 64 të burgosur nga burgu i Mitrovicës së Sremit, dhe nga burgjet e Nishit, Prizreni, Gjilani, Prishtina, Peja dhe të zënë robër lufte nga Suhareka, Gjakova dhe e tërë Kosova, ku na mblodhën nga 15 marsi 1999 deri kah mesi i majit 1999 në burgun e Dubravës mbi 960 të burgosur.
E nderuara ministre e Drejtësisë, në shoqata e të burgosurve politikë kemi kallëzimin penal atëherë në Prokurorinë e Pejës më 19 janar 2007, që ka për qellim që të gjykojë kriminelët serbë dhe shtetin e Serbisë për gjenocidin dhe krimin në burgje.
Se vrasjet u bën nga ata nga shteti që kishin marrë përgjegjësi të na mbrojnë në bazë të konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të burgosurve dhe pengjeve të luftës, por këta kriminelë na sulmuan dhe na vranë pa pyetur fare për konventa e ligje lufte, gjë që kjo është një masakër e gjenocid i shtetit serb kundër të burgosurve shqiptar.
Të nderuar familjarë jo vetëm kaq, nuk mundem të mbi kaloni masakrën në burgun e Dubravës pa e ditë se ku është profesori Ukshin Hoti.
Të gjithë të mbijetuarit e masakrës se burgut të Dubravës e dinë se në këtë burg ka qenë Ukshin Hoti. Dhe të gjithë e din se Ukshin Hotin e ka marrë nga dhoma e burgut gardiani Branko Komatina.
Të gjithë e dinë se në këtë burg ka qenë përgjegjës drejtor Aleksandër Rakoçeviq – Aca, (pas luftës ka qenë drejtor edhe në CZ apo në burgun qendror në Beograd).
Të gjithë e dinë se komandant burgu ka qenë Miodrag Vidiç i Miki. Këta të dy, Aca dhe Miki së bashku me mbikëqyrësin e burgut Branko Komatina e dinë se ku është dhe cili është a po ka qenë fati i Ukshin Hotit pas daljes nga burgu më 16 maj 1999.
Këta janë përgjegjës drejtpërdrejt për jetën a vdekjen e Ukshin Hotit.
Pra nxjerrja e Ukshin Hotit nga burgu nga gardianët e burgut të zhduket dhe mos të përgjigjet askush nga ta, ky është krim që ndëshkohet me të gjitha ligjet ndërkombëtare dhe konventat mbi të drejtat e të burgosurve dhe pengjet e luftës.
Andaj këta kriminelë duhet të arrestohen të gjykohen dhe të marrin dënimin e merituar.
Të nderuar familjarë, për këtë masakër ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës, asnjë qeveri e jona nuk ka bërë asgjë, kanë heshtur të gjithë me qellim apo pa qellim, por as ndërkombëtarët nuk kanë bërë asgjë, kanë heshtë të gjithë.
Po për këtë masakrën në Burgun e Dubravës nuk ka qarë kokën as Prokuroria e qarkut në Pejë, që 14 vite, që kur e kemi bërë publike kallëzimin penal në emër të Shoqatës së Burgosurve Politikë të Kosovës, më 19 janar 2007. Për 14 vjet është heshtur kjo masakër dhe ky kallëzim penal në këtë prokurori.
Dhe po kërkojë në emër të gjithë të mbijetuarave nga Ministria e Drejtësisë të na jap shpjegim, dhe të kërkon nga Prokuroria e qarkut në Pejë se pse për këtë kallëzim penal nuk është ngre aktakuzë kundër kriminelëve serbë për krime lufte në Burgun e Dubravës, ndaj të burgosurve shqiptarë, të paditur nga Shoqata e Burgosurve Politikë që nga 19 janar 2007, që dëshmohet me fakte e fotografi të fotografuara në vendin e krimit të kriminelëve dhe me dëshmitë mbi 40 të burgosurve?
Pse dhe shumë pse ka në jetë, po të shpresojmë që kjo qeveri do ta zgjidhë këtë pse të madhe për këtë gjenocid. Nuk duhet të heshtet para krimit.
Prokuroria jonë ka heshtur deri më tani, ashtu mendojë unë me sugjerime të miqve ndërkombëtarë, duke besuar të krijojnë pajtim në mes të shqiptarëve dhe serbëve, duke harruar atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
Po pajtimi nuk mund të krijohet nëse nuk dënohet ai që ka bërë krim dhe kriminelët që e kanë bërë krimin.
Dhe, në këtë drejtim mund të bëjë pyetje ministrit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme se sa kriminelë janë dënuar për krimet e masakrat që janë bërë në Kosovë? Se sa kriminelë janë dënuar për masakrën në burgun e Dubravës?
Pra mund të them se asnjë.
Në këtë masakër në burgun e Dubravës ka marrë pjesë drejtpërdrejti shteti serb me ushtrinë e policinë, kanë marrë pjesë gardianët e burgut me komandantët e tyre, sepse shteti serb na kishte marrë në mbrojtje në burgje që duhej të garantonte jetën tonë në bazë të konventave ndërkombëtare për trajtimin e robërve te luftës, por shteti serb na vrau e masakroi dhe i shkeli këto konventa ndërkombëtare.
Të nderuar familjarë, ne kemi bërë kallëzimin penal. Kem bërë publike emrat e kriminelëve. Kemi prezantuar me fakte e fotografi kriminelët me armë, me pushkë dhe marrje në shënjestër, duke vrarë shqiptarë në burgun e Dubravës, sot duke fol ne këtu para jush në kokën time me dalin skenat e ngjarjeve të tmerrshme dhe pamje të frikshme, të burgosur duke kërkuar ndihmë, duke kërkuar ujë në ketë fushë.
Ajo që është bërë nga ajo kohë deri me sot është botimin i libri për masakrën në burgun e Dubravës nga ministri Hajredin Kuçi atëherë, që e falënderojë shumë dhe sot ky lapidar që u ngritë nga Qeveria Haradinaj.
Ky lapidar do t’ju shërbejë së bashku me këtë libër gjeneratave e brezave të ardhshëm, studiueseve, artistëve dhe skenaristëve e regjisorëve për të krijuar filma, po mbi të gjitha do t’i shërbejë kujtesës se popullit, familjeve tona, fëmijëve tanë që prindërit e tyre kanë kaluar nëpër kalavarët e tmerrit, të krimit, të gjenocidit në këtë burg, për lirinë, çlirimin e vendit dhe për të ndërtuar shtetin tonë, ëndërr e gjeneratave e gjak i derdhur gjatë historisë se liria jonë rrënjët i ka në gjak i mbledhur në breza me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duhet të dinë të gjithë të djathtë e majtë të kuq e të zi, se ky gjak këtu është dëshmi se lirinë e kemi fituar me gjak dhe askush nuk na ka falur dhuratë.
Dhe kjo dëshmon karakterin e fortë të popullit tonë në histori të lidhur fortë me tokën me tokën e shenjtë Kosovën.
Këta emra që janë të skalitur në mermer në këtë promemorie politike do jetë dëshmi e gjallë që kriminelët e luftës, shteti ynë kurrë nuk do t’i falë.
Dhe në fund, të nderuar familjarë ky lapidar dëshmon krimin e gjenocidin serb dhe ne të mbijetuarit e kësaj masakre kërkojmë asgjë me shume vetëm, drejtësi dhe gjykim te kriminelëve e shtetit te Serbisë.
Lavdi të rënëve te burgosur në burgun e Dubravës!
Nderim e respekt për të burgosurit e mbijetuar!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës!