Nait Hasani merr detyrën e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur të hënën në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.
Pasi e ka uruar për marrjen e detyrës, presidenti Meta e ka siguruar ambasadorin Hasani për mbështetjen e plotë në kryerjen me sukses të misionit të tij në Tiranë.
Meta ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, si tregues i maturisë politike, demokratike e institucionale të Kosovës.
Presidenti Meta është shprehur se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe ka vlerësuar se bashkëpunimi midis dy vendeve është stabilizues për rajonin dhe motivues për perspektivën euroatlantike.
“Liberalizimin i vizave për qytetarët e Kosovës është i domosdoshëm, dhe duhet të realizohet sa më parë”, ka thënë Meta.
/Epoka e re/