Nait Hasani: Obelisku në Gërlicë dëshmon historinë e luftës së UÇK-së
Njëri ndër themeluesit e UÇK-së, ish-i burgosuri politik, deputeti e ambasadori Nait Hasani ka marrë pjesë ne zbulimin e Obeliskut të pjesëmarrësve të parë të aksionit të armatosur; Ferat Shala, Afrim Nuha, Idriz Hajdari dhe dëshmori e Heroi i Kosovës Rexhep Bislimi, në Gerlicë të Ferizajt, me ç ‘rast ka mbajtur edhe një fjalim para të pranishmëve.
Fjala e plotë e Nait Hasanit:
E nderuara familja e Rexhep Bislimit,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar familje të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së,
Të nderuar pjesëmarrës të aksionit të parë të armatosur; Ferat Shala, Afrim Nuha, Idriz Hajdari dhe dëshmori e Heroi i Kosovës Rexhep Bislimi.
Sa më larg në vite të ngjarjeve të zhvilluara të asaj kohe të luftës sonë për çlirim, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aq më të rëndësishme po vlerësohen e do të vlerësohet lufta jonë, guximi, vendosmëria, dhe largpamësia e veprimit ushtarak të zgjidhjes së çështjes së Kosovës me luftë të armatosur për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.
Nga sot kanë kaluar shumë vite nga dita e aksionit të përgjithshëm të armatosur në gjithë Kosovën, por kjo ditë tregon seriozitetin e luftës sonë, vendosmërinë e djemve tanë, për të kapur armët dhe me to për të luftuar e fituar lirinë dhe çliruar Kosovën.
Djemtë si Rexha (Rexhep Bislimi), Veziri tashmë dëshmorë e heronj të Kosovës dhe Xhaviti veteran tashme ë ndjerë dhe të gjallët e atyre betejave të luftës sonë heroike që vendit e popullit tonë i dhanë lirinë, çlirimin, e popullit ja kthyen krenarinë, dinjitetin dhe na bënë të nderuar e të vlerësuar mes kombeve që e duan dhe e mbrojnë lirinë e fituar me gjak, por që sot fëmijët tanë në Kosovë e gëzojnë këtë liri, të fituar nga heronjtë tanë të gjallë që shpallën pavarësinë dhe ndërtuan shtetin.
Lirinë tonë të fituar në beteja të përgjakshme e tashme pas njëzet viteve jemi duke luftuar me mbrojte lirinë tonë të fituar me mund, vuajte e burgje dhe sakrificë dhe gjak te brezave për liri në gjykatën speciale në Hagë. Gjykate e krijuar padrejtësisht e fabrikuar me akuzat e Serbisë dhe presionin ndërkombëtar.
Kjo prokurori na çuan “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ashtu e ka parafrazua në pikën e 35-të ku të gjithë luftëtarët janë “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, nga Shtabi i Përgjithshëm deri te ushtari i fundit dhe qeveria e përkohshme e dalë nga lufta jonë e UÇK-së, këtë e dëshmon pika e aktakuzës që është tashmë publike. Pra nëse ne nuk e mbrojmë luftën tonë si veteran si luftëtar si shqiptar, ata gjykata do te përpiqet që luftës sonë t’ia ndërroj karakterin e luftës çlirimtare me ndihmën e Serbisë.
Kurse bisedime me Serbin që sa vite janë duke u zhvilluar e dëshmojnë lojrat politike kinse për normalizim e bëjnë dhe më të rëndësishme luftën tonë për liri.
Sot shoqëria jonë akoma jeton me iluzione duke mos e vlerësuar luftën e djemve tanë, duke mos i vlerësuar të gjallët, veteranet e asaj lufte për çlirim e liri të Kosovës dhe një pjesë mendon se liria na ka ardhur dhuratë nga të huajt.
Liria jonë ka ardhur si rezultat i përpjekjeve shekullore të gjyshërve, prindërve dhe djemve tanë dhe pa luftën tone, pa gjakun e dëshmorëve dhe vazhdimin e luftës nga këta te gjallët qe sot janë veteran te asaj lufte dhe te atyre betejave, Kosova do te ishte akoma e pushtuar dhe nën Serbi.
Dhe pas kaq viteve djemtë tanë, drejtuesit e luftës përballen në gjykata me padrejtësinë dhe absurditetin e saj, duke na bërë bashkë si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. Na kemi luftuar kundër Serbisë me çliruar Kosovën me të gjitha mjetet e mundshme.
Sot duke u rikthyer në kohë kanë kaluar rreth 26 vite që kur e njoha Rexhën, Rexhep Bislimin. Ato ditë i kujtoj si sot dhe më rrinë në kujtesën time. Atë e takova këtu në Ferizaj. Atë e pash këtu në këtë qytet. E pash dhe e gjeta këtu tek ju, në gjendje gatishmërie në mbrojtje të idealeve të lirisë, i gatshëm të përballet me sfidat e kohës në mbrojtjen e çështjes së Kosovës, i gatshëm të merr përgjegjësi mbi vete për luftën, për çlirimin e Kosovës nga Serbia, i gatshëm në çdo pikëpamje fizike e psikike që të lufton, në luftën tonë, liri a vdekje.
Për këto situata e sfida politike e ushtarake, Rexha ishte pjekur që me kohë. Që nga koha e rinisë së tij, që nga demonstratat e viteve ‘81, ‘90, që nga protestat e ndryshme që zhvilloheshin në Kosovë, që nga arrestimi i tij politik i viteve të tetëdhjeta dhe sidomos ai, Rexha ishte pjekur e përgatitur politikisht në idealet e lirisë nga Ekrem Jashari, baca Ekrem njeriu qe i dha frymë e shpirt këtij vendi, që ia kushtojë dijen dhe jetën atdheut dhe Kosovës, që dha pasurinë e tij për lirinë e Kosovës, po që më së shumti i dha zjarr luftës për liri, që i dha shpirt e zjarr Ferizajt për çlirimin nga okupimi shekullor serb, që me punën e tij, me angazhimet e tij jo vetëm në Ferizaj e Kosovë, po edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri të bacës Ekrem dhe nën kujdesin e tij e në bashkëpunim të ngushtë Rexha e Vezir Jashari me Xhavit Gashin me bacën Ekrem u bënë dhe njerëzit e parë në Ferizaj e rrethinë që e fuqizuan i dhanë gjak e shpirt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë frymë lirie në fillim të vitit nëntëdhjetë e gjashtë e gjeta te Rexha me shokë në Ferizaj të gatshëm të kapë Pushkën e Lirisë për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Në këtë takim erdhëm së bashku me gjeneral Rexhep Selimin, tashme ai po gjykohet në Hagë, për luftën, për UÇK-në, me porosi të bacës Ekrem.
Atë pasdite pranvere e takuam te shtëpia Rexhen aty ku na priste sipas porosisë e marrëveshjes me bacën Ekrem. Atë ditë folëm shkurt sa për njohje dhe e lamë takimin. Po ditën tjetër të takimit folëm për çdo gjë, folëm për UÇK-në, folëm për angazhimet tona, folëm për aksionet tona, folëm për veprimet tona, që duhen marrë kundër policisë e makinerisë policore e ushtarake serbe, folëm për përgatitjet që duhet bërë, folëm për jetën tonë politike dhe gjendjen tonë si shqiptarë në Kosovë ku gjendemi dhe u dakorduam se vetëm lufta jonë mund të na shpëtoj nga kjo gjendje, vuajtje e mjerimi dhe pasigurie e tmerri, lemerie e frike ku ishte e katandisur Kosova, në atë kohë, nën regjimin e hekurt të Millosheviqit dhe të politikës së pritjes, politikës pacifiste, që ishte mbyllur me frikë në vete e që priste çdo gjë që mund të vijë nga miqtë pa bërë gjë vetë për lirinë, ku në këtë gjendje politike fatkeqësisht atëherë kishin ra edhe disa shokë tanë, bashkëvuajtës nëpër burgjet serbe, të cilët kishin humb shpresën e besimin në vete, në rininë tonë, në fuqinë tonë si popull që mund të luftoj për lirinë e vendit.
Po Rexha në këtë vorbull politike nuk kishte humbë shpresën e as besimin në vete, as në popull, as në rininë, po ai Rexha me shokë priste me shpresë se vendimet e LPK-së, për veprime ushtarake do të mobilizojnë shqiptarët. Dhe ato vendime të LPK-së te njerëzit liridashës që ishin në Kosovë dhe te njerëzit e pakënaqur që kishte shumë në Kosovë u krijuan grupet dhe njësitet e armatosura ushtarake të cilat me përpjekje mbinjerëzore u bashkuan në një organizëm të vetëm ushtarak në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kurse lajmin se UÇK-ja është ushtri e jonë shqiptare, Rexha e priti me gëzim e besim, me shpresë dhe emocion në vete që shprehej në sy që i shkëlqenin, sepse shumë kishin hapë propaganda se në veprimet e UÇK-së, janë serbët, që po i bëjnë këto veprime për të dëmtuar imazhin e politikës pacifiste të Kosovës.
Ky lajm se unë dhe ne jemi UÇK, ishte një lajm që e përpiu Rexha dhe me fjalët e tij të thëna në ato qaste ishin aq të forta, aq njerëzorë, aq liridashëse, aq burrërore, unë jam ushtar i UÇK-së, tha me plotë gojë e me shpirt, nga sot dhe jam gatshëm ta jap jetën për çlirimin e Kosovës dhe nëse është nevoja për atdhe edhe familjen e sakrifikoj për këtë vend, për lirinë e Kosovës dhe shtrëngoi fort në dorë, pushkën e UÇK-së që i dhash unë, pushkën e lirisë, që krismat e saj ia futi tmerrin përgjithmonë Serbisë dhe me armët tona e larguam makinerinë gjakatare serbe me forcë nga Kosova.
Ndërsa ne sot e përurojmë Obeliskun e këtij aksioni ne pikën me të rëndësishme të kohës ku rrinin policia Serbe, pikë që ka tmerruar me dhunën e terrorin qytarët e kësaj ane dhe të gjithë Kosovës, aksion që ju ka treguar se Kosova ka djem e vajza që i dalin zot vendit dhe japin jetë për këtë vend dhe për lirinë e këtij trolli.
Ky obelisk me emrat e heronjve të gjallë; Ferat Shala, Afrim Nuha dhe Idriz Hajdari me Heroin e Kosovës, Rexhp Bislimi do të jetë një shenjë në kohë i luftës sonë dhe do tua tregoj brezave për betejat dhe ngjarjet e luftës sonë shekullore për liri.
Tashme është koha që në shkollat tona të mësojnë nxënësit për historinë dhe betejat e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mësojnë dhe për të gjallët për ata që ja kthyen dinjitetin e krenarinë këtij vendi e Kosovës. Të mësojnë për heronjtë, për dëshmorët, për luftën tonë Çlirimtare dhe për këta luftëtar të gjallë që sot si këtu dhe në Hagë janë në mbrojtje të lirisë sonë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Respekt e nderime Luftës së UÇK-së,
Respekt e veteraneve e invalidëve të UÇK-së që gjymtyrët lanë neper fushëbeteja për liri,
Lavdi dëshmorëve që gjaku i tyre u be dritë në altarin e lirisë!
Nderime aksionisteve të parë në këtë anë në fillet e luftës sonë!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na dha emër e dinjitet e qe sot ne Kosove, falë kësaj Ushtrie jemi, Shqiptar!