Nait Hasani: Shoku im Kadri, mbaje kokën lart, çlirimtarët nuk ka gjyq e gjykatë që i dënon
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka reaguar pas thirrjes së intervistimit nga Gjykata Speciale për kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Hasani përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se asnjë gjykatë nuk mund ta gjykojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht ftesave për intervista e gjykime politike me akuza serbe.
“Lufta jonë ishte e drejtë, e pastër e çlirimtare në bazë të të gjitha konventave ndërkombëtare”, ka shkruar Nait Hasani.
Shkrimi i plotë i Nait Hasanit:
Gjykata Speciale dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Shoku im i dashur, bashkëluftëtari im Kadri.
Ne bashkë me shumë shokë luftuam për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi kolonialist serb, që për njëqindë vite na mbajti të shtypur, të robëruar e nëpërkëmbur, të torturuar fizikishtë e shpirtërisht e duke na vrarë me gra e fëmijë, pleq e plaka, duke na shpërngulur nga tokat tona me forcë e terror, nëpër borë e shi me fëmijë të ngrirë rrugëve të kombit tonë Shqiptarë, duke na pushtuar nëpër shekuj pjesë – pjesë deri në shfarrosje, ndërsa fuqitë evropiane të kohës heshtnin duke bërë sehire.
Në fund shekullin që lamë pas, për ti dal në mbrojtje popullit tonë nga shfarrosja etnike nga masakrat e ushtrisë e policisë serbe, qe ushtria serbe veç bënte në Bosnje e Hercegovin dhe Kroaci, në vitet nëntëdhjeta dhe ne populli Shqiptarë në Kosovë, formuam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të mbrojtur e çliruar Kosovën dhe tokat tona Shqiptare, që ishin të shtypura e të pushtuara nga Serbia, që me të gjitha mjetet luftarake bënte gjenocid ndaj një populli të pambrojtur, për një shekull kundër Shqiptarëve nën Jugosllavin fashiste.
Dhe ne, ja arritëm e çliruam Kosovën nga pushtimi kolonial Serb.
Por, ne ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën tonë nuk e bëmë kundër qytetarëve serb, që kanë jetuar e jetojnë në Kosovë. Luftën tonë të shenjtë e bëm kundër kriminelëve e makinerisë ushtarake shtetërore serbe, që masakroi popullin tonë autokton ndër shekuj.
Lufta jonë ishte e drejtë, e pastër e çlirimtare në bazë të të gjitha konventave ndërkombëtare.
Prandaj, asnjë gjykatë Speciale nuk mund ta gjykoj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht ftesave për intervista e gjykime politike me akuza serbe.
Shoku im Kadri, mbaje kokën lartë, je çlirimtar dhe çlirimtarët nuk ka gjyq e gjykatë që i dënon, kur luftojnë për çlirimin dhe lirinë e kombit të vet.
Të njoh, ashtu siç dhe të kam njohur, qëndro ballëlartë përballë drejtësisë selektive evropiane, në mbrojtjen e luftës sonë Çlirimtare, për lirinë e kombit tonë.
Ushtira Çlirimtare është vlerë kombëtare e kombit tonë dhe nuk ka mundësi askush ta gjykoj këtë vlerë të shenjtë kombëtare.
Dalësh faqebardhë Kadri, të presim ÇLIRIMTAR !