Nait Hasani viziton krerët e UÇK-së në Hagë, Rexhep Selimit ia uron ditëlindjen
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri dhe ish deputeti i PDK-së, Nait Hasani përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook ka njoftuar se është duke qëndruar në Hagë ku është duke i vizituar një nga një ish pjesëtarët e UÇK-së që po qëndrojnë në paraburgim.
Sipas Hasanit, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Sali Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati e Pjetër Shala janë aty për shkak të akuzave të fabrikuara nga raporti politik i Dick Martit, akuza të cilat do të bien poshtë që të gjitha, sepse lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër si loti.
Hasani ka filluar vizitën e tij të martën dhe do të qëndroj deri të premten në Hagë. E veçanta e kësaj vizite është edhe ditëlindja e Rexhep Selimit, ish bashkëluftëtarit e bashkëveprimtarit të tij. “Me një përqafim, sot në burgun e Hagës, ta urova datëlindjen, që për mua që kisha përjetuar burgjet Serbe, ishte një ndjenjë e veçantë në këso kushte, të uroja ty datëlindjen”, ka shkruar Hasani.
Postimi i plotë i Nait Hasanit:
Urime datëlindjen Rexhë !
Me një përqafim, sot në burgun e Hagës, ta urova datëlindjen, që për mua që kisha përjetuar burgjet Serbe, ishte një ndjenjë e veçantë në këso kushte, të uroja ty datëlindjen.
Ti luftëtarë i lirisë shkrove historinë në fushëbeteja dhe e bëre atdheun me datëlindje, duke e çliruar atdheun nga pushtimi kolonial Serb.
Festimi në burgje i datëlindjeve të çlirimtarëve tregon padrejtësitë politike e historike të kohës dhe ndërgjegjësimin tonë kombëtar.
Mbahu çlirimtar, se liria jonë ka një emër, emrin tënd, atë që e shkrove Ti në luftë me Adem Jasharin, dhe përfundove luftën me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-n e Wesly Clark.
Atdheut i mungon Rexhë, atdheu të pret, ka nevojë për ty !
Urime bashkëluftëtari im Rexhë, urime datëlindjen “Dhjetësh”!