Nait Hasani: Vota ime kuptohet kur të votohet për demarkacionin
Kuvendi i Kosovës të martën e javës së ardhshme do të mbajë seancën për të ratifikuar Demarkacionin për kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Votat për këtë çështje nuk janë bërë ende publike.
Ajo që dihet deri me tash është se për t’u ratifikuar Demarkacioni duhen 80 vota, pozita deri më tash i ka të sigurta 79 vota. Por, dilema për votën e deputetit Nait Hasani ende ekziston.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se nuk i ka të gjithë deputetët që do t’ia votojnë demarkacionin, ani pse kreu i partisë, Kadri Veseli, gjatë tërë kohës po thotë se partia e tij do të votojë komplet marrëveshjen për demarkacionin.
Deputeti i kësaj partie, Nait Hasani vazhdon me avazin e vjetër, duke treguar se ai vepron në bazë të qëndrimeve të veta dhe jo të partisë.
Hasani në një deklaratë për “Express” ka lënë të nënkuptohet se ende s’ka vendosur se si do të votojë të martën.
“Nuk kam qëndrim ende. Vota është individuale dhe nuk bëhet publike. Do të veproj në bazë të qëndrimeve të mija. Nuk dua edhe të deklarohem se a do ta votoj apo jo, kjo pasi vota do të jetë e fshehtë”, ka thënë deputeti Nait Hasani.