Naiviteti ideologjik dhe egoizmi ekonomik i perëndimit e prodhuan monstrumin e ri rus
Përveç doktrinës naive neokonservatore sipas të cilës armiku numër një i Perëndimit më nuk ishte Rusia, po ishte Islami, ndikim në qëndrimin e butë ndaj Rusisë kanë pasur thjesht interesat egoiste të Bashkimit Evropian, me theks të veçantë të Gjermanisë.
Milazim KRASNIQI
Goditjet hakmarrëse ruse kundër ambicieve dhe interesave të Perëndimit në hapësirat ish sovjetike, ndonëse kanë filluar me aksione të kufizuara, fillimisht në Çeçeni më vonë në Gjeorgji e Ukrainë, që nga fillimi lehësisht kanë mundur të kuptoheshin si tentativë për ta rikthyer fuqinë ruse dhe diktatin e saj në skenën ndërkombëtare. Brutaliteti gjenocidal në Çeçeni ka mundur të kuptohej shume lehtë si fillimi i rikthimit të Rusisë në politikat e saj imperiale e gjenocidale, ku nuk pyetet për viktima e për të drejtën humanitare, që është një praktikë e rrënjosur në politikat shtetërore ruse qindravjeçare. Nëse shërbimet perëndimore kanë pasur vëshirësi në detektimin e synimeve imperiale e gjenocidale ruse në Çeçeni, kanë mjaftuar artikujt e Ana Politkovskajës, që të kuptohej se Rusia me udhëheqësin e ri, Vladimir Putinin, kishte filluar një operacion të pacifikimit me çdo çmim të Çeçenisë dhe të dhënies së mesazhit se ajo Rusia e vjetër, hakmarrëse, e pa asnjë mëshirë, po rikthehej.
Trajtimi i Rusisë si trajitmi i ariut të zbutur ishte gabim
Edhe pse në vitet 1999-2000, Rusia demonstroi brutalitetin dhe egërsinë që ishte shkelje e konventës kundër krimit të gjenmocidit dhe e çdo konvente të të drejtave të njeriut, me sulmet joselektive kundër civilëve, Perëndimi qëndroi stoikisht indiferent ndaj asaj kasaphaneje që bëri Rusia kundër çeçenëve. Pamjet e Groznit të shkrumbuar nuk nxitën asnjë lloj aksioni serioz diplomatik e aq më pak ushtarak. Ndërsa ai ishte momenti ideal që të ndihmohej një lëzivje e fuqishme nacionale joruse brenda vetë Rusisë, për t’ia futur pykat e shpërbërjes atij megashteti, që edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, prapë kishte mbetur një gjigand i frikshëm. Ishte koha ideale që etnitë dhe kombet joruse, që ishin brenda shtetit rus, të ndihmoheshin që të çliroheshin nga prangat ruse dhe ta fitonin pavarësinë e vet. Sipas disa të dhënave, në Rusi jetojnë mbi tridhjetë e pesë milionë muslimanë, në kuadër të shifrës prej njëqind e dyzet milionë banoresh, sa ka gjithsej Rusia. Në vend se të koncentrohej në ndihma ndaj aspiratave të tyre çlirimtare, Perëndimi ata i injoroi tërësisht. Arsyeja ishte ideologjike: në lëvizjen nacionale çeçene ishin infiltruar edhe rryma ekstremiste, të cilat nga Perëndimi konsideroheshin armiqësore. Si duket u llogaritë se më mirë ishte që ato lëvizje të shkatërroheshin me dorën e pamëshirshme ruse. Kishte edhe një rrethanë psikologjike për atë qëndrim: Perëndimi në ato vite ishte i bindur se e kishte mposhtur Rusinë dhe po i gëzonte fitoret e Luftës së Ftoftë, të cilën siç thotë një diplomat, e kishte fituar pa e shkrepur asnjë plumb. Pra, në vend se të shfrytëzohej e njëjta strategji, që ishte përdorë në Afganistan, kundër pushtimit rus, duke sponsorizuar edhe individë e organizata problematike, me qëllim final mposhtjen e BRSS-së, në rastin çeçen ishte hequr dorë nga ajo strategji. Në esencë, ishte menduar naivisht se ariu rus ishte zbutur njëfarësoj.
Nga ana tjetër, pas rënies së komunizmit, bile edhe para sulmeve terroriste të shtatorit 2001, kishte filluar të shpalosej doktrina neokonservatore, sipas të cilës armiku numër një tashmë kishte mbetur Islami, jo Rusia. M e këso kalkulimesh ideologjike, Perëndimi filloi madje ta ndihmonte Rusinë e ta trajtonte si partner të besueshëm e të privilegjuar, që ta përdorte në kryqazatën e vet antimuslimane. Si simbol i gjithë atij mirëbesimi ndaj Rusisë në ato vite, mund të evokohet vizita e Vlladimir Putinit në rançin e Bushëve, në Kenebankport në korrik të vitit 2007, ku bashkë me qenin e tij, u nderua si mik shtëpie. Pra, brenda asaj strategjie të re neokonseravtore, Perëndimi thjesht i pati mbyllë sytë ndaj kasaphanës që bëri Rusia kundër çeçenëve.
Sigurisht që trauma nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në territorin e SHBA-së, të organizuara nga organizata terroriste, Al Kaida, kishin lënë vrragë të thella në politikën amerikane dhe perëndimore. Si reagim ndaj atij sulmi barbar, SHBA e filloi një kryqëzatë të përbindshme, me intervenim ushtarak në shtetin e dështuar të Afganistanit. Si për të mos mjaftuar përvoja e hidhur në Afganistanin e dështuar, pasoi edhe pushtimi i Irakut të dështuar, gjë që ishte tërësisht në kundërshtim me ligjin ndërkombtar dhe me të drejtën ndërkombtare. Në tërë atë rrëmujë ideologjike, politike e ushtarake, qëllimet e errëta të Rusisë putiniane, u lanë jahstë vëmendjes. Rusia vazhdoi të projektonte hakmarrjen e saj imperiale pothuajse e patrazuar.
“Marrëveshja e Budapestit” dhe varësia nga gazi rus- naivitet dhe egoizëm bashkë
Pas pacifikimit të Çeçenisë në vitin 2000, gjë që sot më së miri shihet në figurën morbide të Ramzan Kadirovit, Rusia iu drejtua në vitin 2008 Gjerogjisë, meqë atje ishin konsoliduar proceset demokratike dhe ishte shpalosur aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Por, nuk qe e thënë të ecej në atë drejtim. Sipas diplomatit amerikan, Xhejms Pardju, intervenimi rus në Gjeorgji pati edhe elemente hakmarrëse ndaj SHBA-së, pas njohjes së Kosovës si shtet në vitin 2008. Xhejms Pardju kujton se diplomati rus Aleksandar Bocan Harqenko (tash ambasador në Serbi) e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se për atë që keni bërë në Kosovë, do të paguani në Gjeorgji. Pas pak ditësh kishte ndodhë ndërhyrja ushtarake ruse në Gjeorgji, e cila më tutje evoluoi ne krijimin e dy sajesave imperiale, Abhazisë dhe Osetisë së Jugut. Perëndimi nuk kishte treguar ndonjë vendosmëri që ta mbronte sovranitetin dhe integritetin e Gjeorgjisë, ndonëse në vitin 2008 Rusia ishte ende e dobët dhe me më shumë varësi ekonomike nga Perëndimi.
Në fakt, vonesat në pranimin e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, zbuluan dobësinë e thellë të Perëndimit, që duke u mbështetur në koncensus, nuk arrinë të pajtohet gati për asgjë. Kjo dobësi e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian dhe NATO-s, u pagua shtrenjtë nga Gjergjia dhe nga Ukraina. Pas pushtimeve të disa territoreve gjeorgjiane, kulminacioni i goditjes hakmarrëse ruse ndaj Perëndimit, ishte aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Ishte një pushtim i ngjashëm me anshlusin e Hitlerit ndaj Austrisë ose edhe me pushtimin e Sudeteve poashtu nga Hitleri. Reagimi i Perëndimit prapë ishte jokoncesual, joefikas. Në rastin e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë pasur obligime të qarta morale e ndërkombëtare ndaj integritetit dhe sovraniteti të Ukrainës. Me Marrëveshjen e Budapestit, (1995), SHBA dhe Britania e Madhe kanë marrë obligime për sigurimin e integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës, me rastin e firmosjes nga ana e saj që tërë arsenalin bërthamor t’ia dorëzonte Rusisë. Në dritën e zhvillimeve të sotme nuk është e qartë pse kanë insistuar ta çarmatosin aleatin e vet, Ukrainën, në favor të armikut të sigurt, Rusisë. Kushdo që e ka hartuar atë politikë të demilitarizimit nuklear të Ukrainës në favor të Rusisë, tashmë duhet ta ketë të qartë se ka qenë naiv dhe jorealist. Pse? Sepse po ta kishte Ukraina arsenalin bërthamor, Rusia nuk do të guxonte të niste agresionin e tashëm ushtarak ndaj saj. Prandaj, zgjerimi i agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, i filluar në 24 shkurt 2022, mund të ilustrohet me titullin e një romani të Markesit “kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar.” Pra, kthimi hakmarrës i Rusisë ka qenë i paralajmëruar.
Pse janë injoruar nga ana e Perëndimit të gjitha ato veprime brutale e gjenocidale të Rusisë në Çeçeni, në Gjeorgji, në Ukrainë e edhe në Siri? Përveç doktrinës naïve neokonservatore sipas të cilës armikun numër një i Perëndimit më nuk ishte Rusia, po ishte Islami, ndikim në qëndrimin e butë ndaj Rusisë kanë pasur thjesht interesat egoiste të Bashkimit Evropian, me theks të veçantë të Gjermanisë. Politika e ish kancelares Angela Merkelit ka qenë fillim e mbarim rusofile, servile dhe e ndytë. Blerja e gazit dhe e naftës ruse me çmime të lira, ka qenë arsyeja e asaj politike të ndytë, e cila u shndërrua në karburant për politikën e re imperialiste të Rusisë së Putinit. Ish kancelarja Merkel ka bllokuar iniciativat për integrimin e Ukrainës e të Gjeorgjisë, siç ka bllokuar edhe proceset e integrimit të Ballkanit Perednimor, vetëm që të kënaqte egon e sëmurë të Putinit dhe si kompensim të kishte Gjermania favore ekonomike. Si simbol i atij egoizmi idiotik të ish kancelares Merkel mbetet gazsjellësi “Rrjedha 2”, i cili nuk u aktivizua ngase në ndërkohë filloi agresioini ushtarak rus në Ukrainë. Por, edhe pa gazsjellësin e bllokuar, varësia e Gjermanisë dhe e shumë shteteve të tjera të Bashkimit Evropian nga gazi dhe nafta ruse dëshmon se ato janë shndërruar në shtete servile e satelite të Rusisë. Nga ana tjetër, Rusia duke marrë miliardë dollarë prej shteteve të Bashkimit Evropian, e ka krijuar mundësinë e financimit të agresioneve të veta ushtarake e synimeve afatgjata imperialiste. Thënë shkurt, këtë Rusi të Putinit, të këtillë si është sot, e ka ndihmuar vetë Perëndimi, që të shndërrohet në monstrum. E ka ndihmuar me naivitetin e vet ideologjik dhe me egoizmin e vet ekonomik. Ideologjia neokonservatore (pa mbetur anash në shumë raste edhe liberalët) sipas të cilës armiku numër një i Perëndimit është Islami, u tregua tërësisht naive. Këtë naivitet ideologjik të Perëndimit, i cili ka frikësuar dhe dëshpëruar muslimanët, e ilustrojnë edhe aleancat e prirjet e sotme proruse të shume shteteve me shumicë muslimane. Poashtu edhe qëndrimi se varësia nga resurset ruse mund të jetë motori i zhvillimit ekonomik në Bashkimin Evropian, duke mbyll sytë para barbarisë rusenë Çeçeni e në Siri, u tregua qasje idiotike.
Armiqësia ruse kundër shqiptarëve po godet përsëri
Deri sa po shkruhet ky tekst, (21 gusht 2022) në territoret shqiptare kanë ndodhë dy zhvillime që e zbulojnë synimin e errët të Rusisë kundër shqiptarëve. E para, në kufirin ndërmjet Serbisë e Kosovës u ndalua një gazetare-spiune ruse, e cila me gjasë po vinte për të bërë mobizimimin e serbëve në pjesën veriore të Kosovës dhe pastaj për raportimin e incidenteve të nxitura prej saj e shërbimit rus. E dyta më 20 gusht 2022 në uzinën ushtarake të Gramshit, një njësit terrorist rus ka sulmuar personelin ushtarak të uzinës, në tentativë që të hynin brenda për ndonjë aksion- diversion. Rastet janë të ndryshme, por të lidhura në një pikë: Rusia vazhdon ta trajtojë kombin shqiptar si armiqësor, si vegël të Perëndimit e të NATO-s prandaj përpiqet të shkaktojë destabilizimin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Mbetet të shihet në ditët në vijim se cilat kanë qenë qëllimet e vërteta të sulmit në uzinën ushtarake të Gramshit, sikundër që mbetet të presim se a do të ketë konflikt në veriun e Kosovës më 1 shtator 2022, për ç’gjë Rusia e Serbia janë mobilizuar gjerësisht. Në fakt, pavarësisht nga zbardhja e këtye dy skenarëve, një skenar mbetet plotësisht i lexueshëm: Rusia do të tentojë të destabilizojë Kosovën me anën e serbëve lokalë, siç bënë edhe kundër Bosnjës me serbët e atjeshëm dhe siç bënë kundër Malit të Zi me serbët e atjeshëm. Këtë skemë e ka aplikuar edhe në Gjeorgji e në Ukrainë, pra, rebelimin e rusëve e prorusëve kundër shtetit, për të krijuar pretekst të ndërhyrjes ushtarake, kur konflikti të gangrenizohet. Kjo skemë tash përdoret plotësisht nga Vuçiqi, i cili i ka marrë nën kontroll të plotë strukturat politike e paramilitare të serbëve në veriun e Kosovës. Vuçiqi ua cakton atyre axhendën dhe format e veprimit politik e paramilitar, njësoj siç bën Putini në Abhazi, në Osetinë e Jugut, në Pridnjestrovle, në Donjeck e në Luhansk. Këtu më nuk ka ndonjë gjë të palexueshme: vetëm varet nga udhëheqësit shtetëror në Kosovë se a dinë të lexojnë skenarin, që u është shpalosur para hundëve. Për hir të së vërtetës duhet të thuhet se në dialogun në Bruksel, Bashkimi Evropian, politikisht është palë e Serbinë në këtë skenar. Kjo paraqet absurd, por është pjesë e absurdit që e karakterizon Bashkimin Evropian në raport me Rusinë, tash dy decenie. Vetë fakti që dialogun e drejtojnë dy diplomat që janë nga shtete që nuk e njohin Kosovën si shtet, ( Borrelli dhe Llajçaku) është tregues i lojës absurde që bën Bashkimi Evropian. Për këtë arsye, Kosova duhet të bëjë shumë kujdes. Partneriteti me SHBA-në e me NATO-n është oksigjeni për pavarësinë e Kosovës. Për pavarësinë që i rrezikohet nga Rusia në rend të parë, si sponsori kryesor i Serbisë dhe si shteti që ka rikthyer ambiciet e veta të dikurshme imperialiste. Tashmë është e sigurt se nga epilogu i luftës në Ukrainë, do të varen shumë edhe zhvillimet në Ballkan, veçmas në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Po edhe në mbarë Evropën, e cila nga naiviteti e egoizmi i pafrenuar, e pati lënë jashtë vëmendjes ariun, që ishte përgjumur vetëm përkohësisht.