Namazi i Kurban Bajramit do të falet në orën 06:03
27 korrik 2020
| 14:07
Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë me dije se do të këtë falje të namazit të Kurban Bajramit të premten, më 31 korrik.
Përmes një njoftimi për medie, BIK-u ka treguar se namazi i Kurban Bajramit të bëhet në orën 06:03.
Sipas BIK-ut, ligjërata (hutbeja) e Kurban Bajramit nuk duhet të zgjasë më tepër se 10 minuta, ndërsa hutbeja e ditës së xhuma nuk duhet të zgjasë më tepër se 5 minuta
Ky është njoftimi i plotë i BIK-ut:
Me rastin e festës së Kurban-Bajramit e cila do të jetë këtë të premte, më datën 31 korrik 2020, duke marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, si dhe në kuadër të marrjes së masave preventive për mospërshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës; Myftiu Tërnava në bazë të kompetencave të tij, sipas nenit 47.1 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës, merr këtë:
V E N D I M
- Nuk do të falet namazi i sabahut në xhami në ditën e Kurban-Bajramit
- Falja e namazit të Kurban-Bajramit do të bëhet në orën 06:03 min.
- Xhemati do të prezantojë në xhami 10 minuta para faljes së namazit të Kurban-Bajramit
- Ligjërata (hutbeja) e Kurban-Bajramit nuk duhet të zgjasë më tepër se 10 minuta, ndërsa hutbeja e ditës së xhuma nuk duhet të zgjasë më tepër se 5 minuta
- Personat zyrtarë të BIK-ut dhe xhemati i xhamive t’u përmbahen me përpikëri rekomandimeve të Bashkësisë Islame të Kosovës, për mbrojtje nga përhapja e virusit:
- Dezinfektimi i duarve
- Bartja e maskës
- Mbajtja e distancës fizike (brenda dhe jashtë xhamisë)
- Kufizimi i numrit të besimtarëve në xhami në 50 persona (ose më pak, varësisht prej hapësirës së xhamisë)
- Mosshfrytëzimi i tualeteve, abdeshaneve dhe banjove të përbashkëta në oborret e xhamive
- Xhemati të marrin sexhade me vete (jo domosdoshmërisht)
- Të mos prezantojnë në xhami personat e moshave mbi 65-vjeçare dhe ata nën moshat 16-vjeçare, si dhe personat me sëmundje kronike, ata që kanë simptoma të virusit dhe çdokush tjetër që dyshon se mund të infektohet nga prezenca në xhami
- Mosshtrëngimi i duarve me njëri-tjetrin me rastin e përshëndetjes dhe të urimit të bajramit
- Moskrijimi i turmave të njerëzve dhe shpërndarja e menjëhershme e xhematit pas hutbes së Bajramit
- Mosorganizimi i pritjes për nder të festës së bajramit në selinë e BIK – ut, e as në selitë e këshillave lokalë
- Për hir të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri ditëve të Kurban-Bajramit.
(M.K / Epoka e re)