Napoli fiton me “poker” ndaj Udinese
Kampionët në fuqi të Napoli kanë treguar “dhëmbët”, në përballjen e kësaj të mërkure, ndaj “bardhezinjve” të Udinese, teksa në “Stadio Diego Armando Maradona” kanë mundur me rezultatin e thellë, 4 me 1, skuadrën e Udinese, në përballjen e vlefshme për javën e 6-të të Serie A.
Sipari i goalve u çel që në minutën e 19’ nga “fantazisti” polak, Piotr Zieliniski, me këtë të fundit që ekzekuton në mënyrë mjeshtërore, një 11-metërsh, për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Vetëm 20 minuta më vonë ka ardhur dhe goli i dytë i sfidës, teksa kësaj here “bomberi” nigerian, Victor Osimhen dërgon në rrjetë një asist të “magjishëm” nga Politano.
Me fillimin e pjesës së dytë, kampionët në fuqi gjetën dhe 2 herë të tjera rrugën e rrjetës, fillimisht me gjeorgjianin, Kvicha Kvaratskhelia, në minutën e 74’ të sfidës e më pas me argjentinasin, Giovanni Simeone, në minutën e 82’, ndërsa goli i “nderit” për miqtë erdhi nga Lazar Samardzic në minutën e 81’-të të sfidës.