Napoli i Amir Rrahmanit shpallet kampion i Italisë pas pritjes 33 vjeçare
Të enjten mbrëma është shkruar histori për Napolin, por edhe për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Skuadra e Napolit ka fituar titullin e kampionit të Serie A.
Kontribut të rëndësishëm në këtë sukses të jashtëzakonshëm ka dhënë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Skena emocionale kanë ofruar tifozët shumë pasionantë të Napolit të enjten mbrëma, ashtu si gjatë gjithë edicionit.
Ata ishin të ndarë në Udine dhe në stadiumin “Diego Armando Maradona”, që ishte i stërmbushur. Mijëra të tjerë kanë festuar rrugëve të qytetit të Napolit. Në fakt festa e napolitanëve ka nisur shumë javë më parë. Kulmin e arriti të enjten mbrëma. Napoli barazoi 1:1 në udhëtim ndaj Udineses, në kuadër të xhiros së 33-të. Por pika e fituar i ka mjaftuar që ta sigurojë titullin e kampionit të Italisë pesë xhiro para fundit. Napoli i ka 80 pikë, 16 më shumë se Lazio e vendit të dytë. Udinese kaloi në epërsi në minutën e 13-të, kur shënoi Sandi Lovriq.
Golin e festës së madhe për Napolin e shënoi Victor Osimhen në minutën e 52-të. Napoli i është gëzuar titullit të parë që nga viti 1990. Titull tjetër kishte fituar edhe në vitin 1987. Ishte koha kur i pazëvendësueshmi Diego Maradona shkëlqente në stadiumet e futbollit italian. Napoli tani nuk ka figurë si Maradona, por ka ekip që ka dominuar plotësisht gjatë tërë edicionit dhe që me meritë fitoi titullin e kampionit.
Pjesë e rëndësishme e ekipit është Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës. Ai është stabilizuar në qendër të mbrojtjes dhe ka shfaqur formë të lartë. Titulli i kampionit për Rrahmanin është kulmi i një karriere në ngritje të vazhdueshme. Ai nisi në klubet prishtinase karrierën e më pas luajti te Drenica. Vazhdoi në Shqipëri, Kroaci dhe shfaqi vlerat në Itali. Me titull të kampionit, Rrahmani do të jetë prej të mëdhenjve të Napolit dhe natyrisht edhe të Kosovës.