
Napoli kthehet te fitorja ndaj Fiorentinës
Napoli ka shënuar fitore ndaj Fiorentinës me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 28 në Serie A.
Napolitanët e nisën ndeshjen shumë mirë duke krijuar raste pafund me Giacomo Raspadorin, Alessandro Buongiornon, Romelu Lukakun dhe Scott McTominay, por dukej se David de Gea kishte krijuar një mur para portës së tij .
Por ky mur u thye në minutën e 26-të, kur Lukaku arriti të shënojë për 1-0, duke i dhënë epërsinë Napolit. Pas golit në minutat e mbetura të pjesës së parë kishte edhe raste të tjera, por rrjetat heshtën.
Në pjesën e dytë rrezikuan Raspadori dhe Amir Rrahmani, por sërish fati nuk ishte me Napolin.
Por Napoli ngriti shifrat në 2-0 në minutën e 60-të, kur Romelu Lukaku asistoi te Giacomo Raspadori që gjeti rrjetën.
Fiorentina u ringjall vetëm pasi pranoi golin e dytë, me Moise Kean që asistoi te Albert Gudmundsson që shënoi për 2-1 në minutën e 66-të.
Deri në fund të dy skuadrat kishin raste, por rrjetat nuk u prekën, duke bërë që Napoli të kthehet te fitorja pas pesë ndeshjeve.
Aktualisht, Interi është lider me 61 pikë, ndërsa Napoli me 60 pikë mban vendin e dytë. Fiorentina mbetet e shtata me 45 pikë.