Napoli përmbys mrekullisht, por Koulibaly i dhuron fitoren Juventusit
Juventusi ka fituar me shumë fat supersfidën e javës së dytë me Napolin me rezultatin 4-3. Ishte një ndeshje e çmendur në “Allianz Stadium” e cila është vendosur nga një autogol i pafat në sekondat e fundit.
Ishte Danilo ai që zhbllokoi rezultatin me topin e parë të prekur teksa u fut në vend të De Sciglios i dëmtuar në minutën e 15’. Braziliani finalizoi një kundërsulm të rrufeshëm të bardhezinjve duke debutuar me gol. Vetëm tre minuta më pas Higuain dyfishon dhe Juve merr frenat e lojës në dorë.
Pas pushimit Ronaldo ka trefishuar dhe gjithçka u duk e mbyllur, por u gabuan. Manolas dhe Lozano kanë rihapur gjithçka me dy gola brenda dy minutave. Meksikani debuton menjëherë me gol, raporton “Telesport”.
Ishte Di Lorenzo ai që ka barazuar rezultatin në minutën e 81’ të takimit teksa ka shtyrë topin në rrjetë me pjesën e brendshme të kofshës. Minutat e fundit ishin të mbushura me emocione të mëdha dhe në minutën e dytë shtesë autogoli i Koulibaly i ka dhënë fitoren vendasve.