Narkoza e vizave – mit apo realitet (7)
Shkruan: Agron HOTI
Kritere kalkulative
Për dallim prej shteteve të tjera që sot gëzojnë liberalizimin e vizave, BE-ja padrejtësisht i vuri Kosovës edhe kriterin e demarkacionit me Malin e Zi, që s’kishte ndodhur me asnjë shtet tjetër të rajonit. Nëse kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë, pse për Kosovën u dyfishuan?! Pse u shtua demarkacioni i cili ishte dërmues për zhvillimet në Kosovë duke polarizuar shoqërinë kosovare deri në përmasa të shpërthimit të luftës qytetare?! Dhe përderisa nuk ratifikohej demarkacioni na thuhej “ju lutem ratifikojeni sa më shpejt atë në mënyrë që të ndodhë liberalizimi” dhe, kur ratifikimi ndodhi, tani na thuhet se s’ka konsensus politik.
Kosova edhe sa u përket procedurave të brendshme të BE-së, pati edhe një hap procedural shtesë, të cilin nuk e kishin të gjitha vendet e rajonit. Sipas Traktatit të Lisbonës, i cili kishte hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2009, roli i Parlamentit Evropian qe fuqizuar në disa procedura legjislative. Përderisa opinioni pozitiv i Parlamentit Evropian për heqje të vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë ka qenë jo-obligativ, kjo me Traktatin e Lisbonës u bë obligative. Pra, Kosova në të gjitha drejtimet e mundshme është përballur dhe po përballet me rritje të kritereve, procedurave dhe vështirësive.
Ajo çfarë është shqetësuese është fakti se BE është shpesh, nëse jo gjithmonë, tepër kalkulative politikisht. Në kohën kur më 1 prill 2009 Shqipëria dhe Kroacia qenë anëtarësuar në NATO, kishte një frikë të paparë brenda BE-së, kryesisht nga aleatë të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, se mos po prishet balanca i fuqisë në Ballkanin Perëndimor. Dhe për të balancuar gjërat BE menjëherë në dhjetor të vitit 2009 me shpejtësi u hoqi vizat këtyre tri shteteve edhe pse këto të fundit linin, dhe ende lënë shumë për të dëshiruar, pikërisht sa i përket sektorit të Sundimit të Ligjit. Madje Serbisë ju hoqën vizat pa e plotësuar kriterin më të rëndë që ishte dorëzimi i kriminelëve të luftës në Tribunalin e Hagës, diçka që Kosova vazhdimisht e ka bërë në mënyrë vullnetare pa asnjë problem.
BE ishte politikisht kalkulative edhe kur pranoi në gjirin e vet Rumaninë dhe Bullgarinë në vitin 2007, shtete këto që edhe sot nuk janë anëtare të Schengenit, pikërisht për faktin se nuk kanë treguar sukses në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, dihet se qëllimi i vërtetë i pranimit të këtyre dy shteteve ishte rreziku i rrëshqitjes së këtyre dy vendeve nën ombrellën ruse. Pra, anëtarësimi ndodhi si kundërpërgjigje ndaj progresit që Rusia po shënonte me Putinin në krye. BE ishte politikisht kalkulative edhe kur pranoi Greqinë në Eurozonë, kur më vonë flitej shumë për manipulimin e të dhënave nga ky shtet, aspekt që u konfirmua me krizën financiare greke së cilës nuk po i shihet fundi as sot.
Gjeopolitikë për viza?!
Nëse BE-ja ka dashur të kalkulojë gjeopolitikisht kur i hoqi vizat Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, vende këto me pjesë territori të pushtuara nga Rusia, pra me siguri të brendshme dhe të jashtme pothuaj zero, atëherë pse nuk kalkuloi njëjtë edhe me Kosovën, kur dihet qartë se Pavarësia e Kosovës, ligjërisht e konfirmuar dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kontribuoi dukshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, kurse NATO, për dallim prej Ukrainës, Gjeorgjisë e Moldavisë garanton sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Kosovës, diçka që nuk e kanë këto shtete.
Se sa është jofunksionale Ukraina, dëshmojnë përpjekjet e pjesës lindore të saj për të organizuar zgjedhje, diçka që është duke e kundërshtuar BE-ja, e duke e mbështetur fuqishëm Rusia. E Ukraina së fundi nxjerr edhe ligj të pakuptueshëm për luftën kundër Rusisë, ndërkohë që gëzon liberalizimin e vizave. Pra, si ka mundësi që Ukraina të gëzojë liberalizimin e vizave, kur ekspansioni rus në këtë shtet pothuaj ka paralizuar çdo gjë?! Pastaj, vizat iu hoqën Kolumbisë që nuk është fare në kontinentin e Evropës, një shtet që qysh prej pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot vetë-terrorizohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, kryesisht nga kartelet e drogës.
Si ka mundësi që mos t’u hiqen vizat qytetarëve të Kosovës, kur Kosova është vendi më proevropian në Evropë (edhe më pro-evropian se vet vendet e BE-së), kur Kosova feston 9 majin, Ditën e Evropës, e asnjë vend i BE-së nuk e feston, kur Kosova ka një popullsi tërësisht të orientuar kah BE më shumë se sa çdo vend tjetër në rajon, kur Kosova ka një diasporë të fuqishme që kontribuon në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendeve të BE-së, ndërkohë që BE ende nuk e njeh zyrtarisht Kosovën?! Vetë fakti që BE nuk e njeh Kosovën tregon për problemet e thella që përshkojnë këtë organizëm rajonal dhe që i bie se edhe BE paska problem, madje dhe më të rënda se sa Kosova.
Vazhdimisht na është thënë që ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe vazhdimisht Kosova ka dëshmuar vullnet për këtë, mirëpo duke pasur parasysh se ky është një proces ku asnjë shtet i vetëm në botë nuk ka mundur të bëjë hapa të mëdhenj për një kohë të shkurtër. Sikur BE të ishte 100 % e pastër, pra me zero korrupsion dhe krim të organizuar, atëherë çdo kritikë do të ishte me vend, por raportet ndërkombëtare dhe mediat me nam botëror, flasin se të gjitha vendet e BE-së dhe tërë botës pa përjashtim kanë korrupsion dhe krim të organizuar, diku më shumë e diku më pak. E nëse kësaj ia shtojmë edhe ekonominë informale brenda BE-së që mesatarisht është afër 20 për qind, atëherë e tëra flet për mungesën e imunitetit të vendeve të BE-së karshi këtyre dukurive.
Përderisa rritja e borxhit publik dhe papunësisë do të mund të sjellë shpejtë recesionin tjetër anembanë BE-së, atëherë si mund të arsyetohet kjo nga BE, a mos paska defiçenca të theksuara në qeverisje edhe brenda BE-së apo ku qenka problemi? Nëse dikush thotë që qeverisjet brenda BE-së janë perfekte, a mund t’i bie kjo sikur Kosova të thoshte se ka qeverisjen më të mirë se sa BE për shkak se ka borxhin publik më të ultin në Evropë, ka sektorin financiar ndër më stabilin në rajon, ka një stabilitet makrofiskal të qëndrueshëm, ka rritjen ekonomike më të lartën në Evropë (sipas Bankës Botërore)?
Absolutisht që nuk mund ta themi, sepse Kosova, edhe pse ka progres në disa segmente të caktuara, është larg mesatares së nivelit të qeverisjes që mbretëron në BE. Poenta këtu nuk është krahasimi i Kosovës me BE-në, sepse jemi ende larg atyre standardeve, por të qenurit kalkulativ duke kërkuar vetëm pika të dobëta nuk është ndonjë masë incentive për të ecur përpara.
Nevoja për vetëkritikë
Kosova vazhdimisht kritikohet nëpër Raporte të Progresit të BE-së për drejtësi të dështuar. Mirëpo, përse as edhe një herë të vetme nuk vetë-reflektoi nëpër këto Raporte të rregullta të Progresit për Kosovën për efektet e vërteta të misionit më të madh të saj në Kosovë, EULEX, që kishte dhe ka për synim fuqizimin e sundimit të ligjit, përfshirë përmirësimin e sistemit të drejtësisë sipas praktikave më të mira dhe standardeve evropiane. E dihet që Kosova këtij misioni i kishte hapur dyert menjëherë pas shpalljes së pavarësisë dhe se qytetarët e Kosovës e meritojnë të informohen qartë me një vetë-kritikë të EULEX-it mbi të arriturat/dështimet e këtij misioni i cili ende vazhdon të operojë në Kosovë.
Pyetja që duhet shtruar është: kush e pengoi EULEX-in që të fuqizojë Sundimin e Ligjit në Kosovë, kur dihet se disponimi dhe pritjet qytetare ishin shumë të mëdha?! Si ka mundësi që Kosova të merr donacione të BE-së më së shumti për kokë banori në Ballkan, të ketë misionin më të madh të BE-së për Sundim të Ligjit dhe të ketë problemet më të mëdha me Sundimin e Ligjit?! Kush e pengoi BE-në që të veprojë, kur dihet se i kishte duart e lira për të arrestuar kë të donte dhe kur të donte duke pasur edhe KFOR-in në ndihmë për çfarëdo lëvizje kundërshtuese që mund të ndodhte?!
Në qoftë se EULEX-i ka kalkuluar politikisht, pra nuk ka vepruar për hir të stabilitetit politik dhe proceseve të ndërlikuara politike, atëherë për këtë s’mund të jetë fajtore Kosova. Qytetarët e Kosovës kanë pritur drejtësi nga EULEX-i e jo kalkulime politike. Pra, vetë fakti që EULEX-i kalkulonte dhe kalkulon politikisht dëshmon për paaftësinë e këtij misioni në forcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, prandaj përgjegjësia duhet ndarë dhe secili të merr pjesën e vet, jo të hidhet vrerë vetëm në drejtim të institucioneve të Kosovës edhe pse këto të fundit nuk është që tentuan të dëshmojnë ndonjë performancë kredibile.
Nuk do mend që sistemi i drejtësisë në Kosovë ka probleme. E problemet edhe më shumë shtohen kur Kosova, për dallim prej vendeve të rajonit, asnjëherë nuk pati mundësi që të shtrijë 100% Sundimin e Ligjit në veri të Kosovës, pra në tërë territorin e njohur ndërkombëtarisht. Dhe BE asnjëherë nuk u tregua e vendosur që të bënte presion ndaj Serbisë që të mos e pengonte Kosovën në shtrirjen e plotë së sovranitetit të saj.
Ndërkaq, kur qytetarët shohin se bashkëvendësit e tyre serbë nuk i paguajnë Kosovës as taksa e fatura, atëherë besimi i tyre në institucionet e Kosovës, përfshirë sistemin e drejtësisë bie në nivelet më të ulëta të mundshme dhe situata bëhet edhe më e rëndë nga pamundësia e Kosovës që të bëjë më shumë në këtë drejtim si rezultat i ndërhyrjeve të Serbisë e bën të cenueshme ndaj pritjeve të qytetarëve çdo Qeveri të Kosovës. (Vijon)