NASA dhe Nokia do të instalojnë rrjet 4G në Hënë
Në kohën kur konkurrenca mes ofruesve të shërbimeve të telekomunikacionit në Tokë është më e ashpër se kurrë më parë, kompania finlandeze e kësaj fushe, Nokia, ka njoftuar se do ta zgjerojë rrjetin në një treg të ri pasi e fitoi marrëveshjen për instalimin e rrjetit të parë telefonik në Hënë.
Prodhuesi i telefonave dhe pajisjeve të tjera për telekomunikacion tha se është përzgjedhur nga NASA për instalimin e një rrjeti 4G në sipërfaqen e Hënës si pjesë e planit të agjencisë amerikane për të krijuar prani afatgjatë të njeriut në Hënë deri në vitin 2030.
Kontrata me vlerë prej 14.1 milionë dollarësh, e dhënë për selinë e Nokias në Shtetet e Bashkuara, është pjesë e programit “Artemis” të NASA-s, me të cilin synohet që të dërgohet gruaja e parë në Hënë, shkruan “The Guardian”, transmeton “Express”.
Astronautët që do të shkojnë në satelitin natyror të Tokës do të kryejnë eksperimente dhe eksplorime të hollësishme, për të cilat NASA shpreson që do t’i ndihmojnë për ta përgatitur misionin e parë në planetin Mars.
Nokia tha se rrjeti 4G, i cili do të instalohet në vendin e pazakonshëm, do të mund të shndërrohet në rrjet 5G në të ardhmen.
Në përgjithësi, NASA njoftoi javën e kaluar se do t’i shpërndajë 370 milionë dollarë te 14 kompani për pajisje me teknologjitë më të reja për misionin e saj, ku përfshihet edhe robotika.