Naser Osmani lirohet nga akuza për keqpërdorim pozite
Deputeti i LDK-së, Naser Osmani dhe të akuzuarit tjerë për rastin e njohur si “FAN”, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
I pafajshëm është shpallur edhe i akuzuari Agim Deshishku, për legalizim të përmbajtës së rreme.
Por ky i fundit është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të mashtrimit në vazhdimësi, për çka u dënua me 1 vit burgim. Kurse, për veprën penale të shmangies nga tatimi, Deshishku është dënuar me 1 vit burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 8 muaj burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Gjykimi për privatizimin e fabrikës “FAN” është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave.
Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkoheshin se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.4 milionë euro.
Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. /Klan Kosova/