Naser Ramadani ka një lutje të mëngjesit për ju
Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, ka thënë se masat që janë ndërmarrë nga institucionet e vendit dhe rekomandimet e IKShP-së lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 duhet të vazhdojnë të respektohen edhe në javët në vijim, ndërsa edhe kufizimi i lëvizjes duhet të vazhdojë.
Ramadani i ka lutur të gjithë që të mos bëjnë presion publik, duke shtuar se njerëzit po vazhdojnë ta luajnë rolin e epidemiologut dhe po bëjnë shumë pyetje e llogari. Ai tha se pyetjet dhe dyshimet që shfaqen ndaj mjekëve në këtë kohë janë të papërshtatshme dhe po u shkaktohen shumë presion. “Lutjen e mëngjesit e pata të na kursejnë nga pyetjet, sepse e kemi ndarë kohën për ju. Nëse ka diçka që doni të llogaritni, atëherë mateni distancën mes njëri-tjetrit”, tha ai.
Ramadani bëri të ditur edhe distancën të cilën duhet ta mbajnë qytetarët me njëri-tjetrin në varësi prej aktivitetit që bëjnë. “Nëse gjatë kësaj kohe pandemie ju merreni me matematikë atëherë mateni distancën mes njëri-tjetrit. Keni parasysh që në varësi prej aktivitetit edhe distanca duhet të mbahet më e madhe. Nëse jeni duke ndenjur do të duhej të kishit distancë 1 metër, nëse ecni 2 metra, nëse vraponi 5 metra, ndërsa nëse ngisni biçikletën, distanca duhet të jetë 10 metra”, tha Ramadani. Ai tha se epidemiologët kanë kryer shkollim 32-vjeçar, e për këtë ata duhet të jenë personat që merren me punën e tyre, ndërsa qytetarët tha se duhet të qëndrojnë në shtëpi.
“Akoma njerëzit duan ta luajnë rolin e epidemiologut, lërjani epidemiologut që i ka 32 vjet shkollë ta bëjë punën. Nëse i ka dikush 32 vjet shkollë le të vijë e t’ia nisë punës menjëherë”, tha Ramadani në “Zyrën e Ankesave”.
Ai tha, po ashtu, se Prishtina si kryeqytet ka një vëmendje më të madhe nga epidemiologët, për shkak se është një dimension tjetër, por duke mos lënë anash komunat e tjera, sidomos Komunën e Malishevës, ku ka më së shumti raste me COVID-19 deri më tani.“Prishtina e ka vëmendjen tonë për shkak se ka një dimension tjetër. Por, kjo nuk do të thotë se nuk e kemi vëmendjen edhe në të tjera komuna. Ju e dini se i kemi dhënë përparësi, pa i lënë anash edhe të tjerët”, tha Ramadani.
Drejtori i IKShP-së përmendi një numër prej 3 500 personash si kontakte, ndërsa tha se të gjitha këto po bëhen nga një numër i epidemiologëve të cilët janë duke e bërë punën e tyre për mrekulli. “Kemi mbi 3 500 kontakte, i kemi kontrolluar edhe 300 që kanë hyrë në Kosovë jashtë shtetit. Kjo është një numër enorm, me një numër aq të vogël që nuk mund të përmend”, tha Ramadani.