Nasim Haradinaj dhe misioni i tij i vështirë i dëshmisë atdhetare

25 janar 2025 | 11:21

Imer Xhemail LLADROVCI

Të luftosh për një çështje të madhe, ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë një punë e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë. Në një botë të djallëzuar, sinqeriteti vlerësohet si dinakëri. Bota ka plotë dinakë, por tek-tuk edhe ndonjë idealist të sinqertë si Nasim Haradinaj. Kalkulantët nuk mund ta kuptojnë kurrë një njeri që ka luftuar për të drejtën dhe dinjitetin. Një njeri i tillë përpiqet të jetë Nasim Haradinaj në këtë lukuni ujqërish që presin gabimet e tij apo që i krijojnë ato për nevojat e tyre, por Nasim Haradinaj fare nuk ka frikë nga këta njerëz pa karakter. Ai ka marrë për sipër një mision të madh që mund të keqkuptohet, por që s’mund të injorohet. Ai kështu i nderon luftëtarët e të gjitha kohërve që kanë luftuar për një Shqipëri dinjitoze!

Nasim Haradinaj u dërgua në Hagë jo për faje të dëshmueshme, por për mëkate të supozuara, për krime që mund t’i kryenin njerëz me karakter të ligë, por kurrë ai. Akuzat nuk u vërtetuan në Hagë, por ai u dënua, duke u shpërfillur e drejta. Mund të thuhet se ai ishte përballë padrejtësisë. Mbrojtësi i tij në fund qau, jo për dënimin e mandantit të tij që e kishte pritur këtë dënim, por për të drejtën e nëpërkëmbur nga një gjykatë ndërkombëtare që betohet se mbron të drejtën nga ndërhyrjet e politikës. Nasim Haradinaj që kishte pasur një përvojë të ngjashme në ish Jugosllavi, nuk u çudit nga ky vendim. Në një kuptim të gjerë, Haga ka ndikuar pozitivisht në bindjet e Nasim Haradinajt. Ai tani e kupton peshën e thashethënies e të shpifjes. Ai e ka kuptuar kështu një anë tjetër të realitetit, anën e shëmtuar të tij: njerëzit kanë edhe një anë të keqe në natyrën e tyre, sepse ata janë në gjendje të gënjejnë, diçka që ai nuk do ta bënte kurrë. Ai tani dëshmon për gjithçka që ka parë e përjetuar në Hagë, për dëshmitarët që e shesin dëshminë e rrejshme për privilegjet e tyre, por me kusht të ruajtjes së anonimitetit, dmth. guri të hidhet, por dora të fshihet, për luftën dinake që bëhet me ngulm për ta komprometuar luftën e UÇK-së, sado që në publik thuhet se po hetohen individët dhe jo UÇK-ja, faktet që sjellë ai në media pas kthimit nga Haga dëshmojnë të kundërtën. Dhe dëshmojnë se kjo punë bëhet me ngulm dhe sistem, në mënyrë të studiuar. Dikush ka interes që ta mohojë natyrën liridashëse e fisnike të këtij populli dhe çdo gjë ta shpjegojë përmes motiveve të ulëta.Përshtypja se ka njerëz që e mbështesin aksionin e tij është e pashmangshme, por Nasim Haradinaj do të mbijetonte edhe pa këtë mbështetje, edhepse efekti i punës së tij nuk do të ishte ai që është pa këtë ndihmë që atij i vjen nga masa shqiptare dhe mediat tona që e bartin mesazhin e tij humanist e atdhetar.
2.
Pjesëmarrja aktive në jetën politike ilegale të viteve para vitit 1990, pastaj pjesëmarrja në luftën çlirimtare dhe pas, 12 qershorit 1999, në jetën publike të Kosovës së lirë, ky aktivitet në të gjitha fazat e luftës politike dhe të armatosura të Kosovës për pavarësi, ka bërë që ky njeri të vihet nën dyshimin paushall se mund të ketë kryer vepra penale që i fsheh. Nasim Haradinaj ka qenë gjithmonë i sinqertë dhe i hapur me mediat vendëse dhe ndërkombëtare. Ai gjithmonë ka folur me krenari për punën e tij, pa u penduar kurrë për atë që ka bërë dhe pa përdorur fraza të zbrazta politike e propaganduar humanizëm abstrakt. Kurrë nuk e ka akuzuar askend, edhepse i janë bërë oferta të tilla. Ata që e kanë ndjekur, nuk i kanë kursyer epitetet negative për personin e tij, mirëpo ai ka qëndruar stoik në rrugën e tij të luftëtarit të ndershëm shqiptar: nuk ka njollosur askend dhe as ka pranuar njollat e provokatorëve dhe detraktorëve.

Në vazhdim sjellim disa të dhëna për jetën të tij.
Nasim Haradinaj është djali i dytë i Ismajl Haradinajt, njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Jusuf Gërvallës. Ismajl Haradinaj vdiç në vitin 2009, kurse Jusuf Gërvalla u vra në vitin 1982.Ismajl Haradinaj u dënua me shumë vjet burg në kohën e Jugosllavisë. Në hetime ai iu nënshtrua torturave speciale. Vdekja e tij në një moshë relativisht të re lidhet me shëndetin e tij të rrënuar gjatë hetimeve. Por ai arriti ta përjetonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mr. Hasan Ukëhaxhaj ka botuar një libër për Komitetin e Deçanit ku bënte pjesë si veprimtar dhe drejtues i tij Ismajl Haradinaj.Ismajl Haradinaj qëndroi në burg për aq kohë sa jetoi dhe shteti që e dënoi. Kur ra ky shtet dhe burgjet e tij u hapen, nga aty doli edhe Ismail Haradinaj. Siç e thamë më parë, me shëndet të rrënuar! Në vitin 1998 dy djemtë e tij, Nasimi dhe Agroni, u kthyen në Kosovë nga Suedia në rradhët e UÇK-së. Ismajl Haradinaj nuk ishte në gjendje fizike për të luftuar në mars të vitit 1998, por ai me shpirt gjithmonë ishte në frontet e luftës në atdhe. Udbashët e kishin dëmtuar seriozisht shëndetin e tij. Edhe sot, disa që e kanë rrahur në hetime këtë shqiptar të madh nuk hezitojnë të flasin e ta trajtojnë keq atë, tanimë jo duke e keqtrajtuar fizikisht, por duke shpifur për të, se për të kërkuar falje as që u shkon në mendje. Për fat të keq, ende dashuria për atdheun është e inkriminuar. Ai që ka luftuar gjithë jetën për Kosovën duhet të arsyetohet. Persekutori i djeshëm gëzon një mbrojtje publike, madje edhe të drejtën për të shpifur në terma të përgjithshëm, duke pasur kujdes që formalisht të mos mund të akuzohet për shpifje. Ai që ka luftuar për shtetin e Kosovës, kur nuk pendohet në njëfarë mënyre për kontributin e tij, është i dyshimtë si vrasës potencial që mund të gjykohet edhe përmes dëshmitarëve të rrejshëm. Ekziston një opinion i përgjithshëm për faljen e atyre që kanë punuar në UDB. Mirëpo, që ta falësh dikend, siç ka thënë me një rast ish shefi i insttucionit që i ka ruajtur dosjet të Stas-it në RDGj dhe më vonë edhe presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, mëkatari duhet të rrëfehet, të tregojë përse duhet të falet. Nuk mund të falet dikush në mënyrë paushalle. Falja gjithmonë lidhet me një vepër të caktuar konkrete. Në Kosovë nuk ekziston kjo kulturë politike e faljes. UDB-ja ka kryer krime të ndryshme gjatë ekzistencës së saj, edhe atëherë kur nuk ka vrarë me plumb. Udbashët e dinë çfarë kanë bërë, ndaj dhe nuk kërkojnë falje, sepse ata vetë nuk do ta falnin një njeri që komploton në atë farë feje kundër një njeriu, faji i vetëm i të cilit ishte përkushtimi për një çështje të drejtë. Në këto rrethana kur falja nuk është një dukuri imperative shoqërore, për vetëmbrojtje pala që do të duhej të falej stis faje të reja për viktimat e tyre. Nimbusi i shenjëtorit duhet përmbysur në publik përmes shpifjes për ndonjë të mete karakteriale. Këtë gjë edhe mund ta realizojnë ata që e rrahën dhe gjymtuan dikur, por nuk mund ta ndryshojnë opinionin e masës shqiptare për të. Mitrrëzuesit për çudi janë po ata që këto mite përpara përpiqeshin t’i rrëzonin përmes torturës fizike dhe psiqike. Tani tortura fizike është vështirë të praktikohet, aq më tepër kur njerëz si Ismajl Haradinaj nuk jetojnë më. Por për ta, tani mund të shpifet. Dhe shpifjet mund të jenë të ndryshme, në varësi të rrethanave. Ato duhet të formulohen ashtu që të duken objektive, të vërteta, sepse vetëm kështu ato mund ta kryejnë funksionin e tyre. Shumica ka një perceptim më të shëndetshëm se disa që kinse duan të rrëzojnë mitet e vjetra me shpifje të reja. Ismajl Haradinaj u trajtua mizorisht në burg pikërisht sepse i takonte një brezi që kishte një mision të madh. Ai vdiç në vitin 2009, vetëm 14 vjet para djalit të tij Agron Haradinajt që vdiç në vitin 2023 për shkak të pasojave të luftës. Ismajl Haradinaj i përket atyre të burgosurëve që janë keqtrajtuar maksimalisht. Vetë vdekja e tij, relativisht e hershme lidhet me pasojat e torturave fizike. Jusuf Gërvalla dhe vëllau i tij Bardhoshi e Kadri Zeka, u vranë që në janar të vitit 1982. Ishte kjo një vrasje politike që i shkaktoi dhembje të mëdha shpirtërore Ismajlit, por edhe që e bëri atë krenar dhe më të vendosur. Ata që e rrahën dhe torturuan dhe ata që e vranë Jusuf Gërvallën e dinin mirë se atë mund ta vrisje, por kurrë nuk mund ta gjunjëzoje. Ndaj dhe s‘provuan kurrë ta bënin këtë gjë sa ishte gjallë. Tani që ai më nuk jeton, përpiqen ta paraqesin në dritën e tyre disa udbash shqiptarë. Tani që ai më s‘jeton si njeri nuk mund të flasë për ato që thonë këta mjeranë. Ai nuk ka vdekur, sepse jeton vepra e tij atdhetare, kështu që qentë lehin, po karvani ecën. Nasim Haradinaj ka shumë për të thënë për veten e tij, por ai ka edhe një barrë tjetër: testamentin e babait. Filozofi i madh i lashtësisë Aristoteli thotë se më i rëndësishëm se babai është mësuesi. Në rastin e Nasimit babai dhe mësuesi ishin i njëjti njeri. Nasim dhe Agron Haradinaj përfaqësonin në luftën e UÇK-së edhe babain e tyre. Ismajl Haradinaj kështu i mësoi djemtë e tij: të luftonin për Kosovën me të gjitha energjitë.Në kohën e Jugosllavisë së Titos Nasim Haradinaj ishte ndër të burgosurit më të ri të këtij shteti. Në luftën e armatosur të UÇK-së, ai është ndër luftëtarët e parë të saj. Në momentin kur zhvillohej luftë e armatosur në Kosovë, Nasimi ndodhej në Suedi me familjen e tij. U kthye në frontin e luftës, sepse jeta e tij ishte e lidhur me lirinë e vendit të tij. Për kontributin e tij në këtë luftë mund të flasin më së miri ata që ishin në front së bashku me të.
Dhe, Nasim Haradinaj është njëri nga shqiptarët e pakët që mbajti disa vite burg edhe në Hagë të Holandës. Në këtë burgun e tij të fundit ai u çua me një akuzë qesharake. Dikush që kishte pushtet e deshi atje dhe e çoi për disa vjet prapa grilave.
Nasim Haradinaj ka një përvojë jetësore shumë të pasur dhe interesante. Ai ka folur për disa media kosovare pas kthimit nga Haga, edhepse është kërcënuar. Ai duhet t‘i merrë seriozisht këto kërcënime, por edhe duhet të thotë atë që ka për të thënë për vete, për babain e tij Ismajl Haradinajn dhe vëllaun e tij Agron Haradinaj, të cilët nuk jetojnë më. Kjo familje i ka dhënë shumë këtij vendi. Dikur historia jonë rrëfehej në oda dhe në këngë. Tashmë nuk jemi e njëjta shoqëri si dikur. Odat janë zhdukur dhe këngët historike mungojnë. Dëshmia tani duhet të jepet ndryshe: përmes librit. Edhe mediat nuk janë përçuesit më të mirë të të vërtetave historike. Siç u pa verën e kaluar, për gjërat që nuk ka materiale të shkruara, mund të diskutohet në format më të çuditshme. Për veprimtarinë e Ismajl Haradinajt ende di diçka ky brez, por ka edhe shumë njerëz që kanë nevojë për informacion burimor, sepse ata që dikur e ndiqnin Ismajl Haradinajn janë të interesuar për të dhënë dëshmi të rrejshme dhe të falsifikuar. Edhe Agron Haradinajn do të vijë koha kur do ta sulmojnë, pavarësisht se ai vdiç në një moshë të re si pasojë e plagëve të luftës. Tani është vetëm Nasim Haradinajn që mund të flasë me fakte për babain dhe vëllaun e tij që nuk janë më në mesin e të gjallëve.

Nasim Haradinaj duhet të dëshmojë për atë që e ka bërë atë që është sot, ai duhet të thotë atë që të tjerët nuk mund ta thonë, edhe po të donin. Politika atdhetare nuk është politikë e fjalëve të mëdha, por politikë e veprave „të vogla“ konkrete, vepra këto që i mungojnë sot shumëkujt.

Fellbach, 23 Janar 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës…