Nasim Haradinaj: Simbolet e UÇK-së askush nuk guxon t’i keqpërdorë
Nënkryetari i OVLUÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar në lidhje me protestën e sotme që u mbajt kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Në këtë protestë ishte edhe një person i cili në veshjen e tij mbante edhe simbole të UÇK-së.
Haradinaj ka thënë se simbolet e UÇK-së nuk guxon askush t’i përdorë dhe as t’i keqpërdorë as pro e as kundër për agjenda fetare.
“Rasti i sotëm dhe disa raste tjera në protesta apo manifestime tjera janë shkelje flagrante e simboleve dhe vlerave që përfaqëson UÇK-ja. UÇK-ja ishte institucion më mision kombëtar si rrjedhojë ishte mbi religjionin dhe bindjeve politike. Për UÇK-në Kombi është NJË pa segregime religjoze. Të vetmet tubime apo protesta që i fton OVL-UÇK kanë legjitimitetin të përdorin simbolet e UÇK-së, sepse këto ngërthejnë në vete protesta A partiake dhe A religjioze”, ka shkruar Nasim Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
(M.Q / Epoka e re)