Nasim Haradinaj u ankua për shkelje të të drejtave të njeriut, Kushtetuesja merr vendim
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi sot Aktgjykimin në lidhje me kërkesën referuese të paraqitur nga Nasim Haradinaj, i cili pretendonte shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në kontekstin e procesit penal kundër tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktgjykim, Dhoma Kushtetuese e shpalli një pjesë të ankesës së tij të papranueshme dhe hodhi poshtë pjesën tjetër, duke konstatuar se nuk kishte asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore.
Siç njoftohet, Haradinaj ishte ankuar se ishte shpallur fajtor mbi bazën e interpretimeve të gjera në mënyrë të papërligjur të tri dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe se veprimet e tij nuk përbënin vepra penale në kohën e kryerjes së tyre. Në lidhje me këtë, Dhoma Kushtetuese konstatoi se Haradinaj nuk kishte shfrytëzuar si duhet të gjitha mjetet juridike të efektshme sipas ligjit për dy prej pretendimeve të tij dhe e shpalli ankesën pjesërisht të papranueshme.
“Z. Haradinaj gjithashtu ishte ankuar se kishte qenë objekt i shtytjes nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për kryerjen e veprave penale për të cilat u shpall fajtor dhe se dhomat penale gabuan në zbatimin e standardit juridik, duke ia kaluar atij detyrimin e vërtetimit në lidhje me pretendimin e tij. Në lidhje me këtë, Dhoma Kushtetuese konstatoi se situata e z. Haradinaj thjesht nuk përfshihej në situatë shtytjeje dhe duke mos konstatuar në dukje shkelje të të drejtave të tij, e shpalli ankesën të papranueshme”.
“Z. Haradinaj gjithashtu pretendoi se mospërjashtimi i përgjegjësisë së tij penale prej dhomave penale mbi bazën e faktorëve të interesit publik përbënte shkelje të së drejtës së lirisë së fjalës. Pasi konstatoi se z. Haradinaj nuk kishte shfrytëzuar mjetet juridike sipas ligjit në lidhje me këtë aspekt, Dhoma Kushtetuese e deklaroi edhe këtë ankesë të papranueshme”, u tha në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Së fundi, thuhet se Dhoma Kushtetuese gjykoi se interpretimi prej dhomave penale i veprës penale të “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të kërcënimit të rëndë” logjikisht mund konsiderohet se është në përputhje me thelbin e asaj vepre penale dhe logjikisht mund të ishte parashikuar prej Haradinajt në kohën e kryerjes së saj.
“Rrjedhimisht, Dhoma Kushtetuese konstatoi se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut”, potencoi DhSK-ja.