
NATA E 2 PRILLIT
21 dhjetor 2020
| 09:13
ELIRONA MAHMUTI
NATA E 2 PRILLIT
(Të vrarëve të natës së 2 prillit 1999 në Gjakovë)
At’ natë fqinja na kish tregu që paska me ra shi
E tha n’gjuhën e saj, që as sot s’e di
Errësira erdhi, erdhën retë, shiu rigoi
Ahh tash e morëm vesh çfarë resh’ pa fqinja
Krisma e ulërima, natës po i dilnin thinja
Derë m’derë trokiste vdekja atë natë
Derë m’derë vinte flaka atë natë
Derë m’derë shuheshin engjëj atë natë
Derë m’derë po iknim atë natë
Dielli doli por dritë nuk kishte
Ditë e re pranvere duhej t’ishte
Rrugë çarshie shtruar n’martirë lirie
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)