Nata e përjetësisë mbi Gorozhub

02 dhjetor 2024 | 22:08

Festim Hoti

Ishte 4 dhjetor 1998. Një natë kur qielli ishte i rëndë, sikur të ndjente peshën e barrës që ata mbanin. Bora kishte mbuluar çdo gjurmë, duke shtrirë bardhësinë e saj mbi tokën e Kosovës, ndërsa mjegulla e dendur ia fshihte rrugët gjithkujt që përpiqej të përshkonte atë natë të errët. Në mes të kësaj errësire, në majat e larta mbi Gorozhub, një grup burrash të mëdhenj, të ngarkuar me më shumë se 30 kilogramë armë, bartnin më shumë se thjesht një peshë fizike.
Ata mbanin në krahët e tyre shpresën e një kombi, lirinë që digjte në shpirtin e çdo shqiptari të robëruar.

Ata ishin Muhamet Malsori, Skënder Hameli, Hysni Duraku, Sedat Hoti, Sinan Hoti, Isak Hoti, Ismet Hoti dhe Hida Hoti. Një trupë e vogël, por me zemra të mëdha sa malet që i rrethonin. Në atë natë të akullt, nuk kishte frikë në hapin e tyre, as luhatje në qëllimin e tyre. Rrugëtimi i tyre nuk ishte thjesht një mision; ishte një betim për lirinë. Armët që mbanin ishin për të ushqyer luftën që po ndizte dritën e shpresës në Kosovë, luftën që kërkonte të thyente zinxhirët e robërisë shekullore.

Por nata kishte tjetër plan. Prita i priste në heshtje, e ftohtë dhe e pamëshirshme. Diku mbi Gorozhub, ku as yjet nuk guxonin të depërtonin mjegullën, ata ranë në pritën që iu ngrit. Armiku, i etur për gjak, ia vuri pengesën e fundit këtyre burrave të paepur. Nuk pati kthim mbrapa. Asnjë prej tyre nuk kërkoi rrugë shpëtimi, sepse shpirti i tyre nuk ishte mësuar të dorëzohej.
Ata qëndruan dhe luftuan, të vetëdijshëm se kjo natë mund të ishte e fundit.

Dhe ashtu ndodhi.
Burrat ranë njëri pas tjetrit, duke shtrirë gjakun e tyre mbi borën e bardhë, duke ngjyrosur atë tokë që e kishin dashur më shumë se jetën e tyre.
Në atë natë të errët, ata u shndërruan në yje të shndritshëm të përjetësisë, në dëshmorë të lirisë.

Kanë kaluar 26 vjet,më shumë se një çerek shekulli, por kujtimi për ta nuk është shuar dhe harrohet kurrë.
Emrat e tyre jehojnë ende në zemrat e atyre që e dinë çfarë do të thotë sakrifica, çfarë do të thotë të japësh gjithçka për një ëndërr.
Për ata burra, Kosova nuk ishte thjesht një vend; ishte një ideal, një tokë që meritonte çdo pikë gjaku dhe çdo frymë të fundit.

Ata nuk ishin thjesht luftëtarë. Ata ishin simboli i kurajos, i dashurisë për vendin, i sakrificës që i kapërcen kufijtë e tokës dhe të kohës.
Çdo flakë që ndizet në zemrën e një shqiptari sot është një pasqyrim i asaj flake që ata bartën atë natë. Çdo hap i lirë që shkel mbi tokën e Kosovës është një dëshmi e asaj që ata dhanë.

Në këtë përvjetor të 26-të të rënies së tyre, ndërsa bora mbulon përsëri majat dhe mjegulla i fsheh rrugët, ne ndalemi dhe kujtojmë dëshmorët e parë te Pashtrikut.
Ata, që ranë mbi Gorozhub, nuk u kthyen mbrapa, por e shtynë një komb të tërë drejt përpara. Dhe sot, në një Kosovë të lirë, shpirtrat e tyre enden mbi këtë tokë, duke na kujtuar se liria vjen me një çmim të shenjtë.

Kujtimi i tyre është i pavdekshëm, ashtu si idealet që ata përqafuan. Dhe ne, që ecim mbi dheun që ata e lanë me gjak, e ne duhet ta dimë e kurrë mos të harrojmë se jemi borxhli ndaj tyre dhe gjithë dëshmorëve të rënë për Liri,
Ata ranë që ne të ngriheshim.
Ata dhanë gjithçka që ne të kishim gjithçka.
Dhe për këtë, kurrë nuk do të harrohen.

Lavdi e përjetshme!

dhjetor 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Lekaj Rikujtim nga Oslo, Norvegji Në shenjë nderimi në…