NATO, deklarata thumbuese ndaj Putinit për dislokimin e trupave
NATO ka shkëmbyer deklarata thumbuese me presidentin rus, Vladimir Putin, pasi ky i fundit akuzoi aleancën ushtarake të Atlantikut të Veriut se po zhvendoste asetet ushtarake pranë kufirit rus.
Putin deklaroi gjithashtu se Rusia duhet të përforcojë kapacitetet e saj, në shenjë kundërpërgjigjeje.
Por, NATO i mbrojti veprimet e saj duke i quajtur “me natyrë mbrojtëse dhe proporcionale”, si dhe “në përputhje me angazhimet tona ndërkombëtare”.
Një zëdhënëse e aleancës tha për “Reuters” se “NATO ka dërguar 4.000 trupa në pjesën lindore të Aleancës për të zmbrapsur çdo agresion të mundshëm”.
“Këto trupa nuk mund të krahasohen kurrsesi me divizionet e dislokuara nga Rusia. Për më tepër, Rusia ka trupa në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi kundër dëshirës dhe vullnetit të qeverive të këtyre vendeve”.
Në një ngjarje tjetër të kësaj të mërkure, dy avionë britanikë në Rumani u ngritën në fluturim, pasi një avion i dyshuar rus po i afrohej hapësirës ajrore të NATO-s mbi detin e Zi, shkruan Top Channel.
Mes NATO-s dhe presidentit Putin “mbretërojnë” prej kohësh tensione, kryesisht për shkak të aneksimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë, nga Ukraina, në vitin 2014.
Gjithsesi, marrëdhëniet janë përkeqësuar gjatë muajve të fundit, pas helmimit të një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij, më herët gjatë këtij viti në Britaninë e Madhe.
Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të dyja anëtare të NATO-s, akuzojnë Moskën se fshihet pas sulmit, edhe pse Rusia mohon të ketë rol.