
NATO – Forcë Humanitare, Aleate e UÇK-së në luftë dhe garantuesja e paqes në liri
24 Marsi 1999 – Dita që ndryshoi historinë e Kosovës
Shkruan: Hisen Berisha
26 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave të armatosura të RFJ-së/Serbisë, prezenca e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë në Kosovë mbetet jetike për stabilitetin rajonal dhe sigurinë e vendit tonë.
Më 24 Mars 1999, NATO ndërhyri për të ndalur fushatën e spastrimit etnik të regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke parandaluar një gjenocid të përmasave edhe më të mëdha ndaj popullit shqiptar.
Kjo ndërhyrje ishte një kthesë historike që jo vetëm shpëtoi mijëra jetë, por edhe konfirmoi përkushtimin e botës demokratike për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Ndërhyrja e NATO-s nuk erdhi rastësisht. Krimet e regjimit serb, të cilat kulmuan me masakrën ndaj Familjes Jashari në Prekaz më 5-7 mars 1998, ishin një sinjal alarmi për komunitetin ndërkombëtar. Qëndresa heroike e Komandantit historik Adem Jashari dhe sakrifica e familjes së tij treguan se populli shqiptar nuk do të nënshtrohej.
Ky akt i qëndresës u bë frymëzim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një faktor kyç në ndërgjegjësimin e botës mbi padrejtësitë që po ndodhnin në Kosovë.
Në këtë kontekst, një aleancë e fortë dhe e qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan nuk mund të imagjinohet pa praninë e SHBA-së dhe NATO-s.
Baza ushtarake e Forcave të Armatosura të SHBA-ve në Kosovë është një faktor kyç për stabilitetin afatgjatë, dhe ne duhet të punojmë që ky “kamp” të ndryshojë statusin në një “bazë” të përhershme, duke forcuar partneritetin strategjik me SHBA-në dhe duke garantuar një prani të përhershme e të qëndrueshme ushtarake, e cila parandalon çdo kërcënim ndaj Kosovës dhe rajonit.
Sot, kur rajoni përballet me sfida të reja të sigurisë dhe kërcënime hibride, Serbia vazhdon të luajë një rol destabilizues, siç u pa edhe në sulmin terrorist në Veri të Kosovës. Në këtë kontekst, roli i NATO-s dhe KFOR-it mbetet i domosdoshëm për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe Ballkan. Ndërkohë që qeveria duhet të investoj në forcimin e mbrojtjes, pa u kufizuar nga standardi buxhetor i vendeve anëtare të NATO-s, për ta bërë Kosovën “Izraelin” e Ballkanit.
Në këtë ditë historike, përveç përkujtimit të ndërhyrjes së NATO-s, nderojmë edhe nisjen e luftës së UÇK-së në Gllogjan dhe mbarë Dukagjinin me 24 Mars 1998, një moment kyç në rrugëtimin tonë për çlirim.
Me respekt dhe mirënjohje, kujtojmë të gjithë ata që ranë për liri nga radhët e UÇK dhe Forcave të NATO-s, viktimat civile dhe të gjithë dalëzotësit e atdheut. Kujtimi dhe lavdia e tyre do të mbeten të gjalla në historinë e Kosovës dhe në zemrat e atyre që vlerësojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Sakrifica e tyre mbetet udhërrëfyese për brezat e ardhshëm dhe një përgjegjësi e madhe për ne që të mbrojmë dhe forcojmë të arriturat e lirisë.
Lavdi të rënëve për liri!
Nder dhe respekt për aleatët që qëndruan me ne në ditët më të vështira dhe vazhdojnë të jenë garantuesit e paqes sonë!