NATO ia zgjat mandatin Stoltenbergut për shkak të luftës së Rusisë
Me rrezikun e zgjerimit të konfliktit në Evropë, NATO ka ndërmarrë veprime për stabilitet, teksa të enjten ia zgjati mandatin sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, edhe për një vit teksa aleanca ushtarake po përballet me krizën e sigurisë të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Stoltenbergu ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” të enjten se ishte i “nderuar” me vendimin e liderëve të NATO-s që mandati i tij në krye të aleancës të zgjatej deri më 30 shtator të vitit 2023.
“Teksa ne përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në gjeneratë, ne qëndrojmë unik për të mbajtur aleancën tonë të fortë dhe njerëzit tanë të sigurt”, ka shkruar ai, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologët e tij gjatë samitit të mbajtur në Bruksel janë pajtuar për zgjatjen e mandatit.
Honoured by the decision of #NATO Heads of State and Government to extend my term as Secretary General until 30 September 2023. As we face the biggest security crisis in a generation, we stand united to keep our Alliance strong and our people safe. https://t.co/06YkRkmX8J
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) March 24, 2022
Presidenti Biden ka thënë se Stoltenbergu ka “bërë punë të mrekullueshme për të udhëhequr dhe forcuar aleancën tonë, veçanërisht gjatë këtij momenti kritik për sigurinë ndërkombëtare”.
Ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg është emëruar në postin e shefit të NATO-s në tetor të vitit 2014. Mandati i tij i dytë ishte paraparë që të përfundonte në shtator.