NATO-ja do të diskutojë për raportet e ardhshme me FSK-në
Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s do të diskutojnë rreth qasjes së Aleancës ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e kësaj force në ushtri.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në rend dite të takimit ndërministrorë do të jetë edhe shqyrtimi i marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe FSK-së.
Stoltenberg tha gjithashtu se misioni i KFOR-it do të mbetet i pandryshuar, pasi që kjo forcë operon në bazë të rezolutës 1244 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së.
“Është e rëndësishme të bëjmë dallimin ndërmjet dy pranive të NATO-s në Kosovë. Misioni i KFOR-it nuk do të jetë i ndikuar. KFOR është atje tashmë 20 vjet dhe kontribon në stabilitetin në Kosovë dhe më gjërë në rajon. Ajo që ne do të vlerësojmë janë aktivitetet jashtë misioneve të KFOR-it që është një tjetër lloj i ndërtimit të kapaciteteve”, ka thënë Stoltenberg, i cili konfirmoi se gjatë këtij takimi nuk pritet të merren vendime konkrete, transmeton “Rel”.
Kreu i Aleancës Veriatlantike përsëriti se Kosova, duhet të respektojë të gjitha obligimet ndërkombëtare përfshirë edhe marrëveshjen e Brukselit, e cila, sipas Stoltenberg, thotë se “FSK nuk do të hyjë në veri të Kosovës pa pëlqimin e komandatit të KFOR-it”.
Sipas agjendës së mbledhjes së ministrave të mbrojtjes, debati për Kosovën do të mbahet të enjten.
Pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, për të transformuar Forcën e Sigurisë në ushtri, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës pati vlerësuar se vendimi erdhi në një “kohë të gabuar” dhe kishte njoftuar se Aleanca do të shqyrtojë përfshirjen e saj në raport me FSK-në.
Debati mbi shqyrtimin e angazhimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës do të mbetet në nivelin e diskutimeve, megjithatë, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, nuk përjashtohet mundësia që NATO, gjatë këtij viti, të vendosë në heqë disa fonde për FSK-në.