NATO-ja do t’i përgjigjet Rusisë nëse nuk e shkatërron sistemin raketor
NATO-ja ka kërkuar nga Rusia të martën që të shkatërrojë sistemin e saj raketor përpara afatit në muajin gusht, dhe të ruaj traktatin që mundëson mbajtjen e kokave bërthamore jashtë Evropës.
NATO-ja ka bërë me dije se në të kundërtën, Rusia do të përballet me një përgjigje më të vendosur të aleancës.
Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë të mërkurën hapat e tyre të ardhshëm, nëse Moska e mban sistemin e raketave, për të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se asi mundëson sulme bërthamore në Evropë, dhe shkelë traktatin e Forcave Bërthamore të vitit 1987.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të marrë rrugën e përgjegjshme, por nuk kemi parë asnjë shenjë që Rusia e ka ndërmend ta bëjë këtë. Ne do të duhet të reagojmë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për medie.
Ai nuk ka pranuar të japë më shumë detaje, por sipas agjencisë “Reuters”, diplomatët kanë thënë se ministrat e mbrojtjes janë duke vlerësuar mundësinë e më shumë fluturimeve në Evropë të aeroplanëve amerikanë, të aftë për të mbajtur koka bërthamore, më shumë trajnime ushtarake dhe ripozicionimin e raketave të bazuara në det.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj në NATO, duan që Rusia të shkatërrojë sistemin e saj të raketave, të cilin Moska refuzon ta bëjë. Ajo ka mohuar çdo shkelje të traktatit të vitit 1987.
Traktati i INF-së ka ndalur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë nga zhvillimi, prodhimi dhe vendosja e raketave balistike me rreze prej 500 deri në 5 500 kilometra.
Në shkurt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, duke akuzuar Rusinë për shkelje të paktit pas vendosjes së një sistemi raketash.
Rusia, ka mohuar akuzat, por më vonë është kundërpërgjigjur me tërheqje nga traktati.