NATO-ja e shqetësuar me planet turke për blerjen e sistemin rus
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin për pasojat që do të kishte blerja e sistemit rus raketor nga ana e Turqisë.
Gjatë një konference për medie së bashku me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, Stoltenbergu ka thënë se megjithatë secili aleat i NATO-s merr vendime autonome sa i përket blerjes së pajisjeve ushtarake.
“Mirëpo në të njëjtën kohë unë jam i shqetësuar për potencialin e pasojave lidhur me vendimin e Turqisë, pasi Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar sanksione”, ka thënë Stoltenbergu.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të tërheqin planet për shitjen e aeroplanëve luftarak dhe do të vendosin sanksione ndaj Turqisë nëse vazhdon me procedurat e blerjes së sistemit rus.
Uashingtoni ka tërhequr vërejtjen se sistemi rus nuk përshtatet me atë të NATO-s dhe se ai paraqet rrezik për aeroplanët amerikan “F35”, raporton “Rel”.
Nga ana tjetër, Turqia ka thënë se si aleate e NATO-s ,ajo nuk duhet të jetë subjekt i sanksioneve amerikane, dhe se ajo nuk paraqet asnjë rrezik për ShBA-të.
Raportet ndërmjet Rusisë dhe Turqisë përgjatë historisë kanë qenë të tensionuara por Moska dhe Ankaraja kanë vendosur raporte të fuqishme ekonomike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.