NATO-ja miraton forca shtesë për shkak të tensioneve në veri të Kosovës
Këshilli i NATO-s është mbledhur të premten për të diskutuar për situatën në Kosovë. Pas kësaj mbledhje, NATO-ja ka njoftuar se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, për shkak të rritjes së tensioneve. “Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i (Misioni i NATO-s në Kosovë) ta përmbushë mandatin e tij”, ka thënë nëpërmjet një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Po ashtu, ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rikthehen në tavolinën e negociatave në Bruksel. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, është thënë në deklaratën e Stoltenbergut.
Në deklaratën e Stoltenbergut është thënë se misioni i KFOR-it ka një prezencë të dukshme në mbarë Kosovën. “Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurojmë lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, është thënë në këtë deklaratë.