NATO-ja: Misioni dhe mandati i FSK-së nuk vendoset nga ne
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura, sipas NATO-s, është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës.
Në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë”, NATO ka thënë se mbështet zhvillimin e FSK-së brenda mandatit që është krijuar për këtë forcë.
“Struktura, mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk vendosen nga NATO. Kjo është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës”, është thënë në përgjigjen e NATO-s nga Brukseli dhënë “Radios Evropa e Lirë”.
“NATO mbështet zhvillimin e FSK-së brenda mandatit që ka. Nëse mandati i FSK-së ndryshon, Këshilli Veri-Atlantik, do të duhej të rishqyrtonte nivelin e angazhimit të NATO-s”, është thënë në këtë përgjigje.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, krijimi Forcave të Armatosura mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese që bëhet nga dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës duke përfshirë edhe dy të tretat e votave nga deputetët që përfaqësojnë komitetet pakicë në Kuvend.
Ky transformim është kundërshtuar kategorikisht nga përfaqësuesit e Listës Serbe, çka e ka komplikuar gjithë procesin e transformimit.
Në vitin 2017 Kosova ka marr një iniciativë për ta krijuar ushtrinë vetëm me ligj dhe pa ndryshime kushtetuese, por kishte hasur në kundërshtime të ashpra nga ShBA dhe NATO.