NATO-ja përkujton 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka nderuar ngjarjet e tri dekadave të më parë, që kanë rrëzuar Murin e Berlinit, të cilin e ka konsideruar “plagë në fytyrën e Evropës”.
“Përmes kullave me armë dhe qenve roje, (muri) ka tentuar të mbajë njerëzit brenda dhe idetë jashtë. Mirëpo ka dështuar”, ka thënë Stoltenberg më 6 nëntor, jashtë selisë së NATO-s në Bruksel, ku është dërguar një copëz e Murit të Berlinit.
“Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor, të njëjtat vlera që na bashkojnë neve sot, inspiruan njerëzit 30 vjet më parë, për të arritur diçka të jashtëzakonshme”, ka thënë shefi i NATO-s.
Ambasadori gjerman në NATO, Hans-Dieter Lucas, e ka cilësuar rënien e Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, “një nga momentet në histori, që kanë ndryshuar botën”.
Më vonë gjatë ditës, Stoltenberg pritet të arrijë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin për një vizitë dyditore, gjatë së cilës do të vizitojë presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe zyrtarë tjerë.
Ai po ashtu pritet të jetë pjesë e ceremonive përkujtimore për të shënuar 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, si dhe të pranojë një medalje nga ministria gjermane e Mbrojtjes për kontributin e tij në NATO.