NATO-ja përshëndet marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd
Richard Grenell, emisar i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, në bisedimet Kosovë – Serbi, ia ka dalë t’i shtyjë të dy shtetet drejt një marrëveshje për hapjen e një linje ajrore Prishtinë-Beograd.
Për këtë akt, ka reaguar edhe NATO, e cila është kontrolluese e hapësirës ajrore në Kosovë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për të normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Unë mirëpres qëllimin e ‘Eurowings’ dhe grupit ‘Lufthansa’ për të vendosur fluturime të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës, bazuar në letrat e synimeve të nënshkruara sot në Berlin”, ka thënë Stoltenbergu.
Ai ka deklaruar se linja e fluturimeve Prishtinë-Beograd është hap i rëndësishëm, duke shtuar se një veprim i tillë është përpjekje për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
“Ky është një hap i rëndësishëm, i cili do të kontribuojë në përpjekjet për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe do ta bëjë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave më të lehtë dhe më të shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Stoltenbergu.
Linja ajrore Kosovë – Serbi ishte është ndërprerë për shkak të luftës ndërmjet palëve. Për hapësirën ajrore, e cila në Kosovë kontrollohet nga NATO, Kosova e Serbia asnjëherë nuk kanë mundur të gjejnë gjuhë të përbashkët edhe pse për këtë ka pasur tentativa.