NATO-ja ‘përthekon’ Serbinë

17 janar 2024 | 08:27

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ka shtrënguar rrethin e Serbisë, duke shtuar trupat në shumë shtete përreth saj. Së fundmi, Bullgaria është zotuar për të investuar në infrastrukturën e vet, nëse i duhet forcave të NATO-s për vendosje të shpejtë në krahun lindor.

Investimet miliardëshe i ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes, Todor Tagarev, që ka konfirmuar për “bTV” edhe blerjen e aeroplanëve luftarakë.

Aktualisht në Bullgari janë 1000 pjesëtarë të NATO-s, ndërsa pritet që kontingjenti të zgjerohet në 1500 dhe të ndërtohet edhe një bazë ushtarake e NATO-s.

“Zhvendosja e grupeve ushtarake të NATO-s në territorin tonë është diskutuar dhjetëra a qindra herë. Gjatë vizitës sime në SHBA javën e shkuar, folëm për mundësinë më të mirë që të ofrojmë infrastrukturën e nevojshme si vend nikoqir dhe se si SHBA-ja mund të na ndihmojë ashtu që të mund të shfrytëzojmë fondet e përbashkëta ndërkombëtare”, ka thënë Tagareve.

Bullgaria ka marrëveshje bilaterale me SHBA-në për shfrytëzimin e përbashkët të katër bazave ushtarake në Bullgari.

Lajmi ka alarmuar mediat në Serbi. “Novosti” ka shkruar se në të njëjtën kohë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po armatosin Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe se forcat e NATO-s janë pozicionuar edhe në Hungari e Rumani.

Pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në fund të shtatorit, NATO-ja ka shtuar edhe praninë në Kosovë.

Gjenerali serb, Mitar Kovaq, ka thënë se mbledhja e njësive të NATO-s në Bullgari nuk është e ndërlidhur direkt me sfidat e sigurisë në Serbi, por për përforcim të forcave perëndimore në krahun lindor për shkak të luftës në Ukrainë.

“Megjithatë, me kalimin e kohës, mund të kenë rol alternativ për Kosovën dhe sfidat që mund të shfaqen. NATO-ja aktualisht po forcohet në shtetet e Baltikut, Poloni, Rumani… Nuk ka alternativë për neutralitetin ushtarak, edhe pse NATO-ja e SHBA-ja po përpiqen të na afrojnë me stërvitjet e përbashkëta”, ka thënë Kovaq për “Novosti”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përkundër thirrjeve të autoriteteve serbe përmes grupeve të ngushta politike…