NATO-ja shpalos agjendën për samitin e korrikut
NATO-ja ka njoftuar se në samtimin e 5 korrikut do të përqendrohet në pesë fusha kyçe, nga modernizimi deri të marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
NATO-ja vuri theksin edhe mbi “menaxhimin” e marrëdhënieve me, siç tha, një Rusi gjithnjë e më kategorike.
Sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, ka thënë para Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Varshavë se samiti do të përqendrohet edhe në projektimin e stabilitetit në rajonet kufitare, sidomos në jug, si dhe në ndarjen e shpenzimeve.
Duke u bazuar në vendimin e Aleancës për vendosjen e grupeve luftarake në krahun e saj lindor, që kufizohet me Rusinë, Stoltenberg ka pohuar se pret që në samitin e 11 dhe 12 korrikut në Bruksel, udhëheqësit e shteteve të marrin vendime edhe mbi përforcimin e gatishmërisë ushtarake.
“Mbrojtja jonë nuk varet vetëm nga forcat që i kemi vendosur, por edhe nga aftësia jonë për t’i lëvizur ato forca shpejt nëse është e nevojshme”, ka deklaruar Stoltenberg.
Vendet anëtare të NATO-s kanë vendosur rreth 4,000 trupa në shtetet e Baltikut dhe në Poloni, për t’iu kundërvënë kërcënimit rus, sidomos pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, në vitin 2014.