NATO-ja do ta ndihmojë Afganistanin gjatë zgjedhjeve
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë me dije se kjo organizatë mund të ofrojë siguri shtesë gjatë zgjedhjeve parlamentare në Afganistan, pas rritjes së sulmeve në vend, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në tetor.
“Kontributi ynë kryesor është që të sigurohemi që zgjedhjet të mbahen në një ambient të sigurt dhe të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për forcat e sigurisë afgane, duke i trajnuar ata, duke i këshilluar dhe duke i financuar”, ka deklaruar Stoltenberg.
Por, Stoltenberg ka thënë se përfshirja e NATO-s do të jetë e kufizuar.
“Duke e thënë këtë, unë gjithashtu parashikoj një rol të kufizuar të forcave të NATO-s për të ndihmuar, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në një ambient të sigurt”, ka thënë ai.
Këto komente të Stoltenberg vijnë pasi 60 persona janë vrarë në një sulm vetëvrasës në Kabul, jashtë një qendre për regjistrimin e votuesve më 22 prill.