NATO ndërton qendrën komanduese për Ukrainën në Gjermani
NATO ka ndërtuar një qendër të re komanduese në Gjermani për të planifikuar, koordinuar dhe rregulluar dhënien e ndihmës së sigurisë për Ukrainën. Bëhet e ditur se vendndodhja e saj është qyteti jugor gjerman i Wiesbaden, i njohur për llixhat dhe burimet e nxehta, të cilat tani do të shërbejnë si një vend i përpjekjeve të NATO-s për të mbështetur ushtrinë ukrainase.
Qendra e komandës ndodhet në një ish bazë të ushtrisë amerikane.
Ajo do të organizojë trajnime, ndërsa donacionet në Ukrainë do të organizohen dhe drejtohen nga një gjeneral me tre yje.
Ky veprim thuhet të jetë pjesa qendrore e planit të Asistencës dhe Trajnimit të Sigurisë së NATO-s për Ukrainën, i cili u njoftua kur udhëheqësit e aleancës së NATO-s u takuan në samitin në Uashington.
Siç raportohet, baza do të përbëhet nga rreth 700 personel nga vendet aleate të NATO-s dhe partnerë të zgjedhur, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
NATO thotë se qendra komanduese do të rrisë mbështetjen e saj për Ukrainën, por nuk do ta bëjë aleancën palë në konflikt.
Një deputet ukrainas brenda partisë së presidentit Volodymyr Zelensky tha se qendra është jashtëzakonisht e mirëpritur.
“Ne duhet patjetër të takojmë ata njerëz që kanë prodhuar ato municione”, tha deputeti, Sviatoslav Yurash.
Ndryshe, qendra u diskutua në samitin e NATO-s në Uashington, kur aleanca deklaroi gjithashtu se Ukraina është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në organizatë.
Një ekspert i politikës së jashtme paralajmëroi se megjithëse pozitive, ka potencialisht kufizime në anëtarësimin e Ukrainës.
“Të gjithë e dinë, përfshirë politikanët ukrainas, se politika e brendshme e SHBA-së do të vendosë anëtarësimin e Ukrainës në NATO”, tha Leonard Schuette, studiues i lartë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se Ukraina mund t’i bashkohet aleancës vetëm pasi ta përfundojë luftën me Rusinë.