NATO për kundërofensivën e Kievit: Është shumë e vështirë për ushtrinë ukrainase
Kundërofensiva e Ukrainës kundër forcave ruse ka rezultuar e vështirë për shkak të minave dhe pengesave të tjera, ka thënë zyrtari më i lartë ushtarak i NATO-s.
“Një kundërofensivë është e vështirë”, tha admirali Rob Bauer, oficeri holandez që kryeson bordin ushtarak të NATO-s, transmeton Telegrafi.
“Ju nuk duhet të mendoni se ky është një hap i lehtë. Nuk do të jetë kurrë i tillë”, u tha ai gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel.
“Forcat ukrainase përballen me pengesa mbrojtëse, ndonjëherë deri në 30 kilometra të thella, ndërsa përpiqen të thyejnë linjat ruse”, tha Bauer, duke u thirrur në një krahasim historik për të shprehur mendimin e tij.
“Kemi parë Normandinë në Luftën e Dytë Botërore që u deshën shtatë, tetë, nëntë javë që aleatët të thyenin me të vërtetë linjat e mbrojtjes së gjermanëve. Prandaj, nuk është çudi që nuk po shkon shpejt”, theksoi holandezi.
Imazhet satelitore të rishikuara nga Reuters në prill tregojnë se Rusia ka ndërtuar fortifikime të gjera, istikame, barriera automjetesh dhe pengesa të tjera për të ngadalësuar çdo përparim ukrainas.