NATO përgatitet për ushtrimin më të madh në 3 dekadat e fundit, Kosova nuk përfshihet
NATO-ja po bëhet gati për atë që konsiderohet si stërvitja më e madhe ushtarake e organizuar në dekadat e fundit, me synimin që t’i tregojë Rusisë për kapacitetet e saja reale, derisa janë bërë gati 2 vite të luftës në Ukrainë. Por pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën, Kosova dhe ushtria e saj nuk do të përfshihen në të, e kjo, po vlerësohet se po ndodh për arsye politike.
Përderisa në diskursin publik ka dominuar diskutimi për stërvitje ushtarake të vitit të ardhshëm, atë “Defender Europe”, NATO, këtë vit po bëhet gati për një tjetër stërvitje.
“Steadfast Defender”, është paralajmëruar se do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake në më shumë se 3 dekada, qysh prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Përderisa sfidat e sigurisë nuk mungojnë në shumë rajone, në theks është lufta e Ukrainës, konkretisht mesazhi që synohet t’i dërgohet agresorit, shtetit të Rusisë.
Në një përgjigje për Dukagjinin, aleanca veri-atlantike thonë se qëllimi është demonstrimi i unitetit, ndërsa do të jenë pjesë e saj 31 shtete, si edhe Suedia që mbetet në pritje të finalizimit të anëtarësimit në NATO.
“Në vitin 2024 NATO do të kryejë stërvitjen “Steadfast Defender”, stërvitja më e madhe e NATO-s në dekada, me forca nga 31 aleatët dhe Suedia. Ai do të bazohet në planet e reja të mbrojtjes të NATO-s. Steadfast Defender 2024 do të demonstrojë aftësinë tonë për të vendosur forca me shpejtësi nga Amerika e Veriut dhe pjesë të tjera të Aleancës për të përforcuar mbrojtjen e Evropës. Steadfast Defender 2024 do të jetë një demonstrim i qartë i unitetit dhe forcës sonë transatlantike dhe vendosmërisë sonë për të vazhduar të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Stërvitjet e NATO-s janë mbrojtëse, transparente dhe proporcionale dhe kryhen në respekt të plotë të detyrimeve tona ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.
Por mes 32 shtetesh, vend nuk pati për Kosovën dhe ushtarët e saj.
Ministria e Mbrojtjes i ka thënë Dukagjinit se janë të fokusuar në organizimin e Defender 2025, por burimet bëjnë me dije se pavarësisht përkrahjes ndaj Ukrainës, FSK- ja nuk ka pranuar ftesë.
“Meqenëse jemi nikoqir të Defender Euoper 2025, fokusi ynë është në parapërgatitjen për realizimin e këtij ushtrimi, dhe për këtë veçse kemi filluar pjesëmarrjen në konferencat përgatitore. Të gjitha kushtet e nevojshme logjistike dhe operacionale për të qenë nikoqire e këtij ushtrimi janë përmbushur gjatë Defender Europe 2024”, ka thënë nga ministria.
Lënien anash të Kosovës, koloneli i pensionuar i FSK-së, Afrim Veseli, e konsideron si politike.
“Ky është veç një mesazh i Aleancës Veri Atlantike, Aleancës së Lirisë të popujve dhe shteteve që agresioni rus nëse mendon të fillojë diçka të re, do ta pësojë fiasko… Kosova e ka përkrahë Ukrainën, FSK-ja tash është duke i trajnuar ushtarët ukrainas në kërkim- shpëtim, pse Kosova nuk është përfshi, unë mendoj që është çështje politike kjo për shkak të sanksioneve që Kosova është duke i bartur prej një politike jo të mençur”, ka thënë Veseli.
Stërvitja që është paralajmëruar se do të mbahet në pjesën e parë të këtij viti, përkon edhe me shënimin e 75 vjetorit të themelimit të NATO-s.
Ndër shtetet me numrin më të madh të pjesëmarrësve, është Mbretëria e Bashkuar, që ka paralajmëruar se do të dërgojë 20 mijë ushtarë në “Steadfast Defender”.