NATO përshëndet marrëveshjen për emrin e Maqedonisë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përshëndetur sot zgjidhjen për emrin ndërmjet Shkupit dhe Athinës, duke thënë se kjo është një marrëveshje historike dhe dëshmi e diplomacisë së durueshme dhe vullnetit të liderëve të dyja vendeve.
“Tash u bëj thirrje të dyja vendeve të finalizojnë marrëveshjen e arritur sot nga të dy liderët. Kjo do të vendosë Shkupin në rrugën e tij drejt anëtarësimit në NATO dhe do të ndihmojë për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.
Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev ka thënë se është arritur marrëveshja për emrin, sipas të cilës nga sot ky vend do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.
“Kemi një marrëveshje historike mes Greqisë dhe vendit tonë. Me këtë marrëveshje do të kemi identitetin, gjuhën dhe kulturën tonë. Nga sot e tutje nuk do të quhemi më FYROM-as, por maqedonas. Nga sot emri i ri i do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, nacionaliteti maqedonas, gjuha maqedonase dhe po ashtu do të përkthehet në të gjitha gjuhët e botës”, tha Zaev në një konferencë për media.