NATO: Rast historik për paqe të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë

07 mars 2023 | 14:54

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se mirëpret qasjen konstruktive nga Kosova dhe Serbia në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe theksoi se tani është një “rast historik” për të arritur paqe të qëndrueshme.

Këto deklarata ai i ka bërë pas takimit në Bruksel me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po ashtu ka shprehur mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve.

“Ne bashkëpunojmë me Bashkimin Evropian dhe mirëpresim takimet në Bruksel në kuadër të dialogut. NATO do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm këtë dialog sepse e shohim si rrugën e vetme të duhur për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Kemi një rast historik për paqe të qëndrueshme dhe mirëpres qasjen konstruktive. Është me rëndësi që të dyja palët të dëshmojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Secila zgjidhje duhet të ketë parasysh të drejtat e njeriut, fqinjësisë së mirë dhe sundimit të ligjit”, ka thënë shefi i NATO-s.

Deklaratat e Stoltenbergut vijnë pasi Kosova dhe Serbia më 27 shkurt kanë pranuar propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Bashkimi Evropian (BE) ka theksuar se në takimin në Bruksel, kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan që nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme për këtë propozim, që palëve u është dorëzuar vitin e kaluar.

BE-ja ka thënë më pas se palët kanë shprehur gatishmërinë që të punojnë në planin për zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejtë një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, Stoltenbergu ka përsëritur gatishmërinë e aleancës ushtarake perëndimore që të sigurojë paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

“NATO ka qenë prezent në Kosovë për shumë vite. Prania e KFOR-it (misioni i NATO-s në Kosovë) ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe sigurisë së lëvizjes për të gjithë në Kosovë. Aleatët janë të gatshëm të vazhdojnë këtë. Një prani substanciale e NATO-s është dëshmuar e duhur për sigurinë”, ka thënë shefi i aleancës ushtarake perëndimore.

Ndërsa presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka folur për rreziqet e sigurisë me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke tërhequr vërejtjen nga rreziku që vjen nga ndikimi i Rusisë.

“Rajoni i Ballkanit vijon të kërcënohet nga përpjekjet e ndërhyrjes së Rusisë. Rusia po rrezikon rajonin dhe interesat e NATO-s. Qëllimi i Rusisë është bllokimi i proceseve demokratike në rajon. Kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet në veri të Kosovës. Vlerësojmë maksimalisht angazhimin e NATO-s në rajon. KFOR është garantues i paqes në Kosovë dhe rajon. Po kalojmë një kohë kur nevojiten vendime të guximshme. Dhe është koha që të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike”, ka thënë Begaj, duke shtuar se anëtarësimi eventual i Kosovës në NATO do të përbënte “një vlerë të shtuar për aleancën”. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Dr. Kamber Kamberi Hamit Aliaj, padyshim është një zë…