NATO: Rusët nuk kanë numra dhe aftësi për përparim strategjik në Ukrainë

17 maj 2024 | 11:52

Edhe pse Moska ka deklaruar se do të vazhdojë ofensivën e saj në Ukrainë, NATO dyshon se Rusia nuk ka burime për të bërë një përparim të madh. Oficeri i lartë ushtarak i NATO-s ka thënë se forcat e armatosura të Rusisë janë të paafta për ndonjë përparim të madh.

“Rusët nuk kanë numrat e nevojshëm për të bërë një përparim strategjik. Për më tepër, ata nuk kanë aftësinë për ta bërë këtë; për të vepruar në shkallën e nevojshme për të shfrytëzuar çdo përparim në avantazhin strategjik”, ka thënë komandanti suprem i aleatëve të NATO-s në Evropë, Christopher Cavoli.

Komentet e tij vijnë ndërsa forcat ukrainase përfshihen në beteja të ashpra me trupat ruse për kontrollin e Vovchansk, një qytet kyç në rajonin verilindor të Ukrainës, Kharkiv. Raportohet se Vovchank, i vendosur vetëm 5 kilometra nga kufiri rus, ka qenë pikë e nxehtë në luftimet e ditëve të fundit.

I pyetur nëse Rusia do të nis më herët ofensivën e saj të parashikuar, komandanti i lartë i NATO-s, Cavoli ka thënë: “Nuk mund të jemi kurrë të sigurt”.

Ai ka theksuar se “ajo që ne nuk shohim është se një numër i madh rezervash po krijohen diku, të nevojshme për një ofensivë të tillë”. Ndryshe, Rusia ka filluar një operacion në Kharkiv javën e kaluar, duke shënuar inkursionin e saj më të rëndësishëm kufitar që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022.

Lëvizja ka ngritur presion mbi forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat janë duke pritur për furnizime ushtarake nga Perëndimi.

Edhe pse ukrainasit kanë treguar rezistencë, presidenti Volodymyr Zelensky e ka pranuar se situata “është e vështirë”.

Instituti për Studimin e Luftës me bazë në ShBA ka llogaritur se ushtria e Moskës ka përparuar jo më shumë se 8 kilometra nga kufiri i përbashkët në Kharkiv.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në…