NATO zhvillon stërvitjen me 90 mijë trupa, do simulohet mbrojtja nga sulmi rus
Rreth 90,000 trupa do të marrin pjesë në stërvitjen më të madhe të NATO-s për dekada, të njohur si Steadfast Defender 2024, që do të nisë javën e ardhshme dhe do të zgjasë deri në qershor, tha të enjten komandanti i lartë i aleancës Chris Cavoli.
“Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar zonën euro-atlantike me një lëvizje transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, u tha gjenerali amerikan gazetarëve në Bruksel pas një takimi dy-ditor të shefave të mbrojtjes kombëtare.
Trupat do të vijnë nga aleatët e NATO-s dhe Suedia, sipas Cavoli.
E planifikuar nga shkurti deri në qershor, manovrat do të përqendrohen në vendosjen e trupave tokësore në gatishmëri. Në “Steadfast Defender” do të simulohet një sulm rus në territorin e NATO-s, me aktivizimin e nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut për mbrojtjen kolektive. Teatri operativ përfshin Gjermaninë, Poloninë dhe vendet baltike.