Natyra Kuçi: Kurti sot mes rreshtave kërcënoi mediat dhe opozitën që refuzojnë nënshtrimin
Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, deklaroi se kryeministri i vendit, Albin Kurti, “po kërcënon opozitën dhe mediat, duke kërkuar nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, që suksesi dhe dështimi të jenë i përbashkët”.
Përmes një publikimi në Facebook, Kuçi iu referuar një fjalimi që Kurti pati sot në mbledhjen e përgjithshme të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kurti, në fjalimin e tij të mbajtur sot para Këshillit të Partisë, deklaroi qysh mbështetja e aktivistit duhet të jetë e tëra në sukses e dështim. Nëse kjo s’flet për nënshtrim atëherë asnjë deklaratë diskursive nuk mund ta shpërfaqë”, ka shkruar Kuçi.
Ajo gjithashtu theksoi se Kurti dëshiron që t’i bëjë “hisedarë imagjinarë të gjithë në pushtetin e tij, në fitore e humbje, arritje e dështim, ashtu që t’i nënshtrojë në hegjemoninë e tij”.
“Kurti dëshiron t’i bëjë hisedarë imagjinarë të gjithë në pushtetin e tij, në fitore e humbje, arritje e dështim, ashtu që t’i nënshtrojë në hegjemoninë e tij. Kurtit i nevojitet teren homogjen ku kritika mbytet gati si natyrshëm, pa ndërhyrje të drejtpërdrejt të dhunshme sepse ai zgjati dorën kinse e do të bëjë bashkëpronarë në arritjet e dështimet e tij”.
“Mos të harrojmë; ky nuk është mesazh vetëm për militantin e aktivistin e rëndomtë; ky mesazh, nën rreshta, është kërcënimi ndaj opozitës e mediave që po refuzojnë nënshtrimin”, shkroi ajo.